Telefonat e "koduar” të Erdogan janë përgjuar 55 herë

 Nga hetimet e Prokurorisë së Republikës së Turqisë është vërtetuar se strukturat e “shtetit paralel” në Ankara, në të kaluarën përgjuan në mënyrë të paligjshme telefonat e zyrtarëve të lartë të shtetit, duke përfshirë telefonat e Presidentit Recep Tayyip Erdogan, kryeministrit Ahmet Davutoglu dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë turke Necdet Ozel, raporton Anadolu Agency (AA ).

 

Hetimet të cilat udhëhiqen nga prokurori i shtetit Harun Ceylan treguan se në mënyrë të paligjshme janë përgjuar telefonat e rregullta dhe ata me mekanizëm të mbrojtjes kriptografike. Në total 31 telefona me pajisje kriptografike janë përgjuar 363 herë.

 

Përgjimet janë zhvilluar në vitet e fundit, ndërsa në mënyrë të theksuar intensifikohen në fund të 2013. Ekspertët ia arritën për ti riaktivizuar regjistrimet që ishin fshirë më parë.

 

Hetimi ka konstatuar se tre telefonë të Erdoganit me pajisje kriptografike në periudhën kur ai ishte Kryeministër i Turqisë janë përgjuar në total prej 55 herë, ndërsa në mesin e zyrtarëve të shumtë të përgjuar, telefoni i Davutoglu ishte përgjuar 26 herë, telefoni i Shefit të Përgjithshëm Ozel 28 herë, Zëvendëskryeministri Ali Babaxhan 31 herë, Zëvendëskryeministri Bulent Arinç pesë herë , Ministri i Brendshëm tre herë dhe Ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore 14 herë, shefi i inteligjencës (MIT) Hakan Fidan 28 herë.

 

–  Davutoglu: Askush nuk do ta ketë guximin për ta bërë këtë

 

Kryeministri turk Ahmet Davutoglu, gjatë vizitës në Londër, në pyetjen e gazetarëve me rastin e përgjimeve telefonike të zyrtarëve të lartë të Turqisë, tha se institucionet turke do të vazhdojnë të zbatojnë me vendosmëri proceset e hetimit. “Tani më askush nuk do të gjejë fuqinë për të përgjuar kreun e Turqisë në takimet apo bisedat e tyre telefonike. Ata të cilët kanë bërë këtë deri tani, me siguri do të sillen para drejtësisë. Askush të mos dyshoj në këtë”, tha Davutoglu.

Artikulli paraprak1 milion protestues në Çeçeni
Artikulli vijuesKëtë vit ti po martohesh!