Për të zhdukur përfundimisht çdo gjurmë nga “mbeturinat fetare” në vitin 1967, me urdhër të Enver Hoxhës, Komiteti Qendror i PPSH u dërgon rretheve një letër për zëvendësimin e praktikave fetare me festat e reja socialiste.
Si do të zëvendësoheshin praktikat dhe zakonet e vjetra, festat në jetën e përditshme të njerëzve? Cilat ishin udhëzimet për këtë rast që lëshoi Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë?
Në kuadër të masave për revolucionarizimin e jetës, PPSH lëshon vendime dhe letra të hapura për të hequr nga kalendari i festave ideologjinë e vjetër feudo-borgjeze, si dhe atë fetare. Frymëzimi ishte fjalimi programatik i 6 shkurtit, që mbajti Enver Hoxha.
Cila ishte përmbajtja e letrës që KQ i PPSH u dërgoi rretheve për zëvendësimin e traditave fetare me festat e reja?
A kishte pengesa nga populli zëvendësimi i praktikave fetare me festat e reja socialiste? Si u hoqën festat e pagëzimit dhe synetllëkut nga organizimet e bujshme të familjeve shqiptare? Çdo gëzim u vendos të festohej nëpër lokale. Si u zëvendësuan ritet fetare dhe festat pagane shqiptare me festat kombëtare? Zbardhen për herë të parë dokumentet arkivore rreth letrës së KQ të PPSH, dërguar KP të rretheve mbi zëvendësimin e praktikave fetare me festat e reja socialiste.
Shkurti i vitit 1967 ka hyrë në historinë e Shqipërisë si vit kur u ndërmor fushata më e paparë e luftës kundër fesë. Po në këtë muaj, pas fjalimit programatik të Enver Hoxhës, vijuan një sërë vendimesh të Komitetit Qendror të PPSH për zëvendësimin e praktikave dhe riteve shqiptare me festat e reja socialiste. Çfarë ndodhi me festat fetare dhe gëzimet intime familjare? Për herë të parë zbardhet një letër e KQ të PPSH dërguar komiteteve të partisë së rretheve për zëvendësimin e praktikave fetare me festat e reja socialiste.
***
Letër e KQ të PPSH, dërguar KP të rretheve mbi zëvendësimin e praktikave fetare me festat e reja socialiste
KOMITETIT TË PARTISË TË RRETHIT
Në të gjithë vendin po bëhet një punë e madhe kundër zakoneve prapanike dhe paragjykimeve fetare. Në procesin e kësaj pune kanë lindur pyetje e shqetësime të ndryshme, se me se dhe si do të zëvendësohen praktikat, zakonet e vjetra dhe festat në jetën e përditshme të njerëzve.
Prandaj po u dërgojmë materialin e bashkangjitur, i cili në bazë të kushteve të rrethit tuaj, mund të thellohet, të përpunohet, të pasurohet dhe mund t’u shërbejë në këtë drejtim.
Me porosi të Sekretarit të KQ të PPSH
Ramiz Alia
Dashnor Mamaqi
AQSH. V.1967
***
Mbi zëvendësimin e praktikave dhe zakoneve fetare të jetës së përditshme të njerëzve me ceremoni dhe festat socialiste
Në mbështetje të masave të rëndësishme që ka marrë partia për revolucionarizimin e mëtejshëm të jetës, në të gjithë vendin shpërthyen iniciativa të shumta revolucionare, si rezultat i të cilave ideologjia e vjetër feudo-borgjeze ka pësuar dhe po pëson goditje të rënda. Fjalimi programatik i 6 shkurtit, që mbajti shoku Enver, ishte një faktor tjetër frymëzues që i armatosi masat për ta intensifikuar dhe ngritur në një shkallë më të lartë këtë luftë, ku janë inkuadruar të mëdhenj e të vegjël, gra e burra.
Në kuadrin e kësaj lufte të ashpër klasore, goditje të fuqishme po pësojnë mënyra e vjetër dhe borgjeze e jetesës, doket e zakonet prapanike dhe, veçanërisht, ideologjia fetare, e cila prej shekujsh jo vetëm që ka helmuar ndërgjegjen e njerëzve, por ka hyrë thellë në jetën e tyre të përditshme, duke i shoqëruar në çdo moment. Masat e gjera punonjëse dhe në mënyrë të veçantë rinia, kanë marrë zotime që të heqin dorë nga të gjitha festat dhe ceremonitë fetare, nga zakonet e vjetra dhe prapanike dhe të festojnë festat tona dhe zakonet e reja socialiste. Mirëpo, kjo nuk mund të bëhet menjëherë. Të zhdukësh diçka dhe aq më tepër që kjo diçka ka të bëjë me botën shpirtërore të njeriut, nuk mund të bëhet po nuk u zëvendësua me diçka tjetër më përparimtare, më të afërt me njeriun. Në këtë drejtim, në punën tonë ideologjike ka një defekt. Ne deri tani kemi mohuar, por, kjo nuk mjafton. Bashkë me mohimin duhet edhe të pohojmë, të afirmojmë, sepse në disa aspekte të jetës së përditshme të njerëzve, janë krijuar boshllëqe shpirtërore. Dihet se boshllëk shpirtëror në botëkuptimin e njerëzve nuk mund të ketë kurrë. Në të do të gjejë vend pozitivja apo negativja dhe, kjo varet nga puna jonë ideologjike. Ky boshllëk që është krijuar duhet të zëvendësohet me festa dhe zakone të reja, që të mos kthehemi prapë në doket dhe zakonet e vjetra. Këto probleme na i ka ngritur tani jeta. Te njerëzit janë krijuar disa shqetësime dhe me të drejtë ata pyesin si do të festojmë këtë apo atë ngjarje, si do të bëhen fejesat, martesat, varrimi e probleme të tjera. Kuptohet se organizatat e Partisë, organizatat e masave, nuk mund të qëndrojnë indiferent, por duhet të përpiqen që t’u japin përgjigje.
Në mënyrë krejt paraprake dhe në formë orientimi të përgjithshëm, pa u konsideruar aspak si receta në këtë material, ne do të përpiqemi të japim disa mejtime lidhur me festat dhe zakonet e reja socialiste.
E theksojmë, se këto janë vetëm mejtime dhe nuk kemi aspak ndërmend që çdo gjë ta kanunizojmë. Është vetë jeta, praktika, eksperienca që do t’i afirmojë, që do të nxjerrë të reja dhe do të pasurojë fondin e festave të reja socialiste, që duhet të rrënjosen në mendjen e njerëzve për t’iu kundërvënë atyre të vjetrave. Natyrisht, këtë gjë ne nuk duhet t’ia lëmë spontanitetit, pse edhe praktika ka nevojë për orientim dhe eksperienca e masave ka nevojë të krasitet, të përpunohet, të tipizohet dhe të vihet në bazë të dokeve të reja socialiste.
Festat fetare zëvendësohen me festat socialiste
Çdo njeri e ndjen nevojën e gëzimit, bashkimit dhe të dëfrimit bashkë me miqtë, me shokët, me të afërmit. Pikërisht, edhe për këtë arsye, institucionet fetare i jepnin rëndësi organizimit të festave fetare. Disa nga këto, si Pashkët apo Bajrami, përbënin festën e përbashkët për të gjithë, pra njerëzit gëzonin bashkarisht. Disa të tjera, si dita e emrit, pagëzimet, synetllëku etj., ishin më tepër festa në familje të veçuara. Feja, sidomos kisha, për këto festa organizonin ceremoni pompoze, solemne, që t’u mbeteshin në mendje njerëzve, që t’i prisnin me gëzim njerëzit. Çdo gjë shoqërohej me një organizim sa më të bujshëm: që nga veshja, nga zbukurimet, nga organizimi i ceremonisë etj. Kjo ndodhte edhe për pagëzimet, edhe për synetllëkun, edhe për martesën në kishë, edhe për ditën e emrit, pa bërë fjalë për Pashkët e Bajramin.
Të gjitha këto, ne duhet t’i kemi parasysh. Duke hedhur poshtë të gjitha festat fetare, ne duhet të organizojmë festimin e festave tona kombëtare, lokale apo familjare. Por t’i organizojmë më mirë, më bukur, më me madhështi seç i organizonin klerikët.
Festat tona duhet t’u mbeten në mendje për një kohë të gjatë njerëzve.