Tridhjetë e një prova kundër Naser!

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot ka vazhduar seanca e shqyrtimit gjyqësor kundër Naser Kelmendit, i akuzuar për vrasje, krim të organizuar dhe trafik droge, ku është diskutuar për dëshmitarët e ardhshëm të këtij procesi, si dhe janë trajtuar provat e propozuara nga ana e prokurorisë që do përdoren gjatë gjykimit.
Në fillim të seancës, kryetarja e trupit gjykues, Anna Adamska Gallantka, ka paraqitur emrat e dëshmitarëve që sipas saj janë në programin për mbrojtjen e dëshmitarëve të EULEX-it.
 
Por, ajo ka bërë të ditur se disa nga ta pritet të dëgjohen përmes video lidhjes, pasi gjykata në Sarajevë ka shumë pak raste të papërfunduara dhe mendon se është shumë më i lehtë bashkëpunimi me ta sa i përket organizimit të video konferencës.
 
Gallant nënvizoi se për mënyrën e dëgjimit të tyre, trupi gjykues duhet të këshillohet para se të marr vendimin.
 
Tutje, Prokuroi Hughes tha se e admiron mënyrën e efikasitetit se si trupi gjykues po e administron këtë gjykim.
 
Përgjatë seancës, prokurori Andrew Hugheska ka paraqitur edhe provat që do të përdoren gjatë gjykimit, duke thënë se janë gjithsej 31 sosh, përfshirë raportin mbi inspektimin e vendit të ngjarjes ku ishte vrarë Ramiz Delaliq.
 
Pastaj sipas tij është edhe raporti i shikimit të vendit të ngjarjes, shënimet zyrtare nga zyrtarë policorë, ekspertiza të gjurmëve të armëve të zjarrit, dokumentet e analizave nga Bosnja…
 
Ndërkaq, avokati Berisha tha se kanë një sugjerim që t’iu sigurohet raporti i ADN-së ndaj të ndjerit Strahina Rasheta, për të bërë krahasimin ndërmjet ADN-së së gjetur në vendin e ngjarjes dhe asaj të marrë nga Rasheta.
 
Kurse prokurori tha se nuk është i sigurt nëse autoritetet në Bosnje e kanë një raport të tillë.
 
Ndryshe, Avokati Besnik Berisha, mbrojtës i Kelmendit, ka thënë pas seancës se prokuroria speciale e Kosovës rezulton të jetë në lajthim nga institucionet e Bosnjës që nuk tregojnë sinqeritet dhe për pasojë vërehen edhe defektet në këtë shqyrtim gjyqësor. 
Ai tha se kanë kërkuar që një provë e gjetur në vendin e ngjarjes që kishte ADN-në e personit të dyshuar të krahasohet me personin i cili prokuroria beson se është vrasësi i tani të ndjerit Ramiz Delaliq.
 
Sipas tij, ky proces dita ditës po cenon të drejtën e Kelmendit për një gjykim të shpejtë dhe në kohë të arsyeshme për faktin që dëshmitarët e propozuar deri më tani dështojnë të paraqiten.
 
Ai ka nënvizuar se gjykata ka punuar në reduktimin e dëshmitarëve të panevojshëm, pasi që sipas tij tani nga lista e 150 dëshmitarëve dikur të propozuar, janë vetëm një e treta dhe me gjasë ka shtuar ai edhe kjo do të reduktohet.
 
Ndryshe, Naser Kelmendi i cili ka edhe shtetësinë boshnjake qe arrestuar më 6 maj 2013 nga Policia e Kosovës, pasi kërkohej me flet arrest ndërkombëtar. /KP/
Artikulli paraprakCili deputet serb kërkohet nga Interpoli për krime në Kosovë?
Artikulli vijuesAfganistan: Arrin në 90 numri i të vdekurve nga ortekët e borës