Ja Ilaçet false të prodhuara në Kosovë (Foto)

Qytetarët e shumtë, të sëmurë, kur mjeku ua shkruan terapinë në ndonjë Qendër të Mjekësisë Familjare, ia mësynë farmacisë më të afërt. E aty, jo rrallëherë po furnizohen me ilaçe të falsifikuara. Madje, të prodhuara nga kompani kosovare që nuk ekzistojnë. Gazeta Fjala për këtë ka siguruar fakte, të cilat i pranojnë edhe vet prodhuesit, në emër të të cilëve po prodhohen ato ilaçe.

Rast konkret është kompania “Kondirolli”. Ka katër vjet që kur kompania ka falimentuar. Por, produktet e sajë shiten edhe tani në barnatoret e Kosovës. Madje pa banderola e pa ndonjë datë të prodhimit.
Gazeta Fjala ka gjetur se në treg qarkullon produkti “Naphasol”- pika për hundë, prodhim i kësaj kompanie që jepet pa recetë të mjekut.

Ky produkt, sipas Agjencisë për Produkte Medicinale nuk guxon të shitet në treg që nga viti 2011, kur edhe është ndërprerë prodhimi në kompaninë “Kondirolli”.

Kështu thotë edhe ish pronari i kompanisë farmaceutike, Nexhdet Kondirolli, i cili tregon se është në dijeni se dikush po shet ende medikamente të cilat ai ka ndaluar së prodhuari dhe nuk ka licëncë për to.

“Sipas të dhënave të siguruara nga AKPPM, kompania “Kondirolli” nuk ekziston, ndërsa produktet farmaceutike pa benderollë nuk guxojnë të shiten në treg”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë për Gazetën Fjala.
Zyrtarë të AKPPM-së kanë thënë se produkti mund të ketë mbetur prej të kaluarës, kur ka ekzistuar prodhuesi.
“Sidoqoftë, Inspektorati Farmaceutik do të hulumtojë më tej rreth rastit, për të parë nëse bëhet fjalë për produkt (pako) të mbetur prej vitesh, apo diçka tjetër”.


Kondirolli ka ekzistuar si prodhues deri 20.10.2011 dhe pastaj është shndërruar në Prima Pharm.

Megjithatë, vetë ish pronari i kësaj kompanie, Nexhdet Kondirolli thotë se qarkullimi i këtij medikamenti në treg është i kundërligjshëm dhe fajin ua hedhë zyrtarëve të Agjencisë për Produkte Medicinale që lejojnë një gjë të tillë.
“Unë jam në dijeni se ka në disa barnatore këso produkte, por është punë e shtetit që ti ndalojë ato. Ne nuk i prodhojmë ato. Ne nuk ekzistojmë”, ka thënë Kondiroli.

Sipas tij, dikush mund ta ketë keqpërdorur këtë emër dhe po prodhon barëra falso të cilat pastaj ua shet qytetarëve.

Artikulli paraprakLorik Cana ngushllon Mavrajn: "vdekja në ditën e xhuma shumë e pëlqyer në Islam"
Artikulli vijuesJahjaga paguan 8,400 euro Zijadinin