Rama kundër Metës dhe Berishës për hetimin ndërkombëtar të CEZ

Edi Rama, më në fund, ka thyer heshtjen. Pas një hezitimi të gjatë, shefi i qeverisë, Edi Rama, ka thelluar hendekun me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, duke u pozicionuar kundër hetimit ndërkombëtar të aferës së CEZ. Edi Rama ka deklaruar dje se, nuk pranon që aferat e CEZ në Shqipëri, të kulmuar nga marrëveshja e fundit me kosto 600 milionë euro, të hetohen nga prokurorë të huaj. Kryeministri pohoi se çështja e CEZ tashmë është e mbyllur, por kryeministri ka shtuar se çështja mund të hetohet nga prokuroria shqiptare. Në mënyrë të qartë, Rama u pozicionua kundër propozimit të Ilir Metës dhe Sali Berishës për hetim ndërkombëtar.

“Shqipëria është vend kandidat për në Bashkimin Europian, ka një legjislacion të vetin. Nuk ka asnjë pengesë për asnjë lloj hetimi për ta hetuar edhe nga prokuroria shqiptare, siç thonë mediat. Nuk ka asnjë shpikje alla shqiptarçe për të bërë për këtë rast”, ka deklaruar Rama. Kryeministri tha se historia e CEZ është e sajuar nga opozita. Rama tha se marrëveshja me CEZ u arrit për të çliruar kompaninë, ndërsa theksoi se prokuroria ka nisur një hetim. “Le ta lëmë të flasë prokuroria për këtë çështje”, deklaroi Rama. “Ju e thatë vetë është një përfolje shumë e madhe dhe s’më mbetet tjetër veçse të them “Fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë”! Çështja e ashtuquajtur e CEZ­it është e trajtuar sipas standardeve ndërkombëtare dhe marrëveshja e qeverisë shqiptare domosdoshmëri për të çliruar kompaninë nga kthetrat ku ishte kapur.

Për të gjitha të tjerat i ftoj të gjithë ata që kanë akuza, pretendime, aludime, t’i referohen legjislacionit shqiptar t’i referohen institucioneve përkatëse për të gjetur çfarë duan të gjejnë. Për mua, për qeverinë kjo është një çështje e mbyllur. Kjo është pjesë e një gjullurdie që ka përfshirë edhe median. Edhe ju ushqeni këtë lloj mjegulle të pakuptimtë, sepse studioja ligjore e tërhequr në këtë debat absurd nga media të caktuara ka dhënë një prononcim shumë të qartë dhe ka thënë se nuk ka asnjë referencë”, tha Rama. Koalicioni Shefi i qeverisë është shprehur edhe për zërat që flasin për një krisje të koalicionit PS-LSI. Rama pohoi se koalicioni po funksionon plotësisht dhe të gjithë janë në krye të detyrës.

“E para, unë nuk e kam kuptuar ç’është kjo pyetje. “Cilat janë marrëdhëniet tuaja me këtë apo me atë?”. Ne jemi në një koalicion qeverisës dhe koalicioni qeverisës funksionon plotësisht, qeveria funksionon plotësisht, unë jam në detyrë. Me keqardhje, mund të them se erdha këtu në studion tuaj për të përfituar nga mundësia që ju më jepni për t’i përcjellë opinionit publik gjëra me një rëndësi shumë herë më të madhe sesa këto për të cilat po harxhojmë kohën e njëri-tjetrit dhe kohën e publikut”, ka pohuar Rama

 

Artikulli paraprakAustria konsideron ngritjen e gardhit kufitar
Artikulli vijuesIlir Meta: Mos e përdorni më Doshin e Priftin për falsifikime