Disa të rinj me të parë një plak të varfër, deshën të argëtohen.

Disa të rinj me të parë një plak të varfër, deshën të argëtohen. E rrethuan dhe filluan ta ofendojnë me fjalë të shëmtuara.

Ia përqeshnin rrobat e leckosura, këmbët e zbathura, ngase ishte tejet i varfër. E quanin me emrat më të këqij, por plaku i urtë aspak nuk u shqetësua. Me buzëqeshje i dëgjonte ofendimet në llogari të tij. Ishte mbështetur në një gur dhe dukej i kënaqur me aktrimin e djelmoshave, gjë që i tërboi edhe më shumë ata. Hidhnin mbi të fjalë të rënda helmuese elënduese. Plaku nuk përgjigjej fare, por vetëm buzëqeshte.
Në fund, kur djelmoshat u lodhën dhe i harxhuan të gjitha fjalët e shëmtuara, plaku i pyeti: “A jeni të kënaqur? A thua ofendimi im ju kënaqi? Nëse jeni ju të kënaqur e të disponuar, edhe unë jam i kënaqur.”
E pyetën: “A thua nuk ndihesh i përqeshur dhe i ofenduar për këtë që ne bëmë me ty?”
Plaku i urtë u përgjigj: “Do t’ju shpjegoj përse nuk më keni ofenduar dhe lënduar. Por, së pari më përgjigjuni në pyetjen: Çfarë ndodh me letrën që i dërgohet personit të caktuar dhe ai nuk dëshiron ta pranojë letrën?”
Ata u përgjigjën: “Si, çfarë bëhet? Letra i kthehet atij që e ka dërguar.”
Plaku i urtë përsëri pyeti: “Nëse një personi dikush i dërgon një dhuratë, por ai nuk e pranon, çfarë ndodh me dhuratën?”
Ata u përgjigjën: “Pyetje e marrë! Dhurata i kthehet dhuruesit, kujt tjetër?”
Atëherë plaku i urtë duke buzëqeshur tha: “Në të njëjtën mënyrë ndodh edhe me fjalët që dikush t’i drejton, ndërsa ti nuk i pranon, ato i kthehen dërguesit. Unë nuk i pranova fjalët e juaja. Për këtë ato u kthehen juve. Andaj, në realitet gjatë gjithë kohës sa më keni sharë dhe ofenduar mua, ju e keni sharë dhe ofenduar veten tuaj!”

Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi

Artikulli paraprakPas 30 vjet studimi, murgu budist konvertohet në Islam
Artikulli vijuesNë Valencia anulohet vendimi që ua ndalon nxënëseve mbajtjen e hixhabit në klasë