Maqedonasit blejnë nuse në Pogradec për të bërë fëmijë, pastaj i dëbojnë (Video)

Nazmije Donov nga Pogradeci është blerë për 52 mijë denarë. Këtë e dëshmon personi që i ka dhënë hua Marjan Donovit. Ky i fundit kishte kërkuar borxh nga shoku i tij për të marrë nuse Nazmijen.

“Ai kërkoi hua prej meje. Unë kam pasur restorant dhe ai ka blerë gjëra prej aty. Gjatë kësaj, ai më tha që i kishte vdekur fëmija që e kishte me gruan e parë.

Mua më thoshte se është pa grua, edhe në këtë kontekst unë i thash shumë lehtë mund të gjesh për 500 euro një grua në Shqipëri. Për 20 ditë m’i pagoi të gjitha borxhet për restorantin dhe pastaj tha para dëshmitarëve që ato para që i ka për nusen shqiptare, i ka harxhuar dhe kërkoi hua shtesë. Unë i dhash hua para dëshmitarëve.

Kërkova noter, ndërsa ai shkroi vetë me dorë se merr 52 mijë denarë që të martohet me shqiptare”,- thotë shoku i Marijanit për “TV21”.

I pyetur nga gazetarja, shtetasi maqedonas ka mohuar të ketë dhënë para për Nazmijen dhe ta ketë rrahur atë.

25-vjeçarja Nazmije Donov, nga fshati Osnat i Pogradecit, para dy vitesh kishte ardhur nuse në Maqedoni në qytetin e Kavadarit. Por lumturia e saj bashkëshortore nuk zgjati shumë, edhe pas lindjes së fëmijës së parë.

Nazmija rrëfen se, është viktimë e dhunës, pasi burri i saj vazhdimisht kishte ushtruar dhunë ndaj saj, duke e dëbuar më pas edhe nga shtëpia.

Ata tashmë janë në proces divorci, por 25-vjeçarja nuk lejohet të takojë djalin e saj 2-vjeçar.

Nga ana tjetër, Marjani nuk pranon se ka dhënë para për të marrë nuse Nazmijen, në pyetjet e gazetares të TV21 a përgjigjet:

Sa para keni dhënë për Nazmijen?

“Jo, menjëherë po ju them jo”.

Sa para keni dhënë?

“Nuk kam dhënë para”.

Përse atëherë e keni rrahur?

“Nazmijen nuk e kam rrahur?”

Nazmija e cila jeton jashtë vatrës familjare dhe pa fëmijën e saj ka pajtur një avokate. Daniella Ilieva zyrtarisht është avokate e Nazmijes.

Nga Ambasada e Shqipërisë thonë se zyrtari nga konsullata që duhet ta shqyrtojë rastin është jashtë vendit.

TV21 u drejtua edhe te Qendra për Punë Sociale në Kavadar, ata nuk pranuan të komentojnë për rastin e Nazmijes.

Aktualisht, në gjykatë po procedohet rasti se kujt do t’i takojë fëmija 2 vjecar, Ilija. Sipas avokates, gjasat janë të mëdha që t’i takojë Marijanit, pasi Nazmija nuk ka kushte për jetesë.

Familja Amxhai nga Pogradeci

Familja Amxhai nga Pogradeci i Shqipërisë mbërriti në Kavadar për të komunikuar me Nazmijen, e cila thekson se është viktimë e dhunës nga burri i saj.

Por, familja e Nazmijës mbeti rrugëve, pasi dhëndri nuk i pranoi në shtëpi, as për sqarim.

Nëna e saj, Rajmonda e trishtuar, rrëfen se kishin kaluar tre muaj që nuk kishte kontakt me bijën e saj.

“Çupa nuk më ka marrë në telefon 3 muaj. Nuk ja dija adresën. Unë kur e thërrisja në telefon nuk më njoftonte askush. I thosha burrit si ka mundësi që nuk lajmërohet asnjë njeri. Çupën e kishte çuar policia. Dua arsyen pse e morri pse e çoi çupën në polici pa e dituar fare unë dy muaj. Jam nisur që nga katër ora e mëngjesit që kam ardhur këtu. Për shkak të evlatit.

Evlati i rrugëve nuk është, ka shyqyr zotit nënë e baba, motra ka katër, pa njeri nuk është. Nuk e lejoj këtë që ka bërë dhëndri”, rrëfen e ëma e Nazmijes.

Kushëriri i Nazmijes, Aleko, kërkon llogari nga dhëndri duke kërkuar të dijë se cilat janë arsyet për dëbimin e vajzës nga shtëpia dhe ndarjes së nënës nga fëmija.

“Nëse ky burrë është i larë, pse nuk del të na takojë dhe tregojë se farë është muhabeti. Ky burri i asaj nuk është burrë, por është legen. Për çfarë arsye e ka marrë gruan dhe e ka bredh poshtë e lartë dy muaj nëpër polici. Pasi nuk i bënte gruaja, le të merrte telefonin le t’i informonte prindërit. Pse ta shpie dy muaj nëpër gjykata nëpër policia pa ditur prindërit e saj. Për çfarë arsye? Duam ta dimë”,- shprehet kusheriri Aleko Magjistari.

Avokatja Daniella Illieva thekson se sipas ligjit, prindërit e vajzës mund ta shohin nipin e tyre.

“Sot erdhi familja e Nazmijes, tërë ditën ishin këtu te unë. Përmes telefonit mundoheshin me ndërmjetësues që ta shohin nipin e tyre. Por nuk u kanë lejuar.

U kthyen prapë këtu pasi Marijan Donov burri i Nazmijes i ka kërcënuar që do të thërrasë policinë nëse qëndrojnë tek dera. Njerëzit erdhën këtu dhe u ankuan se nuk mund të shihnin më nipin e tyre.

Sipas ligjit ata kanë të drejtë nëpërmjet nenit 9 ligji i familjes”,- thotë avokatja Ilieva.

 

https://www.youtube.com/watch?v=djOlz1ACu1o

 

https://www.youtube.com/watch?v=fx-dbE2pTlE

Artikulli paraprakPse shpifja ndaj meje?!
Artikulli vijuesGjatë njëzet e katër orëve të fundit jepen 4.396 vërtetime për refugjat