Publicisti kontrovers nga Tirana, Kastriot Myftaraj ka zgjedhur një formë të veçantë për të nxitur popullatën e Luginës së Pollogut për të protestuar rreth ndotjes masive të ajrit. Miftaraj i cili njihet në opinion për prononcime të çuditshme, ka futur në lojë objektet e kultit për të motivuar popullatën që të ngre zërin e protestës. Miftaraj ka shkuar aq larg sa të thotë që: “Jugohromi do të bëhet shkak që të mbyllen xhamitë! Këtë nuk e tolerojnë bijtë e Allahut në Pollog”.
“Në këto rrethana, mbetet që dikush t’ u thotë shqiptarëve të Pollogut se nëse nuk veprojnë për të mbyllur Jugohromin, atëherë xhamitë do të mbyllen gjithsesi, sepse në ardhmërinë jo të largët nuk do të ketë njerëz të gjallë në Pollog që të shkojë në to. Jugohromi pra do të bëhet shkak që të mbyllen xhamitë! Këtë nuk e tolerojnë bijtë e Allahut në Pollog. Mjaft që të binden se Jugohromi i prek në fe. Jugohromi mund të bëhet shkak që në xhamitë e Pollogut të mos thirret ezani në arabisht se qytetet e fshatrat do të jenë të shkretë pa njerëz”, ka shkruar Myftaraj në një status të tij në Facebook, njofton Zhurnal.
Edhe mediat e Tiranës sot raportuan për gjendjen alarmante të ndotjes së ajrit në regjionin e Tetovës.
Top Channel raporton se: “Ndotja e ajrit në Tetovë ka arritur shifra alarmante. Alarmi përforcohet edhe më tej, pas matjeve të mesnatës së të hënës dhe së martës, kur grimcat “PM10” arritën në 996 mikrogram për metër kub, apo 20 herë më të larta sesa limiti i lejuar”.
“Si ndotës kryesorë të ajrit, ekspertët dhe Instituti i Shëndetësisë në Maqedoni kanë identifikuar fabrikën e “Jugohromit”, ndërsa autoritetet qeveritare këmbëngulin se ajrin e ndotin automjetet dhe djegia e druve për ngrohje”, transmetoi lajmin Top Channel.