Zhvillimi i këtyre shtatë shprehive produktive paraqet thelbin e udhëtimit drejtë dashurisë së Allahut të Madhërishëm dhe forcimin e imanit.
Konsiderojmë se këto aktivitetet të përmendura janë të një rëndësie esenciale për çdo musliman produktiv.
1. Falja e namazeve vullnetare para dhe pas namazeve farze
E dimë se falja e vetëm farzeve është më e lehtë. Mirëpo nëse mendojmë pak për shpërblimet që i lëshojmë me mosfaljen e nafileve, secili nga ne do të mundohet që të mos i lë pa falë.
Bërja shprehi e faljes së këtyre namazeve është një proces i cili nuk mund të arrihet për një natë. Megjithatë, namazet vullnetare me kohë do të bëhen pjesë e pandashme e namazeve farze dhe falja e namazit pa ato vullnetare do të dukej jo i plotë.
2. Përmendja e Allahut pas namazit (dhikri)
Përmendëm më lartë se largimi nga xhamia menjëherë pas namazit farz është më i lehtë dhe i thjeshtë, mirëpo të jemi të sinqertë dhe të pranojmë se dhikri pas namazit nuk na merr më shumë se dhjetë minuta. Leximi i dhikrit pas namazit do ta pasurojë përvojën tonë shpirtërore të namazit.
3. Dhikri i mëngjesit dhe mbrëmjes
Ekzistojnë lutje të shumta të cilat i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i ka thënë para lindjes së diellit dhe para përfundimit të tij. Lutjet e mëngjesit dhe mbrëmjes zvogëlojnë stresin, risin energjinë dhe ditët e netët e muslimanit i bëjnë të bekuara. Këto lutje mund të gjenden në librin “Lutjet e Jetës” ose “Mburoja e muslimanit”.
4. Namazi i natës
Gjatë Ramazanit çdo musliman ka rastin të kënaqet me namazin e teravisë. Megjithatë, pas Ramazanit gjithashtu kemi mundësi të shpërblehemi për faljen e namazit të natës. Namazi i natës është nga veprat më të dashura tek Allahu. Nëse nuk e keni shprehi të falni namazin e natës, mundohuni që të falni jacinë me xhematë dhe kjo do t’ju ndihmojë të zgjoheni edhe për namazin e natës.
5. Namazi Duha
Në këtë tekst ju paraqesim fshehtësinë e një dite produktive: Dy reqate namaz që njihen si duha-namaz, të cilat mund t’i falni në çdo kohë një orë pas lindjes së diellit dhe deri 45 minuta para namazit të drekës. Shpërblimi i këtij namazi është i barabartë me çdo sadaka që muslimani ndanë për çdo nyje të trupit të tij.
6. Përmendja e Allahut para gjumit
Supozojmë se keni pasur një ditë të lodhshme dhe dëshironi sa më parë të shkoni në gjumë. Prisni! Para se të bini në gjumë, ndani 5-10 minuta për të thënë lutjet e gjumit. Provojeni dhe bëni një gjumë të rehatshëm që do t’ju ndihmoj të zgjoheni në namazin e sabahut.
7. Leximi i Kuranit një orë në ditë
Numri i faqeve të lexuara në ditë nuk është me rëndësi sa është i rëndësishëm numri i ajeteve që i lexoni me kuptim. Nëse kaloni një orë duke lexuar një sure me kuptim është më e dobishme se të lexosh disa sure pa u thelluar në kuptimin e tyre.
Përshtati: Arsim Dauti
(Islampress)