Koment i Redaksisë së gazetës Lajm
Lexues të nderuar, shumica prej jush e keni të qartë, prandaj ky koment vlen vetëm për ata që kanë edhe dozën më të vogël të dyshimit, mos ndoshta në Butel po ndodh një revoltë e vërtetë e BDI-së për kryqin!
Mendoni pak! BDI nuk i përkrahi protestat kundër rastit “Monstra”, rast në të cilin 6 shqiptarë u dënuan me burg të përjetshëm, kurse gjithë shqiptarët e Maqedonisë u njollosën si terroristë. Nuk vendosi shatorë për mbylljen e Jugohromit, nuk protestoi as për mbajtjen pa faj të shqiptarëve të Sopotit me dekada.
Pa dyshim se mënyra se si u miratua vendimi për ndërtimin e këtij kryqi është provokuese. Mirëpo shqiptarëve në Maqedoni ju kanë ndodhur të këqija shumë më të mëdha se kryqi gjatë këtyre viteve sa janë në pushtet protestantët e Butelit, prandaj duhet qenë tepër naiv për të besuar në qëllimet e tyre të sinqerta.
Kryqi në Butel është një sihariq i VMRO-së për BDI-në, për ta prezantuar para shqiptarëve si gjoja parti që kujdeset për ndjenjat fetare të shqiptarëve.
Burime të mirinformuara partiake thonë se skenari do të zgjasë një javë. Pas një jave gjykata do ta shpallë të jashtëligjshëm vendimin për ndërtimin e kishës. Brenda kohës Ahmeti pritet të takohet me Gruevskin. Në këtë mënyrë do të tentohet të përmirësohet imazhi i rrënuar fetar i Ahmetit (asnjëherë nuk e kemi pa as në kishë as në xhami, por vetëm në Prokurori). Edhe më tepër, do të tentohet që Gruevski të kthehet në skenë si menaxhues i krizave, me çka BDI do ta rikthejë mentorin e tyre në qendër të vëmendjes politike, pas margjinalizimit gjithnjë e më të madh të tij që kur nuk është kryeministër.
Çka do të pasojë, pas anulimit të vendimit për kryqin?
Partnerët e VMRO-DPMNE-së dhe Gruevskit do të shpallin fitore të madhe. Do të organizojnë manifestime, ndoshta edhe koncerte! (Asnjë nuk do të fillojë pa ardhur Ermira Mehmeti, e cila ka filluar të vonohet kohën e fundit si Nikolla Gruevski).
Mirëpo pikërisht atëherë do të ju ndodhë një “dush i ftohtë”. Sepse çatëherë do të publikohet incizimi ku një politikan dëgjohet duke sharë Profetin e Muslimanëve. (shumica prej jush veçmë e dini se për cilin politikan bëhet fjalë).
E atëherë kryqi ndoshta nuk do të ndërtohet në Butel, do të ju dalë në ballë! Atëherë do të bien nga Ura e Siratit direkt në xhehnem!
P.s. Pas zgjedhjeve një Gjykatë e shkallës më të lartë do ta rikthejë vendimin për ndërtimin e Kryqit në Butel. Edhe ujku do të jetë i ngopur edhe dhentë do të jenë në numër!