Ankara – 27 të vdekur në një sulm me autobombë

27 të vdekur dhe 75 të plagosur është bilanci i një sulmi me autobombë në sheshin Kizilay të kryeqytetit të vendit, sipas një njoftimi me shkrim të Prefekturës së Ankarasë.

 

Sonte në mbrëmje rreth orës 18:45 sipas orës lokale afër bulevardit kryesor (në Kızılay) të qendrës së kryeqytetit të Turqisë, Ankara, ka ndodhur një shpërthim, si pasojë të cilit kanë humbur jetën dhe janë plagosur shumë shtetas.

Sipas përcaktimeve të para 23 persona e kanë humbur jetën në vendngjarje, kurse 4 të tjerë në spital, ndërsa 75 qytetarë janë transferuar në 10 spitale të ndryshme të kryeqytetit.

Deklarata e parë zyrtare në lidhje me sulmin terrorist erdhi nga Prefektura e Ankarasë.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nuk ka nevojë për gjak, pasi një numër i madh qytetarësh kanë shkuar në spitale për të dhuruar gjak për të plagosurit. Spitalet e kryeqytetit kanë qenë shumë të suksesshme në menaxhimin e fluksit të të plagosurve në dy sulmet e fundit terroriste.

Në sulmin kamikaz që ndodhi në 10 tetor 2015 afër stacionit të trenit në Ankara dhe që kishte në shënjestër Mitingun e Paqes, kishin vdekur 107 persona dhe ishin plagosur rreth 500 qytetarë.

Kurse në sulmin terrorist të 17 shkurtit 2016 sërish me autobombë në Ankara kundër autobusëve të personelit ushtarak kishin humbur jetën 28 vetë dhe ishin plagosur 61 të tjerë.

Forcat e rendit dhe organet shtetërore janë vënë në alarm për të menaxhuar situatën dhe parandaluar ndonjë sulm tjetër të mundshëm.

Së shpejti priten edhe reagimet e para nga autoritet e qeverisë.


Artikulli paraprakCivilët shënjestër e terrorizmit: 27 të vdekur dhe 75 të plagosur nga shpërthimi në Ankara
Artikulli vijuesPrekaz – Baca Rifat JASHARI me Hoxhë Shefqet Krasniqi dhe Hoxhë Fatmir Latifi