Situata në kufirin greko-maqedonas vijon të mbetet e pandryshuar, me emigrantët të cilët kanë mbetur të bllokuar në kushte ekstreme. Rreth 12.000 njerëz vazhdojnë të qëndrojnë në fushat e mbuluara nga balta e papastërtia me shpresë se në 17 mars BE-ja do të marr vendim për hapjen e “Rrugës Ballkanike”. Liderët e Bashkimit Evropian dhe Turqisë do të mblidhen sërish në Bruksel për të diskutuar rreth implementimit përfundimtar të marrëveshjes së njohur si plani i veprimit.
“Kam ndërmend të rri këtu edhe dy-tre ditë deri sa të shikoj se çfarë vendimi do të marr BE-ja, nëse kemi përgjigje negative do të kthehem në Athinë. Këtu nuk jetohet”.
Autoritetet shëndetësore në Idomeni thonë se shiu që vijon po përkeqëson gjithnjë e më shumë situatën. Të paktën një vajzë e vogël siriane është diagnostifikuar me hepatit A, për shkak të mungesës së ujit të pastër dhe higjienës sanitare.
“Nuk kemi as ushqim e as ujë për pije të mjaftueshme. Hapeni kufirin, a nuk e shikoni se si po jetojmë këtu”.
Aktualisht në Idomeni janë të bllokuar afro 12.000 emigrantë, ndërkohë që numri i përgjithshëm i azil-kërkuesve që ndodhen në të gjithë Greqinë është afro 44.000. Situata duket se po shkon drejt përkeqësimit në kushtet kur vendet ballkanike kanë mbyllur kufijtë dhe kur qindra emigrantë vijojnë të mbërrijnë çdo ditë në ishujt grekë si dhe në portin e Pireut.