Njohësit e çështjeve juridike dhe përfaqësuesit e mediave në Maqedoni, kanë përshëndetur rekomandimet e Komisionit të Venecias për publikimin e bisedave të përgjuara, duke theksuar se kjo do të ndihmojë në demokratizimin e vendit, me atë që të gjithë ata të cilët kanë keqpërdorë pozitat udhëheqëse do t’i nënshtrohen gjyqit të popullit duke Iarguar ata nga skena politike.
Ndryshe Komisioni i Venecias ka rekomanduar ndryshime në Ligjin për privatësinë, gjegjësisht të lejohet publikimi i bisedave të përgjuara që opozita i ka dorëzuar Prokurorisë Speciale Publike.
Në bazë të zgjidhjeve ligjore që i rekomandon Komisioni i Venecias do të duhej të kufizohej vetëm zbulimi i materialeve të natyrës intime si dhe ato që kanë të bëjnë me jetën private dhe atë familjare.
“Ligji për mbrojtjen e privatësisë duhet të lejojë publikimin e çdo materiali që e prekë interesin publik, me disa përjashtime ngushtë të përcaktuara në lidhje me zbulimin publik të informacioneve të aspekteve intime të jetës private dhe familjare”, thuhet në këtë ligj.
Mirjana Najcevska aktiviste për të drejtat e njeriut thotë për REL se publikimi i bisedave të përgjuara në bazë të cilave pretendohet se një numër i madh i zyrtarëve të shtetit, janë të përfshirë në aferat korruptive, e të cilat është duke i hetuar edhe Prokurorja Speciale e Maqedonisë, do të ndihmojë në demokratizimin e institucioneve të shtetit të cilat mbahen peng nga struktura të caktuara të partive në pushtet.
“Publikimi i bisedave të përgjuara do të ndihmojë shumë në ndërtimin e demokracisë në Maqedoni, përkatësisht do të jep një mesazh se të gjitha veprimet e bartësve të funksioneve shtetërore, janë nën thjerrëzën e qytetarëve dhe se nuk mund të mbetet pa ndëshkuar askush që është i përfshirë në krim apo ka keqpërdorë detyrën zyrtare”.
“Do të thotë, informimi i drejtë i qytetarëve, qasja në veprime të caktuara të udhëheqësve shtetërorë do të ndihmojë shumë në atë drejtim që opinioni publik të krijojë një pasqyre të qartë për atë se si e udhëheqin shtetin ata që kanë marrë mandatin”, thekson Mirjana Najcevska.
Por, Bashkim Selmani, ish gjykatës thotë se bisedat e përgjuara duhet të bëhen publike, por vetëm pasi të kenë përfunduar proceset gjyqësore, dhe personat të cilët përmenden në bisedat e përgjuara që pretendohet se janë të përfshirë në krim të jenë shpallur fajtorë nga ana e gjykatës.
“Bisedat e përgjuara nuk mund të publikohen pa u gjetur fajtorët, ata duhet të dalin para drejtësisë, të marrin përgjegjësi penale, dhe pastaj këto biseda mund të bëhen publike për personat e dëmtuar dhe jo për të gjithë”, thekson Selmani.
Përderisa Isen Saliu, redaktor i së përditshme “Lajm”, thotë se rekomandimi i dhënë nga Komisioni i Venecias është shumë i qëlluar në kushte ku institucionet e shtetit, përkatësisht sistemi gjyqësor, sipas tij është i politizuar.
“Kemi parasysh se qytetarët në Maqedoni kanë humbur besimin në vendimet e gjykatave prandaj do të ishte mirë që skandalet dhe aferat të cilat i përmbajnë incizimet me bisedat e përgjuara të dalin para gjyqit të popullit, dhe populli të vlerësojë se a ia vlen të dënohen ose jo personat e përfshirë në aferat e ndryshme për të cilat flitet në incizime”.
Autoritet zyrtare edhe pse kanë kaluar tanimë disa ditë nga rekomandimet e Komisionit të Venecias, akoma nuk janë prononcuar rreth asaj se janë pro ose kundër rekomandimeve të këtij organi i cili si pjesë e Këshillit të Evropës, merret me çështje juridiko-kushtetuese dhe jep mendim për cilësinë e ligjeve.
Rekomandimet e Komisionit të Venecias vijnë pas një varg takimesh qe kanë realizuar ekspertët e këtij organi me zyrtarë të vendit pas miratimit të ligjit që pengon publikimin e bisedave të përgjuara, si pjesë e marrëveshjes politike ë njohur si marrëveshja e Përzhinos, e cila u arrit mes katër partive politike kryesore në Maqedoni për t`i dhënë fund krizës politike në vend.