Letra e Sulltanit Abdulahimidi i II-të ku shpjegon shkakun e rrëzimit të tij nga posti

Me Emrin e Allahut të Gjithëmëshirshmit Mëshirbërsit dhe Atij i kërkojmë ndihmë

Lavdërimi i përket Allahut Zotit të botëve dhe urimet më të mira dhe bekimet më të plota qofshin për zotërinë tonë Muhamedin i dërguari i Zotit të botëve dhe për familjen dhe gjithë shokët e tij dhe tabiinët deri në Ditën e Gjykimit.

Po e paraqes këtë memorandumin tim te shejh Mahmud Efendi Ebu Shamati, i puth duart e tij të bekuara duke shpresuar lutjet e tij të sinqerta.

Pas kësaj hyrje po i paraqes hirësisë tuaj dhe të tjerëve si puna juaj, njerëzve të shquar dhe me mendje të kthjellët çështjen e rëndësishme të poshtëshënuar, si amanet në përgjegjësi të historisë:
Unë nuk e kam lënë kalifatin islam për ndonjë shkak çfarëdo, por vetëm për shkak të presionit që më bën krerët e shoqërisë Bashkimi e njohur me emrin ”Xhon turk” dhe kërcënimeve të tyre; u detyrova dhe mu imponua lënia e kalifatit.
Xhon turqit vazhdimisht këmbëngulnin dhe këmbëngulnin tek unë që të miratoj themelimin e një atdheu kombëtar për çifutët në tokën e shenjtë të Palestinës. Dhe me gjithë këmbënguljen e tyre unë nuk e pranova në mënyrë të prerë këtë detyrim. Por së fundi më premtuan se do të më jepnin 150 milion sterlina floriri angleze. Dhe përsëri e refuzova këtë detyrim në mënyrë të prerë dhe iu përgjigja me këto fjalë prerazi:
Sikur ju të më jepni gjithë botën me flori, e jo vetëm 150 milion sterlina floriri, nuk kam për të pranuar asnjëherë në mënyrë të prerë këtë detyrimin tuaj. I kam shërbyer fesë Islame dhe umetit Muhamedan për më tepër se tridhjetë vjet, nuk kam për t’i nxirë faqet e myslimanëve të baballarëve dhe gjyshërve të mi sulltanëve dhe kalifëve osman. Prandaj nuk kam për ta pranuar këtë detyrimin tuaj në mënyrë të prerë.

Dhe pas përgjigjes time të prerë ranë dakord që të më hiqnin, dhe më lajmëruan se do të më largonin për në Selanik. E pranova këtë detyrim të fundit. Falënderova Zotin dhe vazhdoj ta falënderoj që unë nuk pranova ta fëlliq shtetin osman dhe botën islame me këtë turp të përhershëm që vinte nga ky detyrim për ngritjen e një shteti çifut në tokën e shenjtë Palestinë. Dhe pas kësaj ndodhi çfarë ndodhi. Ndaj dhe unë i përsëris falënderimet dhe lëvdatat për Allahun e lartësuar dhe besoj se për sa ju paraqita rreth kësaj çështje të rëndësishme është më se e mjaftueshme, dhe me të po e mbyll edhe letrën time.

Ju puth duart tuaja të bekuara dhe jepini selamin tim të gjithë vëllezërve dhe miqve. O mësuesi im i madh! E zgjata së tepërmi, por dëshira që të vija në dijeni hirësinë tuaj dhe xhematin tuaj gjithashtu më shtyu të zgjatem.

Ueselamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu.

Shërbëtori i myslimanëve 22 shtator 1329

Abdul-hamidi biri Abdul-mexhidit

Historia e këtij dokumenti:

Në Revistën El-arabij nr.169 Dhjetor 1972. Në një shkrim të prof. Seid El-afganit ndër të tjera thuhet se Ragib Rida Beu ka qenë drejtori i pallatit mbretëror në kohën e sulltan Abdul-hamidit dhe gjithashtu edhe një nga nxënësit e Ebu Shamatit. Sa herë që vizitonte Stambollin vendosej tek nxënësi i tij drejtor i pallatit. Mesa duket sulltanit që nuk i shpëtonte asgjë rreth çështjeve të eskortës së tij i ka rënë në sy kjo gjë dhe ka pyetur se kush është miku i drejtorit të pallatit të tij dhe kështu është informuar rreth Ebu Shamatit. Më pas ai nga kontaktet me të është tërhequr nga personaliteti i Ebu Shamatit dhe kështu është bërë një nga pjesëtarët e tarikatit shadhili. Kur sulltani u largua nga posti dhe u vendos në pallatin e Selanikut, një nga rojet që e ruanin ishte nxënësi i Ebu Shamatit dhe nëpërmjet tij kryhej edhe në mënyrë të fshehtë korrespondenca mes tij dhe Abdul-hamidit. Ebu Shamati e ka ruajtur të fshehur këtë letër gjatë gjithë kohës që qeverisnin xhon turqit, më pas ai këtë ia ka treguar disa njerëzve të afërm me të dhe pas vdekjes së tij letrën e kanë ruajtur fëmijët e tij. (marrë nga parathënia e Ahmed Ratib Armush të librit: Hukumet El-alem el-hafije, bot. XII, Dar En-nefais v. 2001)

Vërejtje: Materiali është përkthyer nga arabishtja dhe jo nga osmanllishtja, ndaj çdo kush që e njeh këtë gjuhë apo turqishten do të ishte i mirëpritur të bënte korrigjimet e gabimeve të mundshme që ndodhin në përkthimin nga një gjuhë e dytë. Viti i përdorur këtu nga sulltani nuk është hënor hixhri por diellor hixhri. Po ashtu doja të vija në dukje se në këtë dokument vihen re disa shprehje sufiste të gabuara, por që ndoshta nuk është vendi këtu të bëhet ndonjë sqarim për to.

Justinan Topulli
jtopulli.wp

Edituar nga kohaislame.com

Artikulli paraprakÇfarë mësohet e ç’duhet mësuar (III)
Artikulli vijuesRuhuni nga shala…e biçikletës