Kryeministri Ahmet Davutoğlu, tha se të jesh kryeministër i Republikës së Turqisë, të kesh përgjegjësi mbi 78 milion qytetarë, është dhurata më e madhe që mund t’i jepet njeriut gjatë jetës së tij, raporton Anadolu Agency (AA).
Fotografitë e “pritjes së lamtumirës” që i ofroi kryeministri Davutoğlu për ekipin e tij të punës në Rezidencën Çankaya, u publikuan në media.
Duke i pritur mysafirët së bashku me bashkëshorten Sare Davutoğlu, kryeministri u përshëndet dhe u fotografua me të gjithë një nga një. Davutoğlu falënderoi të gjithë dhe theksoi se së bashku kanë përjetuar bashkësi familjare, gëzime dhe dashuri.
Ai u shpreh se “Detyrat e këtilla, janë detyra që bëhen me nder. Të jesh kryeministër i Republikës së Turqisë, të kesh përgjegjësi mbi 78 milion qytetarë, është dhurata më e madhe që mund t’i jepet njeriut gjatë jetës së tij. E falënderoj Zotin. Ndihem krenarë që kam pasur përgjegjësi ndaj një populli të tillë dhe që kam punuar si milingonë për të qenë i denjë.”
Duke theksuar se çdonjërin veç e veç nga ekipi i afërt i punës e konsideron si anëtar të familjes, kryeministri Davutoğlu iu drejtua mysafirëve me fjalët:
“Nuk ju kemi ndarë nga fëmijët, vëllezërit dhe miqtë tanë. Ju jeni ata që na jepni ilaçet në sëmundje, punëtorët tanë që u përpoqën t’i lehtësojnë detyrat tona, shokët tanë që vrapuan në mënyrë që protokolli të jetë në mënyrën më të mirë të mundur, Ramazi i cili e theu krahun, apo kameramani i cili lagej nga djersët, Vural, Hakan… Disa nga ekipi i punës nuk i panë bashkëshortët fare, kishte prej tyre që qëndruan larg shtëpisë periudha të gjata. Pikësëpari kërkoj ndjesë nga bashkëshortët, sepse ata sakrifikuan edhe pse nuk e kishin për detyrim. E veçanërisht i falënderoj ata që punuan me ne për kryerjen e detyrave. Zoti mundësoftë që t’i vazhdoni shërbimet tuaja në çdo sferë të shtetit. Dijeni se gjithmonë do të jemi një familje, e edhe pas kësaj, do të jemi së bashku në çdo rrethanë.”
Ndërkaq, fjalim mbajti edhe Sare Davutoğlu, e cila i falënderoi mysafirët dhe shprehu mirënjohje për miqësinë dhe shërbimet e atyre që i kanë mbështetur në punë.
Pas pritjes, kryeministri Davutoğlu dhe bashkëshortja Sare Davutoğlu u fotografuan kolektivisht dhe bënë selfi.