Lëvizja “Vetëvendosje” ka paralajmëruar një “ofensivë” të re për të mos lejuar miratimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi dhe asaj të Asociacionit me Serbinë. Ky subjekt politik nuk ka organizuar protesta që nga 17 shkurti i këtij viti
Subjekti më i madh politik opozitar, Lëvizja “Vetëvendosje”, paralajmëron një “ofensivë” të re në ditët në vijim, për t’i kundërshtuar marrëveshjet për Asociacionin me Serbinë dhe Demarkacionin me Malin e Zi, shkruan sot gazeta “Zeri”.
Në pjesën e parë të qershorit pritet ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës, me ç’rast deputetët e këtij subjekti politik pritet të kthehen në legjislativ për ta kundërshtuar këtë Marrëveshje, e cila, sipas tyre, i humb vendit mijëra hektarë tokë. Marrëveshja për Demarkacionin po kundërshtohet edhe nga dy partitë tjera opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe “Nisma për Kosovën”, pavarësisht përçarjeve mes vete. /Zëri/