Autoritetet në Prishtinë thonë se sundimi i ligjit dhe rendit në Kosovë do të vazhdojë të mbetet një prej sfidave më të mëdha të Kosovës, edhe pas procesit të liberalizimit të vizave. Ata thonë se e kanë ngritur nivelin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në Qeverinë e Kosovës thonë se sundimi i ligjit është përparësi e punës po aq sa edhe sfidë e madhe për gjithë shoqërinë. Ramadan Ilazi, zëvendësministër i Integrimit Evropian, tha për Radion Evropa e Lirë se institucionet kompetente për luftimin e korrupsionit nuk do të ndalen asnjëherë për të luftuar korrupsionin.
“Ta theksojmë që sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do jetë një sfidë që do të na përcjellë për një kohë të gjatë dhe në këtë aspekt nuk do të jetë vetëm në kuadër të liberalizmit të vizave hapësira ku Bashkimi Evropian do të gjykojë dhe vlerësojë arritjet tona ,në kuadër të kësaj fushe”, tha Ilazi.
Një numër operacionesh të mekanizmave të sigurisë në Kosovë, qofshin vendorë por edhe ndërkombëtarë, janë zhvilluar për të parandaluar veprimet korruptive, por edhe ato të krimit të organizuar. Që prej vitit 2009, misioni i EULEX-it në Kosovë, që ka mandat ekzekutiv në fushat e krimit të rëndë, ka nisur një numër procesesh ndaj zyrtarëve të lartë të Kosovës, ndërkohë që pak javë më parë Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për 6 persona për krim të organizuar, ndër të cilët, si i dyshuar kryesor është ish- deputeti i Kuvendit të Kosovës, Azem Syla, përndryshe edhe ish- komandant i UÇK-së.
Drejtuesit e Këshillit Gjyqësor të Kosovës thonë se Gjykatat në gjithë vendit janë duke punuar pa ndërprerë në procedimin e lëndëve që kanë të bëjnë më korrupsionin dhe krimin e organizuar. Thellimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është një nga kriteret e kërkuara nga Komisioni Evropian për liberalizim të vizave për qytetarët e vendit.
Nehat Idrizi, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, tha se duke pasë për bazë dëmin që i shkaktohet vendit nga korrupsioni, gjykatat me prioritet të lartë janë duke punuar në ketë drejtim.
“Të gjitha lëndët e natyrës korruptive që janë futur në punë, për to caktohen seancat dhe asnjë lëndë nuk mbetet e pa caktuar. Dhe, nga informata që kemi, të gjitha lëndët janë në punë. Kemi paraparë që këto lëndë të kenë prioritet në raport me lëndët e tjera”, tha Idrizi.
Mungesa e rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë është e ndërlidhur me ndërhyrjet politike dhe neglizhencën e sistemit të drejtësisë, thonë përfaqësuesit e organizatave joqeveritare që monitorojnë punën e sistemit të drejtësisë.
Betim Musliu, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, tha për Radion Evropa e Lirë se ngritja e aktakuzave nuk është tregues se korrupsioni po luftohet ashtu siç do të duhej. Sipas tij, kohëve të fundit vërehen disa veprime të Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, për arrestimin e disa personave, por, siç thotë Musliu, këto veprime janë vetëm sa për të bërë ‘spektakël’ se sa luftë të vërtetë kundër korrupsionit.
“Besoj se këto rezultate që janë lidhur me raste të mëdha, si rasti i Azem Sylës, apo rasti i ngritjes së aktakuzës së Ukë Rugovës, janë raste të cilat besoj më shumë flasin për një nevojë të rezultateve të EULEX-it për t’i zgjatur mandatin [këtij misioni] se sa për kriteret që ndërlidhën më liberalizmin e vizave”, theksoi Musliu.
Institucionet e Kosovës përsërisin në vazhdimësi se lufta kundër korrupsionit është prioritet, mirëpo, siç thuhet, “lufta ka qenë e padukshme”. Musliu mendon se prokurorët dhe gjykatat e Kosovës nuk po arrijnë të tregojnë rezultate në luftën kundër korrupsionit.
“Sa i përket institucioneve vendore, ato vazhdojnë të mbesin në gjumë, sepse ka raste aty këtu ku veprohet, por veprohet vetëm në suaza të atyre ‘spektakleve’ që jemi mësuar deri tash t’i shohim”, u shpreh Musliu.
Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta politike në Kosovë është konsideruar si një nga sfidat më të mëdha për organet e rendit, por për këtë duhet një reformë e thellë e sistemit të drejtësisë.
Zyrtarë ndërkombëtarë thonë se zbatimi i ligjit, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, brenda dhe jashtë sistemit të drejtësisë në Kosovë, është rruga e vetme për të sjellë mirëqenie për qytetarët e këtij vendi. Ata thonë se luftimi i këtyre dukurive do t’i hapte rrugë Kosovës dhe do të përshpejtonte integrimin në Bashkimit Evropian.
Komsioneri i BE-së për Çështje të Brendshme dhe Migracion, Dimitris Avramopoulos, i ka thënë më herët në një intervistë Radios Evropa e Lirë se deri në miratimin e plotë të propozimit për heqjen e vizave, Kosova duhet të ratifikojë marrëveshjen me Malin e Zi për demarkacion dhe të shtojë efikasitetin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.