Pse kosovarët kanë “dashuri” të madhe për Erdoganin?

Mbrëmjen e së premtes Turqia u përballë me një kaos të madh. Fillimisht nuk dihej se çfarë po ndodhte. Krejt ajo që u pa, ishte mbyllja e dy urave që pasoi më pas me fluturimin e helikopterëve ushtarak dhe dëgjimin e të shtënave.

U tha se bëhej fjalë për një grusht shtet, qëllimi i së cilës ishte rrëzimi i qeverisë turke, konkretisht, të rrezohej nga pushteti presidenti turk, Recep Tayiip Erdogan për siç u tha rregull demokratik dhe për mbrojtje të lirive civile.

Kështu filloi puçi i asaj nate, ku një pjesë e ushtrisë mori kontrollin e pothuajse gjithë vendit kundër Erdoganit dhe politikave të tij.

Gjithçka shkoi si mos më keq. Të shtëna gjithandej të cilat për pasojë lanë të vdekur jo më pak se 265 persona përfshirë ushtarë e civilë. Vendndodhja e presidentit deri vonë nuk dihej, derisa ai u paraqit publikisht përmes telefonit duke kërkuar nga qytetarët që të dalin në rrugë dhe ta përkrahnin atë. Dhe kështu ndodhi, shumë njerëz i dolën në mbështetje presidentit ndërsa ata që e filluan puçin dështuan duke përfunduar të gjithë të arrestuar.

Për këtë organizim, Erdogan tha se të gjithë që morën pjesë do të paguanin çmim shumë të lartë për siç tha ai, tradhti ndaj shtetit.

Kjo situatë nuk shpëtoi pa rënë në sy edhe në shtetin e Kosovës. Ajo që u vërejtë nga e gjithë kjo, ishte mbështetja tejet e madhe pro liderit të Turqisë, pra presidentit turk, Erdogan, transmeton lajmi.net.

E gjitha nisi përmes komenteve nëpër rrjetet sociale, ku ishin të paktë në numër ata që e kritikonin liderin turk. Por pse kjo dashuri kaq e madhe ndaj të parit të shtetit të Turqisë?

Pavarësisht se për këtë çështje i madh e i vogël e dha mendimin duke shkruar nëpër mediat sociale, nuk është se të njëjtën praktikë pranuan ta zbatojnë edhe për media.

Por, e vetmja që pranoi ta diskutojë me lajmi.net për këtë lidhje të afërt të kosovarëve me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan ishte nënkryetarja e Partisë së Drejtësisë, Labinotë Demi-Murtezi.

Qëndrimi i tyre për puçin në Turqi u bë i ditur po atë natë, ku ky subjekt ishte pro Erdoganit dhe kundër grusht-shtetit.

Labinotë Demi-Murtezi në një prononcim për lajmi.net duke folur për “dashurinë” e madhe të shumë kosovarëve ndaj Erdoganit, tha se i njëjti ka bërë shumë ndryshime në Turqi, dhe me këtë siç shpjegoi ajo, kosovarët presidentin turk e marrin si model që të tillë liderë të kenë edhe në Kosovë.

“Shumë njerëz që e kanë vizituar Turqinë para se të vijë Erdogani në pushtet dhe pasi ka ardh ai, në Stamboll fillimisht dhe më pas në gjithë vendin vërehet një ndryshim i madh. Duke dashur që secili të ketë ndryshime të tilla në vendin e vet mendoj se edhe erdoganin e shohin si një lider model, ai ka bërë ndryshime konkrete, ndryshime që shihen”, tha ajo.

Si parti politike, ajo vlerësoi se janë kundër çdo grusht shteti kudo që ndodh ngase sipas saj, nuk është në rregull që një vend demokratik të tentohet të përmbyset pra hierarkia apo udhëheqësia e vendit.

“Ndërkaq përse ka një dashuri të veçantë ndaj qeverisë turke apo Erdoganit, mund të themi që populli i Kosovës sidomos në periudhën e pasluftës ka raport shumë të mira me shtetin e Turqisë.

Turqia ka ndihmuar edhe në shëndetësi dhe në arsim, ka kontribuar në vazhdimësi edhe me ushtri edhe në gjithçka tjetër. Element tjetër mund të jetë edhe vetë prezenca e komunitetit turk në Kosovë që është më i shprehur në Prizren por është i shprehur edhe në Prishtinë e po ashtu edhe në Gjilan prej qytetit nga vijë unë”, tha ajo ndër tjerash.

Nënkryetarja e PD-së theksoi se raportet e mira me shtetin turke dhe prezenca e komunitetit turk në Kosovë janë prej elementëve bazë që siç sqaron ajo, qytetarët e Kosovës merren në masë të madhe me këtë çështje dhe i kanë dhënë një mbështetje të fuqishme qeverisë turke, qoftë me postime përkrahëse nëpërmjet Facebook

Madje më gjithë atë çfarë ndodhi atë natë, Demi-Murtezi tha se I kanë penguar deklaratat e njerëzve publik ku këta të fundit u kanë kërkuar atyre që gjenden në pushime në Turqi që t’iu bashkohen ushtrisë që filloi puçin.

“Ne mund të jemi neutral, s’kemi përse të jemi as shumë pro as kundër diçkaje, por t’i ftosh qytetarët që janë në pushime në Turqi që t’i bashkohen ushtrisë turke, kjo nuk më ka pëlqyer aspak. Bile bile këto postime madje po marrin kahje tjetër”, përfundoi ajo për lajmi.net.

Vlen të theksohet se Kosova dhe Turqia deri më tani kanë të nënshkruar mbi 40 marrëveshje dhe memorandume të mirëkuptimit. Ky shtet deri me tash ka investuar në shumë sfera të ndryshme. Turqia e njohu pavarësinë e Kosovës më 18 shkurt, një ditë pas shpalljes së saj.

Artikulli paraprakPetrov këmbëngul për vendosjen e kryqit në Butel
Artikulli vijuesJa deklarimi i ushtarakut që tentoi ta vriste Erdoganin bashkë me familje në hotel