Seanca për 29 shqiptarët e akuzuar për terrorizëm nga ngjarjet e 9 dhe 10 majit në ‘Lagjen e Trimave’ në Kumanovë, nuk ka vazhduar pasi njëri prej të akuzuarve është rrahur nga forcat e sigurisë maqedonase.
Burime të “Indeksonline” mësojnë se njëri prej të akuzuarve është rrahur sot brutalisht nga policia në bodrumin e Gjykatës, ndërsa ende nuk dihet arsyeja e këtij veprimi.
“Mjekët janë duke e bërë ekzaminimin e personit të rrahur. Nuk dihet nëse do të vazhdojë apo jo seanca”, ka thënë njëri prej avokatëve të grupit “Kumanova”.
Ndryshe, Indeksonline ka raportuar dje se që nga 9 dhe 10 maji i vitit të kaluar, është raportuar në media për keqtrajtimin e të arrestuarve nga “Grupi i Kumanovës”.
Këtë po vazhdon ta pohojë avokati i 12-të arrestuarve nga ky grup, Naser Raufi.
Raufi ka thënë që qysh nga arrestimi i pjesëtarëve të “Grupit të Kumanovës”, nuk janë ndalur keqtrajtimet nga njësia speciale drejt të burgosurve.
Rasti i fundit, thotë ai, është Sevdi Miftari, nga Kumanova, të cilit i janë thyer këmbët. Ndërsa, thotë se mjeku i burgut vazhdon ta mohojë faktin që ka keqtrajtime të të arrestuarve.
“Është i fundit që i janë thyer këmbët, Sevdi Miftarit nga Çerkizi i Kumanovës. E vizitova te burgu dhe i ishin të lënduara të dy këmbët, prej njësisë speciale. Mjeku i burgut nuk e konstaton lëndimin ani pse është e qartë që është lëndim”, thotë Raufi për Indeksonline.