Melaika, “engjëlli” i Alepos: devotshmëria e një infermiereje për fëmijët nën tmerrin e një lufte

Melaika, një infermiere 29-vjeçare, mban në dorë Aliun, një foshnje vetëm 2-ditëshe, teksa po lufton me vdekjen. I ardhur në jetë në Alepo, në një nga qytetet më të goditura nga lufta civile pesë-vjeçare në Siri, Aliu ka lindur me probleme në gjoks, që e detyruan atë të jetë i lidhur për një pompë oksigjeni dhe një inkubatori, në njësinë neonatale të Spitalit të Fëmijëve të qytetit. Ky spital menaxhohet nga Shoqata e Mjekëve të Pavarur, një OJQ e cila ofron shërbime mjekësore në Alepo.

Me datën 23 korrik, në ora 13:20, forcat qeveritare qëlluan direkt mbi këtë spital fëmijësh. Pluhuri dhe inertet mbushën dhomën në të cilën ndodheshin 11 foshnje në inkubator.

160812173004-03-aleppo-nurse-malika-medium-plus-169

Disa orë më vonë, pason edhe një goditje nga ajri. Stafi i spitalit nxitoi për të shpëtuar të posalindurit dhe për t’i vendosur ata në një vend më të sigurt në bodrum, por Aliu, tashmë i dobët, humb furnizmin me oksigjen. Melaika dhe mjeku kryejnë reanimimin emergjent mbi trupin e brishtë të të voglit, por pa sukses. Aliu ende lufton për të qëndruar në jetë, nën përkujdesjen e Melaikes që e mban atë ndër duar.

Tri foshnje tjera vdiqën nga thithja e pluhurit gjatë sulmeve.

“Po qaja. Ishte shumë e dhimbshme. Ishte e qëllimshme. Ishte krim lufte”.  ”, thotë Melaika.

160811110447-aleppo-nurse-hospital-medium-plus-169

Këto ishin vetë dy ditë të tmerrshme në jetën e saj të mbushur përplot me ditë të ngjashme si këto.

Melaika nuk shkon më në shtëpi pas orarit të punës. Shtëpia nuk ekziston më. Ajo është shkatërruar gjatë një prej sulmeve ajrore të panumërta, andaj dhe ajo fle në spital. Gjithë familja e saj e madhe jeton në Turqi, ndërsa vetëm ajo ka mbetur atje.

Burri i saj e divorcoi atë, dhe i mori dy vajzat e tyre në Marea, një qytet në veri të Alepos. Ai është mbështetës i presidentit Bashar al-Assad. Ai ishte i zemëruar, pse ajo si infermiere, po kujdesej për luftëtarët kryengritës.

Melaika është pjesë e stafit të pakët mjekësor që akoma ka mbetur në qytetin e rrethuar të Alepos. Janë vetëm 35 syresh të cilët përkujdesen për 350,000 banorët që kanë mbetur atje.

Të shtunën, kryengritësit shpërthyen rrethimin e Alepos, duke mposhtur forcat e regjimit dhe duke depërtuar nëpër bllokadën kryesore.

Melaika iu bashkangjit dhjetëra njerëzve të cilët vërshuan nëpër rrugët e qytetit për të festuar. Pasoi edhe një sulm ajror.

Ajo u godit nga predhat dhe u dërgua në spital së bashku me dy të lënduar tjerë, njëri prej tyre një fëmijë 6-vjeçar.

Melaika iu nënshtrua një operacioni për të hequr pjesët e predhës dhe u kthye në punë menjëherë të nesërmen, aty, në spitalin e fëmijëve.

“Unë e di sa është e rrezikshme të jetosh dhe punosh këtu”, thotë ajo. “Por unë dëshiroj të vdes këtu. E dua vendin tim dhe nuk dua ta lë atë për asnjë çmim”.

Në gjuhën arabe, Melaika do të thotë engjëll.

Përgatiti: Alba Skëndaj – /tesheshi.com/

Artikulli paraprakHoxhallarët duhet t’u dalin në krah femrave muslimane
Artikulli vijuesSkandal: Organizata “Shqiptari” nga Prishtina: Kërkojmë dënimin publik për pantallona-shkurtrit, mjekroshët dhe femrat me ferexhe!