3 Llojet e magjisë

Lloji i parë: Magjia reale. Magjia konsiderohet reale kur jep efekt dhe nuk është thjeshtë një iluzion a një mashtrim. Për realizimi e një magjie të tillë magjistari bashkvepron dhe bashkpunon me shpirtrat e këqinj (xhindët). Pas yshtjes, lidhjes së magjisë, shërbëtori i magjisë (xhindi) ndikon në trupin e të yshturit, ose vendoset brenda trupit të tij. Pra, vetëm përmes xhindit magjistari arrin ta yshtë realisht një njeri dhe nuk ka formë tjetër. Gjithsesi, magjia reale nuk mund të japë efekt veçse me lejen e Allahut. Allahu thotë:

“Por magjistarët nuk mund t’i bëjnë dëm askujt pa lejen e Allahut” [El Bekare: 102].

Në qofte së një person është prekur nga magjia, ai duhet të jetë i vetëdijshëm që e keqja i ka ardhur nga magjistari dhe shejtani, ndërsa Allahu e ka caktuar një gjë të tillë jo si keqbërje, sepse keqbërja nuk është atribut i Allahut, por për njërën nga arsyet e mëposhtme:

– si një sprovë në mënyrë që i yshturi nga magjia të fisnikërohet, sepse sprovat e fisnikërojnë njeriun. Në fakt, jeta dhe vdekja, sëmundja dhe shëndeti, e mira dhe e keqja, gëzimi dhe hidhërimi, lumturia dhe mjerimi, janë krijuar nga Allahu për t’u vënë njeriu në provë se a a do të veprojë mirë apo keq, a do të jetë mirënjohës ndaj Zotit apo jo. Në qoftë se nuk do të ekzistonte e keqja, nuk do të vlerësohej e mira; nëse nuk do të ekzistonte sëmundja, nuk do të njihej shëndeti dhe aq më tepër të vlerësohej si mirësi: nëse nuk do të ekzistonte kjo botë, nuk do të vlerësohej lumturia e botës tjetër (xhenetit), sepse mirësitë i vlerësojën ata që kanë vuajtur dhe jo ata që nuk kanë vuajtur e nuk kanë parë ndonjëherë keq. Sprovat janë të natyrshme në këtë botë, sepse vetëm në këtë mënyrë realizohet qëllimi për të cilin Zoti na ka sjellë në këtë botë, prandaj i mençuri, kur i bie një sprovë, sado e madhe qoftë ajo, bën durim dhe shpreson se Allahu do ta shpëtojë prej saj, ose se do t’ia kompensoje me të mira në këtë botë dhe në botën tjetër. Në fakt, njeriu përbëhet nga shpirti dhe trupi, kështuqë ai që beson në botën shpirtërore, arrin të kuptojë se përse ekziston e keqja dhe përse ndodhin sprovat dhe ai gjen kurajon për ti kaluar sprovat me sukses derisa të kaloja nga kjo botë në botën tjetër. Madja besimtari në jetën shpirtërore dhe në jetën fizike, në jetën e kësaj botë dhe në jetën tjetër, mrekullohet duke medituar mbi faktin se të gjitha gjërat, përfshi edhe sprovat, ndodhim me qëllime të larta dhe në përputhje me ligjësitë që i ka vënë Allahu. Ndërsa, materialisti, ai që njeh dhe beson vetëm anën materiale apo fizike kurrësesi nuk arrin të kuptojë se përse ekzistojën të këqijat dhe vuajtjet, përse ekzistojnë spovat. Një njeri me mentalitet materialist, nuk mund të arrijë të shpjegojë fenomene të tilla, ngaqë ai nuk beson shpirtin dhe as botën tjetër. Pikërisht, njerëz me mentalitet të tillë shtrojnë pyetje të tilla si përse ka varfëri, përse ka sëmundje, përse ka njerëz të varfër etj. Është e pamundur të japësh një shpjegim racional për gjëra të tilla pa besuar në Allahun, në faktin që njeriu përbëhet nga shpirti dhe trupi dhe në botën tjetër.

– që njeriu të marrë vesh se cili është armiku i tij dhe të bëjë kujdes e të ruhet prej tij. Të mos bjerë në kthetrat e shejtanit duke vepruar gjëra që e bëjnë të pambrojtur ndja agresionit të tij.

– Që njeriu të zgjohet dhe të heqë dorë nga gjynahet, pasi shumë njerëz nuk i vlerësojnë mirësitë veçse pas sprovave dhe vuajtjeve, nuk i përkushtohen Allahut veçse pas sprovave. Në qoftë se sprova bën që njeriu të zgjohet, dhe të lidhë zemrën me Allahun, ajo ka sjellë një përfundim të mirë për të.

– Që njeriu të marrë si në këtë botë edhe në botën tjetër shpërblimin e madh të durimit gjatë sëmundjes dhe të falënderimit të Zotit pas shërimit prej saj.

– Si ndëshkim ndaj atyre që janë mosmirënjohës ndaj Allahut, që i kundërvihen Zotit për sprovat që u bien, që humbin durimin, që janë të pabindur, shpirtëligj, të padrejtë e të pandreqshëm. Ka edhe shumë arsye të tjera të cilat mund t’i përmendim në një material tjetër.

Siç u tha më sipër, kjo lloj magjie realizohet vetëm me anë të botës së xhindëve. Në këtë lloj hyn edhe magjia e hajmalive, në të cilat shkruhen shkronja, numra dhe vija të mistershme që simbolizojnë kërkimin e ndihmës nga yjet dhe planetet, si dhe lëvizjet, vendodhjet dhe vetitë e tyre, dhe që sipas magjistarëve bëjnë lidhjen e anës shpirtërore të trupave qiellorë me objektet tokësore. Atëherë, sipas magjistarëve magjia e hajmalive, ku shënohen simbole të ndryshme e të pakuptueshme realizohet duke hyjnizuar yjet dhe duke kërkuar ndihmën e tyre, por në fakt edhe në këtë rast magjia realizohet nëpërmjet botës së xhindëve, sepse trupat qiellorë nuk kanë kurrëfarë ndikimi të tillë. Trupat qiellorë janë krijesa të Allahut. Ata lëvizin sipas ligjësive të vëna nga Allahu dhe nuk japin efekte të tilla si jetë, vdekje, sëmundje, shëndet, mjerim, lumturi etj. Simbolet dhe shenjat e mistershme nëpër hajmali janë vënë me urdhërin e shejtanit, ose veprimin e tij dhe shërbejnë për thirrjen e shejtanit dhe kërkimin e ndihmës së tij. Magjistarët ua atribuojnë këto gjëra yjeve e planeteve për të maskuar devijimin, mosbesimin e blasfeminë e tyre, si dhe për të mashtruar njerëzit.

Lloji i dytë: Magjia që ka të bëjë me imagjinatën e njeriut dhe që realizohet përmes ndikimit në imagjinatën e tij, ose përmes magjepsjes së syve të tij. Në këtë rast magjistari me ndihmën e shejtanit të mallkuar arrin të ndikojë në imagjinatën e një tjetri, në mënyrë që ky i fundit t’i përfytyrojë gjërat jo siç janë realisht, ose me ndihmën e shejtanit arrin të magjepsë sytë e një tjetri, në mënyrë që t’i duken gjërat jo në formën e tyre reale. Kështu, magjistari mbasi përfytyron vetë diçka jo reale, me ndihmën e xhindit e kalon në imagjinatën e një tjetri. Për shembull magjistari mund ta bëjë ndonjërin që t’i duket një objekt jo në formën e tij reale. Ai gjithashtu përmes magjisë që realizohet me ndihmën e xhindëve mund të ndikojë në imagjinatën e një bashkëshorti, ose mund t’i magjepsë atij sytë, në mënyrë që t’i duket bashkëshorti tjetër i shëmtuar, ose i bukur. E këtillë ka qenë edhe magjia që bënë magjistarët në praninë e Musait a.s. Zoti në Kuranë thotë: “Dhe ja tek i dukeshin atij litarët dhe shkopinjtë e tyre se po rendnin vërtet, për shkak të magjisë së tyre” [Taha: 66]. Ndonjëherë magjistari mund të ndikojë tek shikuesi dhe ndjesia e tij në mënyrë që diçka t’i duket jo siç është realisht dhe ndonjëherë mund të thërrasë xhindët për të vepruar në objektin e shikuar për të bërë të duket jo në formën e tij reale. Nga sa më sipër del se ky lloj magjie ka ndikim, por vetëm në imagjinatën e njeriut ose në shfytyrimin e përkohshëm të një sendi.

Lloji i tretë: Magjia joreale. Ky lloj ka të bëjë me njohjen e disa formulave kimike që nuk i njohin të tjerët, sidomos për njerëzit e mesjetës, si dhe me shfaqje shkathtësie, mjeshtërie dhe zotësie për mashtrim ose për krijimin e përshtypjeve të gabuara tek mendjelehtët. Zakonisht, në kohën tonë këto gjëra i bëjën iluzionistët e cirkut dhe sharlatanët, badakçijtë e mashtruesit. Në fakt, për një kategori të tillë fjala ‘magji’ është përdorur në mënyrë të figurshme, ngaqë njerëzve u duket se iluzionisti bën diçka të çuditshme dhe të jashtzakonshme. Atëherë, ata që ushtrojnë këtë lloj magjie nuk kanë lidhje me xhindët, por thjeshtë përdorin disa marifete, ose lëvizin dorën me shkathtësi, ose njohin disa formula kimike a disa ligjësi tw gjithwsisw që nuk i njeh masa e njerëzve. Për shembull:

– Hilja e nxjerrjes së tymit nga trupi i njeriut. Lënda që gjendet në dy anët e kutisë së shkrepses, nëse do të digjet në një metal me rrafsh të limuar, tymi që del prej saj infiltron mbi rrafshin e metalit të limuar në formën e një lënde ngjyrëkafe. Ky tym ka një veti të tillë që sapo kontakton me një rrafsh të lagët, shdërrohet përsëri në tym. Kështu, sharlatani e merr këtë lëndë, e djeg dhe mbasi shdërohet në tym i ngurtë në fomën e një lënde ngjyrëkafe, e fshin me rrafshin e dorës së vet në mënyrë që lënda të mbetet në të, por duke bërë kujdes që dora të jetë e thatë. Pas kësaj, nëse i vjen dikush dhe ankohet se ka një sëmundje të caktuar, ose thotë se jam i magjepsur, mashtruesi në fjalë merr një gotë uji, lexon e fryn në të, qoftë edhe disa ajete Kurani, për mashtrim, pastaj spërkat dorën e personit të sëmurë me këtë ujë dhe me dorën tjetër, jo me dorën ku ka lëndën e ngurtë, pastaj e fërkon dorën e të sëmurit dhe del prej saj tym me dendësi për një farë kohe. Pas këtij skenari, ai i thotë të sëmurit: sëmundja ka dalë prej teje!

– Hilja e ngjalljes së ngordhësirave. Në këtë rast iluzionisti merr një pëllumb dhe ia përdredh kokën me dorë në mënyrë që të duket sikur ka ngordhur, pastaj e hedh mbi njerëzit. Shikuesve u vjen keq nga kjo egërsi. Më pas iluzionisti u kërkon që t’ia japin pëllumbin në mënyrë që ta ngjallë – sipas pretendimit të tij. Kështu, e vë pëllumbin në një letër dhe pastaj godet mbi letër dhe për pasojë pëllumbi ngjallet dhe fluturon drejt spektatorëve, të cilët qëndrojnë në formën e një rrethi. Hilja këtu qëndron në faktin se para se të kapte pëllumbin iluzionisti ka patur në dorë një lëndë narkotike të lëngët. Kështu, ai e kap pëllumbin dhe u krijon shikueve përshtypjen se po i përdredh qafën, por në fakt ai i jep narkozën që ka në dorë. Për pasojë, pëllumbi i humb ndjenjat, ndërsa njerëzit mendojnë se ka ngordhur nga mbytja. Më pas iluzionisti e godet, pëllumbit i del narkoza dhe fluturon. Në një fjalë popullore thuhet: Kur njihet shkaku se si ndodh diçka, mbaron çudia. Një gjë e tillë sot nuk është aspak e çuditshme, pasi kirurgu kryen operacionin ndërkohë që i sëmurë është i shtrirë para tij si i vdekur nga ndikimi i lëndës narkotike. Kush e shikon ndërkohë që mjeku fillon operacionin, do t’i duket si i vdekur.

– Sharlatanizmi duke shfrytëzuar mjeshtërinë për të mashtëruar. Ndër mënyrat e sharlatanizmit gjithashtu janë edhe mjeshtëritë dhe lojërat të cilat i ushtrojnë sharlatanët. Për shembull, ndonjëri prej tyre shfaq sikur ther një njeri. E çuditshme është se ai u tregon shikuesve edhe rrjedhjen e gjakut. Më pas i bie me shkelm dhe ai çohet “i gjallë”. Po të shikojmë me realizëm, do të konstatojmë se kjo nuk është e vërtetë, se po të ishte e vërtetë, i theruri nuk mund të ngjallej, ngaqë ngjallja dhe dhënia e vdekjes i përkasin vetëm Allahut dhe ato ndodhin veçse sipas dëshirës dhe dijes së Tij. Megjithëse ky është besimi i çdo muslimani, ka njerëz me mendësi të dobët dhe me një temperament të tillë që janë të prirur për pranimin e çfarëdolloj iluzioni. Ata besojnë se ky sharlatan i bën këto veprime realisht. Në fakt, veprimi i magjistarit në këtë rast është vetëm një mashtrim. Duke njohur realitetin e këtij veprimi, kuptohet qartë mashtrimi që bën iluzionisti. Sharlatani vendos në fytin e bashkpunëtorit të tij një flluskë lëkure, ngjyra e së cilës është si ngjyra e lëkurës së natyrshme, të mbushur me një lëng që i ngjan gjakut. Pastaj, sjell thikën dhe e kalon mbi flluskë. Flluska çahet dhe rrjedh prej saj lënda e kuqe në ngjyrën e gjakut. Në këto momente shikuesit mendojnë se sharlatani e theri bashkëpunëtorin e tij. Pas kësaj, ai i bie me këmbë dhe bashkëpunëtori çohet.

– Përdorimi i disa lëndëve, vetitë e të cilave i njohin shumë pak njerëz. Fjala vjen, një mashtrues e lyen dorën me një lëndë që ka veti rezistence ndaj djegies, dhe në prani të njerëzve e fut në zjarr, duke i bërë kështu njerëzit të mendojnë se po bën diçka të jashtëzakonshme.

Në fakt, mënyrat e mashtrimit janë të shumta, por këto ishin vetëm disa raste për të ilustruar çështjen në fajlë. Nga sa u tha del se magjia nuk është e gjitha reale, por ka magji reale dhe ka magji joreale, ndonëse rastet e kësaj të fundit janë me të shumta.

SHKEPUTUR NGA LIBRI “SEMUNDJET SHPIRTERORE”
AUTOR ISMAIL BARDHOSHI.

Artikulli paraprakBëhu udhëtar që le gjurmë të mira pas vdekjes tënde
Artikulli vijues5 mënyrat më origjinale që një grua të duket sa më e bukur dhe sa më e hijshme