Erdoğan: “Ne nuk do të lejojmë praninë e asnjë organizate terroriste dhe të asnjë terroristi në këto troje. Ose do të asgjësohen, ose do të dorëzohen ose do të largohen nga këtu”
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në një fjalim të mbajtur në takimin e 28-të me drejtues lokal në rezidencën presidenciale ka deklaruar se “Fatkeqësisht nuk kemi mundur të ruajmë betimin kombëtarë në kufijtë perëndimorë edhe në ato jugorë. Për nga kushtet e periudhës mund të ketë nga ata që e vërejnë, përpiqen ta tregojnë të justifikueshëm këtë situatë.
Kjo qasje është e mundur që deri diku të vërehet si e tillë. Por fatkeqësia e vërtetë është qasja e të bllokuarit plotësisht brenda një guacke duke pranuar plotësisht këtë situatë të shkaktuar nga vështirësitë. Ja pikërisht ne këtë qasje kundërshtojmë. Qëllimi i atyre që kanë bllokuar Turqinë në një cikël shterp që nga 1923 është që të na bëjnë ne të harrojmë praninë tonë njëmijë vjeçare në pozitën tonë gjeografike, të shkuarën tonë të selxhukëve dhe osmanëve”, raporton Anadolu Agency (AA).
Pasi ka theksuar se “Pas kësaj ne nuk do të presim që problemet të na trokasin në derë, nuk do të durojmë deri kur thika të arrijë në palcë, nuk do të pranojmë të zhytemi deri në fyt”, Presidenti Erdoğan ka theksuar më tej se “Tashmë do ti ndjekim problemet tona. A kemi problem me terrorizmin? Nuk do të presim që organizatat terroriste të vijnë e të na sulmojnë. Por do të shkojmë atje ku këto organizata operojnë, ku janë strehuar dhe ti kundërpërgjigjemi. Do ti çrrënjosim të gjithë ata që mbështesin dhe i ofrojnë mundësi organizatës terroriste separatiste. Po e shpreh qartë që të largohen ku të dëshirojnë pa i gjetur ne ata. Në të njëjtën mënyrë edhe në vendet ku janë vendosur jashtë vendit nuk do të gjejnë as edhe një ditë të vetme që të marrin frymë lirshëm”.
“Nuk do të lejojmë praninë e asnjë terroristi në këto troje”
Duke folur për luftën kundër FETO-s Presidenti Erdoğan tha se “Po ndjekim hap pas hapi të gjithë elementët e kësaj bande tradhtare brenda sektorit publik, organizatave të shoqërisë civile, dhe në botën e biznesit. Askush nuk do të mbetet pa marrë përgjigjen e merituar ndaj tradhtive të kryera në këtë vend. Ne nuk do të lejojmë praninë e asnjë organizate terroriste dhe të asnjë terroristi në këto troje. Ose do të asgjësohen, ose do të dorëzohen ose do të largohen nga këtu”.
“Dëshirojnë që Turqia të vëzhgojë ato që ndodhin”
Ndërsa në lidhje me operacionin e Mosulit Erdoğan ka deklaruar “Ata që përpiqen të pengojnë pjesëmarrjen e Turqisë në operacionin e Mosulit janë ata që janë të shqetësuar që ne mos të prishim lojën e tyre në Siri. Ata dëshirojnë që Turqia të qëndrojë në vend, të vërejë ato që ndodhin dhe më pas të paguajë pasojat”.
“Kemi një vijë kufitare 911 km me Sirinë dhe 350 km me Irakun. Ne ndajmë një kufi dhe nuk do të mund të flasim, ndërsa ata që nuk kanë asnjë kufi do të flasin dhe veprojnë si dëshirojnë”, u shpreh Erdoğan. Ai ka shtuar më tej se “Nuk mund të ketë një gjë të tillë. Qëndrim ynë nuk ka asnjë lidhje as me nxitjen e luftës dhe as me shkeljen e sovranitetit të Irakut apo ndonjë qëllim tjetër keqdashës. Ne dëshirojmë të jemi atje ku është e nevojshme të luftojmë për të mbrojtur pavarësinë dhe të ardhmen tonë. Aktualisht ky vend është Mosuli. Kështu që edhe ne do të jemi në Mosul”.
Ndër të tjera në fjalën e tij Presidenti Erdoğan duke iu drejtuar qeverisë së Irakut u shpreh se “A nuk është Turqia ajo që të lehtësoi duke hapur dyert për 300 mijë irakianë? Asnjë nga të tjerët nuk e bënë këtë, por ne po. Prandaj kur të flasësh për Turqinë duhet ta mendosh këtë. Një mik të tillë nuk mund gjeni, kur ti e lëndon këtë mik e humb atë. Për këtë arsye prej disa ditësh unë e kam shprehur se ‘Ne do të jemi të pranishëm edhe në terren edhe në tryezë'”.