Vendimi më i vështirë dhe më i rëndësishëm që duhet të merrni është: “Unë dua të kursej”. Sigurisht, kjo është më e lehtë për t’u thënë sesa për t’u vënë në praktikë. Ne duam t’ju japim disa këshilla praktike për kursime pa u bërë cikërrimtarë, por duke u bërë vigjilent në shpenzimet që bëni.
Planifikoni buxhetin tuaj
Është shumë e qartë se nëse ju shpenzoni më tepër sesa të ardhurat tuaja mujore, ju ose do të filloni të grabisni pak nga pak kursimet tuaja, ose do të hyni në borxhe. Për t’iu shmangur situatave të tilla, është e nevojshme që të planifikoni buxhetin tuaj, madje jo vetëm buxhetin mujor, por edhe buxhetin vjetor.
Përveç shpenzimeve të zakonshme mujore që një familje/shtëpi mund të ketë, janë edhe shpenzimet e tjera të pashmangshme, por që shpesh harrojmë t’i shtojmë në planifikimin tonë vjetor. Dhuratat për raste të festave në familje dhe shoqëri, për festa të ndryshme apo pushimi veror e dimëror janë shpenzime shtesë që na dalin gjatë tërë vitit.
Përcaktoni qëllimin e kursimit tuaj
Në këtë mënyrë ju do të motivoni veten për të kursyer në mënyrë të rregullt. Përcaktoni shumën që dëshironi të kurseni çdo muaj (përshtateni shumën me të ardhurat dhe kostot tuaja mujore). Jini këmbëngulës – pranojini kursimet si detyrimin tuaj mujor.
Përpiquni të planifikoni! Në vend që të kurseni në fund të muajit shumën që ju ka mbetur për muajin në fjalë, kurseni në fillim të çdo muaji. Përcaktoni shumën që dëshironi të hiqni mënjanë, edhe nëse ajo është një shumë e vogël.
Ju mund t’i filloni kursimet tuaja paraprakisht, përderisa vendosni të shkoni në pushimet verore. Do të jetë shumë më e lehtë që çdo muaj t’i hiqni mënjanë një shumë të caktuar, dhe në datën e caktuar, kur ju do të shkoni në pushim, ju tashmë do t’i keni paratë e kursyera.
Njëlloj mund të veproni edhe me kursimet për pushimet dimërore, për dhuratat, apo edhe për shpenzimet shtesë të cilat mund t’ju dalin papritur.
Kurseni deri në masën sa nuk do ta lini veten keq
Kursimet tuaja mund t’i filloni që nga shporta juaj e përditshme.
Mënjanoni rutinën e të bërit pazar vetëm në një dyqan të cilin ju e keni më afër. Bëni krahasimet në dyqane dhe do të vëreni se vetëm në gjërat themelore të kuzhinës ju mund t’i kurseni disa centë apo edhe euro.
Kurrë mos u nisni në dyqan pa e përpiluar një listë me gjërat elementare. Llojllojshmëria e gjësendeve nëpër dyqane mund t’ju hamend dhe ju pa i bërë llogaritë mund të vendosni në shportën tuaj edhe gjëra të cilat mbase nuk ju duhen fare.
Zvogëloni kostot e faturave tuaja
Bëhuni më të kujdesshëm në përdorimin e energjisë elektrike. Me përdorimin më efecientë të energjisë ju përveçse do të zvogëloni koston e faturës suaj mujore, do të kontribuoni edhe në ruajtjen e ambientit. Shfrytëzoni në mënyrë sa më racionale ujin. Shpenzimi enorm i tij do t’ju kushtojë në fund të muajit. Shmangni udhëtimet e shkurtra me makinë. Kështu do të mund t’i kontrolloni më mirë shpenzimet që bëni për karburante./PCB
Iniciativa është mbështetur nga Banka Qendrore e Kosovës.