Rreth 500 mijë protestues janë ngritur në këmbë në Rumani, pavarësisht se qeveria e tërhoqi dekretin që ngjalli zemërimin e tyre.
Qeveria e majtë hoqi dorë nga dekreti që nxorri për të mbrojtur politikanët nga ndjekja penale për korrupsion.
Por protestuesit janë të pakënaqur edhe me versionin e rishikuar që do të dërgohet në parlament.
Thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Sorin Grindeanu po shtohen.
Një turmë e madhe po qëndron prej 6 ditësh në sheshin Viktoria.
Këto ditë Rumania po përballet me protesat më të mëdah që prej rënies së komunizmit në vitin 1989.
Tërheqje strategjike apo dorëzim?
Vendimi për ta shfuqizuar dekretin u konfirmua në një takim urgjent të qeverisë, të dielën në Bukuresht.
Por protestuesit kanë shprehur shqetësime në lidhje me planet e qeverisë për të riformuluar ligjin dhe për të dërguar atë në parlament.
Një parrullë gjigande me lazer ku shkruhej “Nuk dorëzohemi” dhe “Dorëheqje” u shfaq në murin e kryeministrisë, mbi zyrën e kryeministrit.
“Kjo qeveri është e organizuar si mafia, nga niveli më i lartë tek më i ulëti dhe ne nuk e duam këtë”, i tha AFP –së Profira Popo, një nga protestueset, (përkthim i lapsi.al).
Demonstrata e të dielës në Bukuresht ishte planifikuar si kulmi i revoltës.
Qeveria shpresonte se me tërheqjen e dekretit do të rikthehej qetësia në rrugët e vendit, por kjo nuk po ndodh.
Shumë nga protestuesit nuk besojnë se qeveria do ta mbajë fjalën e saj.
Ata kanë frikë se ligji i ri, i premtuar nga kryeministri kur tërhoqi dekretin, mund të përmbajë të njëjtët element, në forma të ndryshme.
Kritikët e panë dekretin si një përpjekje të qeverisë për të lënë jashtë hetimeve për korrupsion shumë zyrtarë të saj të përfshirë në afera korruptive.
Qeveria argumentoi se ndryshimet duheshin për të ulur mbipopullimin në burgje dhe për të harmonisuar disa ligje me kushtetutën.
Një përfitues i menjëhershëm i dekretit do të kishte qenë Liviu Dragnea, lideri i partisë Social Demokrate, i cili përballet me akuzën e mashtrimit të shtetit për një vlerë prej 24 mijë eurosh, (përkthim i lapsi.al).
Dekreti që u miratua fillimisht të martën ishte parashikuar të hynte në fuqi më 10 shkurt.
Gjykata Kushtetuese do të shprehet gjithësesi për dekretin fillestar gjatë kësaj jave. /BBC