Mike Pence është takuar me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Federica Mogherini dhe me Presidentin e Këshillit të BE-së, Donald Tusk
Zv/presidenti amerikan, Mike Pence, ka theksuar se SHBA është e vendosur për të vazhduar bashkëpunimin aktual me Bashkimin Europian dhe se që të dy palët ndajnë të njëjtin qëllim, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëvendësi i presidentit amerikan Donald Trump që ka tërhequr vëmendjen me deklaratat kundër BE-së, Pence, pas marrjes zyrtarisht të detyrës vizitën e parë të tij e ka kryer në Bruksel. Ai në orët e para të mëngjesit është takuar me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Federica Mogherini dhe më pas me Presidentin e Këshillit të BE-së, Donald Tusk.
Pas takimit i cili ka zgjatur afërsisht 45 minuta Tusk dhe Pence kanë bërë disa deklarata për gazetarët, ku Tusk pasi ka shprehur falënderimet ndaj Pence për takimin tha se “Me të vërtetë të gjithë kishim nevojë për këtë.”
Pasi ka vënë në dukje se janë përjetuar shumë gjëra në muajt e fundit edhe në SHBA edhe në BE, Tusk ka theksuar se janë shprehur disa pikëpamje të habitshme në lidhje me marrëdhëniet dhe sigurinë e përbashkët mes dy palëve. Ai ka shtuar më tej se BE-së i takon “të sillet ashtu sikur çdo gjë vazhdon, pa ndryshuar asnjë gjë.”
Zv.presidenti amerikan duke theksuar se kanë realizuar një takim shumë konstruktiv me Tusk tha se “Është një privilegj për mua që sot në emër të presidentit Trump të shpreh vendosmërinë e fortë të SHBA-ve për vazhdimin e partneritetit dhe bashkëpunimit me BE-në.”
“Pavarësisht ndryshimeve tona, dy kontinentet tona ndajnë të njëjtat trashëgimi, vlera dhe para së gjithash nëpërmjet rrugës së lirisë, demokracisë dhe ligjit ndajnë të njëjtin qëllim për të mbështetur paqen dhe mirëqenien. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë lidhur me këto objektiva”, është shprehur Pence.
Pasi ka pohuar se BE-ja ka arritur në situatën e sotme nga një partneritet tregtar, Pence duke tërhequr vëmendjen për vendin dhe rolin e BE-së dhe të SHBA-së në ekonominë botërore, tha se ata janë të lidhur me angazhimet ekonomike.
Ndër të tjera Pence ka theksuar se do të vazhdojnë mbështetjen e tyre aktuale ndaj BE-së kundër kërcënimit të terrorizmit. Ai duke theksuar se dhimbjet që terrori ka shkaktuar tek europianët ndjehet njëjtë në çdo shtëpi në SHBA, Pence iu ka bërë thirrje europianëve për bashkëpunim kundër terrorizmit.
Ai gjithashtu ka patur një takim edhe me Presidentin e Komisionit të BE-së, Jean-Claude Junkcer, ndërsa do të kryejë edhe një vizitë në selinë e NATO-s.
Gjatë vizitës së Pence në Bruksel një grup i vogël ka zhvilluar një protestë në afërsi të Këshillit të BE-së kundër dekretit të Trumpit për vizat.