Vendi është i pasur me një strukturë të pasur etnike që përbëhen nga grupe si penxhabi, peshtun, sindhi, saraiki dhe baluçi. Ndërkaq, 96 përqind e popullsisë janë muslimanë
Pakistani, shteti i gjashtë me numrin më të madh të popullsisë në botë, tërheq vëmendjen si shteti i vetëm me shumicë të popullsisë muslimane që posedon armë bërthamore. Pakistani strehon grupe të ndryshme etnike me një shumëllojshmëri prej më shumë se 60 gjuhëve, teksa njihet si vendi i dytë me numër më të madh të popullsisë muslimane.
Sipas të dhënave të përpiluara nga Anadolu Agency (AA), presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, në nëntor të vitit të kaluar pas gjashtë viteve zhvilloi vizitën e parë turke në nivel presidencial në Pakistan me ftesë te presidentit pakistanez Memnun Husein. Pas një periudhe prej afërsisht tre muajve e gjysmë, Erdoğan do ta vizitojë sërish vendin për të marrë pjesë në Samitin e 13-të për Bashkëpunim Ekonomik që do të mbahet në kryeqytetin pakistanez Islamabad, i organizuar nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik.
Në Pakistan, si shteti me numrin e gjashtë më të madh të popullsisë në botë, jetojnë 190 milionë banorë. Supozohet se popullsia e Pakistanit do të kalojë mbi 200 milionë deri në vitin 2020.
Vendi është i pasur me një strukturë të pasur etnike që përbëhen nga grupe si penxhabi, peshtun, sindhi, saraiki dhe baluçi. Ndërkaq, 96 përqind e popullsisë janë muslimanë.
Në Pakistan jetojnë edhe të krishterë, hindusë, sikh dhe budistë, teksa gjuhë zyrtare e vendit është gjuha urdu, krahas së cilës fliten afro 60 gjuhë. Vitet e kaluara, Pakistani ka vendosur që ta heqë gjuhën angleze nga mesi i gjuhëve zyrtare.
Në veri Pakistani kufizohet me Kinën, në perëndim me Afganistanin, në jugperëndim me Iranin, ndërsa në lindje me Indinë, vend ky me të cilin Pakistani hyri dy herë në luftë. Për sa i përket pozitës, është mëse e qartë se në çfarë rajoni strategjik shtrihet Pakistani.
Pakistani u nda nga India, kolonia britanike, në vitin 1947, pas një lufte të përgjakshme. Që nga pavarësia vendi ka përjetuar katër puçe ushtarake, teksa me 70 vitet e kaluara që nga pavarësia, Pakistani për 34 vite ishte administruar me qeverisje ushtarake.
Ky vend ka një sistem administrativ që përbëhet nga provincat Penxhab, Sind, Haiber dhe Baluçistan dhe disa rajone autonome.
Pakistani është anëtar i organizatave ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara (OKB), Organizata për Bashkëpunim Islamik (OBI), Banka Aziatike për Zhvillim (ADB), Organizata për Bashkëpunim Ekonomik (ECO) dhe Organizata e Tetë Shteteve në Zhvillim (D-8), ndërsa partnerët më kryesorë tregtarë të tij janë SHBA-të, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kina dhe Afganistani.
Ndërkaq, Pakistani eksporton prodhime tekstili dhe drithëra, kurse bën importin e karburanteve mineralëve, pjesëve makinerike dhe elektronike.
Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Pakistanit, duke filluar nga pavarësimi në vitin 1947 e deri më tani, janë formësuar mbi themele të miqësisë së afërt dhe vëllazërisë.
Turqia në palën tjetër eksporton aparate komunikimi, kamera, radarë, makineri dhe pajisje, ndërsa nga ajo merr fibra tekstili, plastikë, pambuk, poliestër dhe veshje. Në Pakistan veprimtari ushtrojnë mbi 100 kompani turke, ndërkohë që investitorët turq më së shumti fokusohen në sektorin e energjetikës, financave, projekteve infrastrukturore dhe nënkontraktimeve.
Nga ana tjetër, mbi 100 kompani kapitale pakistaneze ushtrojnë veprimtari në Turqi në sektorin e elektronikës, telekomunikimeve, makinerisë, tregtisë dhe bankave.
Qëndrimi i vendosur në luftën kundër FETO-s
Muslimanët e Pakistanit kishin dhënë mbështetje të madhe për Turqinë gjatë Luftës së saj për Çlirim. Historikisht, Pakistani gjithnjë ka qenë në solidarizim me Turqinë, teksa ka zhvilluar këshillime të affërta me Turqinë për zgjidhjen e problemeve rajonale. Së fundmi, Pakistani u pozicionua në anën e Turqisë në luftën kundër Organizatës Terroriste FETO.
Në kuadër të luftës kundër FETO-s jashtë vendit, Pakistani është radhitur në anën e Turqisë dhe ka shfaqur qëndrim të vendosur. Vendi ka kërkuar nga 108 mësimdhënësit e 23 shkollave të organizatës në vend që deri më 20 nëntor ta braktisin vendin së bashku me familjet tyre. Pakistani gjithashtu ka shfaqur vullnet politik për sa i përket transferimit të kompetencave të shkollave Turqisë.
Tema në fjalë ishte hapur edhe gjatë vizitës së kryeministrit pakistanez Navaz Sharif në Turqi gjatë javës së kaluar
Përmes mekanizmit i cili u krijua si Këshilli për Bashkëpunim të Nivelit të Lartë në vitin 2009 për t’u zhvilluar më pas si Këshilli për Bashkëpunim Strategjik të Nivelit të Lartë, marrëdhëniet mes dy vendeve fituan një funksionim institucional. Krahas kësaj, marrëdhëniet politike dhe ekonomike mes palëve zhvillohen edhe përmes organizatave si OBI, D-8 dhe ECO.
Marrëveshja për tregti të lirë
Sektor tjetër që zhvillohet mes dy shteteve është turizmi. Numri i turistëve pakistanezë që kanë ardhur në Turqi në vitin 2014 ishte 48.420, kurse në vitin 2015 kjo shifër arriti në 59.700.
Turqia dhe Pakistani i vazhdojnë punimet për nënshkrimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë. Kryeministri turk Binali Yıldırım, në konferencën e përbashkët për media gjatë vizitës së kryeministrit pakistanez Sharif javën e kaluar, deklaroi se ministrave relevantë u ka dhënë udhëzimet e nevojshme në mënyrë që brenda vitit 2017 të nënshkruhet marrëveshja për tregti të lirë, e cila, sipas tij, do të shërbejë për rritjen në nivelin e dëshiruar të marrëdhënieve reciproke dhe investimeve.
Për më tepër, në vitin 2010 në kryeqytetin pakistanez Islamabad u hap zyra e Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), e cila në vitin 2010 realizoi ndihma në vlerë prej 55 mijë dollarëve, shifër kjo e cila në vitin 2015 u ngrit në nivelin e 610 mijë dollarëve. Krahas kësaj, ndihma zyrtare totale për zhvillim që Turqia ia ofroi Pakistanit një vit më parë arriti në vlerën rreth dy milionë dollarë.
Nga ana tjetër, gjatë vizitës së kryeministrit Sharif javën e kaluar në Turqi, palët nënshkruan memorandume mirëkuptimi dhe marrëveshje që përfshijnë fushën e ekonomisë, energjetikës, mbrojtjes, mjedisit, urbanizmit, bankave, shëndetësisë, kulturës dhe mediave dhe botimeve.
Ndërkaq, fusha më e rëndësishme e bashkëpunimit mes dy vendeve është mbrojtja. Vitin e kaluar, me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Pakistanit, në ujëra u lëshua Anija Furnizuese, e ndërtuar nga industria turke e mbrojtjes për Forcat Detare Pakistaneze, njëherësh eksporti i anijes më të madhe ushtarake në një udhëtim të vetëm nga industria turke e mbrojtjes.
Anija prej 15.600 tonelatash dhe e gjatë 155 metra, e dizajnuar për Forcat Detare Pakistaneze, posedon Sistemin e Furnizimit në Det (RAS/FAS) dhe mundësi për ngritje/ulje me helikopter. Anija mund të udhëtojë me shpejtësi prej 20 knot (37 kilometra për orë).
Kashmiri, kontesti historik me Indinë
Në kontestin për Kashmirin, të cilin dy fuqitë e rëndësishme bërthamore, Pakistani dhe India, nuk kanë mundur ta zgjidhin prej më shumë se gjysmë shekulli, palët kanë pozicione të ndryshme. Pakistani mbron qëndrimin se populli i Kashmirit duhet të vendosë vetë për të ardhmen e Kashmirit. Nga ana tjetër, India pretendon se rajoni është pjesë e Indisë, sipas marrëveshjes së vitit 1947.
Teksa kanë kaluar 69 vite në mosmarrëveshjen mes dy vendeve për ardhmërinë e Kashmirit, rreth 50 mijë persona kanë humbur jetën, kurse një milion e gjysmë kanë ngelur pa shtëpi.
Të dyja palët ushqejnë gjendjen pa zgjidhje duke pritur hap të vullnetit të mirë nga pala e kundërt, ndërsa balancimi i armëve bërthamore dhe lufta kundër terrorit pas 11 shtatorit, kontestin rajonal e shndërroi në nivel ndërkombëtar. Pakistani është shteti i vetëm musliman që posedon armë bërthamore dhe thekson se të njëjtat janë për qëllime mbrojtëse.