Zyrtarë në Berlin thanë se kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të takojë presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në Uashington, më 14 mars.
Takimi, i parë zyrtar mes tyre, do të pasojë një fillim gjaknxehtë të marrëdhënieve.
Prejse presidenti i ri amerikan ka marrë detyrën më 20 janar, Merkel ka folur fuqishëm në favor të politikave që Trump i ka kundërshtuar.
Merkel ka kundërshtuar deklaratat e Trumpit se NATO është një “aleancë e vjetëruar”, duke thënë se “sfidat e botës sonë sot nuk mund të menaxhohen nga ndonjë shtet individual”.
Merkel ka folur edhe në favor të agjendës së tregtisë multilaterale, të cilën Trump e ka vënë në pikëpyetje.
Ajo po ashtu ka thënë se “bashkëpunimi i ngushtë” midis Uashingtonit dhe Evropës duhet të bazohet në “vlera të përbashkëta”, përfshirë demokracinë, lirinë dhe respektin për të drejtat dhe dinjitetin e secilit individ.
Gjatë fushatës zgjedhore më 2016, Trump e ka cilësuar politikën e Merkelit për dyer të hapura për migrantët si “të çmendur”.