Ivaniç vlerësoi se BeH dhe Mali i Zi kanë marrëdhëniet më të mira në rajon dhe se të dy shtetet nuk kanë asnjë çështje të hapur, por shkallë të lartë të mirëkuptimit dhe mbështetjes
Bosnja e Hercegovina (BeH) dhe Mali i Zi kanë marrëdhëniet më të mira në rajon dhe janë shembull i fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, porositën sot në Sarajevë kryesuesi i Presidencës së BeH-së, Mladen Ivaniç dhe presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, raporton Anadolu Agency (AA).
Ivaniç vlerësoi se BeH dhe Mali i Zi kanë marrëdhëniet më të mira në rajon dhe se të dy shtetet nuk kanë asnjë çështje të hapur, por shkallë të lartë të mirëkuptimit dhe mbështetjes.
“Pasi të parët kemi nënshkruar marrëveshjen për kufijtë, pa kurrfarë problemesh, i vëmë pikë çështjes që në këto hapësira gjithmonë ka qenë e ndjeshme, bashkërisht shikojmë pjesën e madhe të gjërave në rajon dhe nga rajoni. Drejt përfundimit janë edhe bisedimet për çështjet e sigurimit social prej të cilit dobi më të madhe mund të kenë qytetarët e të dy vendeve”, tha Ivaniç.
Ai shprehu kënaqësi për hapat e konsiderueshëm që ka bërë Mali i Zi në rrugën drejt BE-së.
Presidenti i Malit të Zi theksoi se është afirmuar pozicioni i dy vendeve si një shembull i mirë i fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal dhe përsëriti se mes dy vendeve nuk ka çështje të hapura. Ai theksoi se Mali i Zi dhe BeH-ja me përmbylljen e marrëveshjes për kufirin shtetëror, që është marrëveshja e parë mes shteteve të ish-Jugosllavisë, treguan se një çështje e ndjeshme mund të zgjidhet përmes marrëveshjes së dy vendeve pa ndërmjetësim nga jashtë.
“Konstatuam një sërë marrëveshjesh për bashkëpunim në të gjitha sferat, së bashku me marrëveshjen e fundit për bashkëpunim në sferën e integrimeve evropiane, ku u dakorduam të bashkëpunojmë për të përshpejtuar rrugën drejt eurointegrimeve. Presim që BeH-ja të marrë statusin e vendit kandidat deri në fund të këtij ose në fillim të vitit të ardhshëm”, deklaroi Vujanoviç.
Vujanoviç në Sarajevë arriti me ftesë të Presidencës së BeH-së, ndërsa nga kabineti i tij njoftohet se vizita do të jetë afirmim i marrëdhënieve miqësore mes dy shteteve, si dhe avancim i bashkëpunimit në gjitha sferat.