Në shtator pritet të fillojë ndërtimi i objektit të Universitetit “Nënë Tereza”

Pollozhani bëri të ditur se momentalisht në këtë universitet janë të regjistruar rreth 230 studentë, ndërsa në vitet e ardhshme pret që numri i studentëve të rritet

Ministri i Arsimit dhe Shkencës i Republikës së Maqedonisë, Pishtar Lutfiu, mori pjesë në manifestimin e mbajtur në Qendrën Informative Kulturore – Shkup, kushtuar 130-vjetorit të shkollës së parë shqipe dhe përvjetorit të themelimit të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri Pishtar Lutfiu në adresimin e tij para të pranishmëve tha se shkollat shqipe janë zhvilluar nëpër rrethana dhe procese të veta historiko-shoqërore, për të arritur deri në ditët e sotme.

“Sfida jonë sot është garantimi i cilësisë në arsim si një domosdoshmëri në kuadrin e integrimit dhe arritjeve drejt standardeve evropiane. Populli ynë do ta kujtojë dhe do ta festojë ditën e mësuesit që është një ngjarje e madhe për historinë e arsimit dhe kulturës shqiptare”, deklaroi Lutfiu.

Në lidhje me Universitetin “Nënë Tereze”, i cili gjatë themelimit hasi në disa pengesa për shkak të mungesës së kuadrit, ministri Pishtar Lutfiu tha se institucioni që drejton ai të gjitha obligimet në vazhdimësi i ka deleguar, ndërsa aktualisht ky universitet funksionon ashtu siç ishte planifikuar.

Nga ana tjetër, rektor i Universitetit “Nënë Tereza”, Aziz Pollozhani, bëri të ditur se momentalisht në këtë universitet janë të regjistruar rreth 230 studentë, ndërsa në vitet e ardhshme pret që numri i studentëve të rritet. Ai paralajmëroi se në muajin shtator do të fillojë ndërtimi i objektit të ri personal i universitetit, i cili është paraparë të përfundojë brenda tre viteve.

“Të gjitha hapat që janë planifikuar për themelimin dhe konsolidimin të arsimit janë aplikuar dhe janë në aplikim e sipër. Asnjë nuk do të mbetet pa u realizuar. Për objektin, ashtu siç ishte paraparë për tre vitet e ardhshme, ne kemi bërë pjesën tonë, detyrën projektuese me nevojat që duhet t’i ketë një universitet. Është në procedurë për tenderim për idenë dhe shpresoj ashtu siç është thënë, që nga shtatori të vendoset themeli dhe për 2-3 vite të kryhet”, deklaroi Pollozhani.

Ndryshe, në përbërjen e Universitetit “Nënë Tereza” janë pesë fakultete, ai për shkenca sociale, shkenca informatike, shkenca teknologjike, shkenca teknike dhe për ndërtimtari dhe arkitekturë. Momentalisht, studentët e këtij universiteti orët akademike i zhvillojnë në ndërtesën e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë.

Artikulli paraprakOBSH: Si pasojë e ndotjes së mjedisit në vit vdesin 1.7 milionë fëmijë
Artikulli vijues“BeH dhe Mali i Zi janë shembull i bashkëpunimit rajonal”