Të ngisni makinë me marsh automatik natyrisht se është diçka krejt ndryshe nga ajo manuale. Makina me marsh automatik nuk ka nevojë për fraksion dhe ndërrues manual të shpejtësive, të cilat janë paksa të vështira në fillim për ngasësit e ri. Makinat me marsh automatik e bëjnë ngasjen më relaksuese dhe më të përshtatshme. Ideja është që të keni së pari ide se si funksionon makina me marsh automatik.
Edhe në këto makina ekziston ndërruesi, por funksionon më ndryshe.
(P) Park. Ky pozicion e ka kuptimin që transmisioni është mekanikisht i bllokuar. Sidoqoftë freni i dorës është i nevojshëm të jetë i ngritur për të parandaluar lëvizjen e makinës.
(R) Reverse. Ky pozicion është për të mundësuar lëvizjen e makinës mbrapa. Shfrytëzojeni këtë funksion atëherë kur makina është tërësisht e ndalur, pra nuk është duke lëvizur.
(N) Neutral. Ky pozicion shërben që makina të jetë e lirë për të lëvizur, pra rrotat e makinës nuk kanë asnjë bllokim.
(D) Drive. Ky pozicion është për të mundësuar lëvizjen e makinës para. Kjo poashtu do të aktivizoj edhe shpejtësitë të cilat ndërrohen vetë varëisht nga shpejtsia e lëvizjes. Varësisht nga lloji i makinës, numri i shpejtësive mund të jetë nga 3 deri në 9 shpejtësi.
Këshilla për ngarje të makinës me marsh automatik
Makinat me marsh automatik janë me vetëm dy pedale, njëra për frenim dhe tjetra për akselerim apo siç njihet ndryshe pedalja e gazit, pra pedalja që e vënë automjetin në lëvizje.
Gjatë vozitjes shfrytëzojeni vetëm këmbën e djathtë për të operuar me këto dy pedale.
Para se të ndizni makinën sigurohuni që ndërruesi i shpejtësive është në pozicionin P dhe pastaj ndizeni.
Pastaj shtypni pedalën e frenimit dhe lëvizni marshin nga pozicioni P në D, në rast se keni për të lëvizur para, në të kundërtën vendoseni në pozicionin R.
Gradualisht largojeni këmbën nga pedalja e frenave në mënyrë që makina të filloj lëvizjen.
Për të rritur shpejtësinë shtypni pedalën e gazit në masën që ju e përceptoni si të nevojshme.
Në ditët e sotme makinat me marsh automatik po fitojnë popullaritet për arsye se për shumicën janë më të këndshme për t’i vozitur, qoftë në rrugë të gjata, qoftë ne trafik të ngarkuar.