Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në mbledhjen e sotshme ka aprovuar të hyrat maksimale të lejuara për operatorët e sistemeve të transmisionit dhe distribucionit (OST dhe OSSH) dhe strukturën e re tarifore të energjisë elektrike.
Gjithashtu Bordi ka vendosur të gjobitë OSSH-në me 45.000 euro për ndërprerjet e planifikuara të energjisë elektrike, thuhet në njoftimin për medie të ZRRE-së.
Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në mbledhjen e mbajtur sot, me 31 mars 2017, ka aprovuar të Hyrat e Lejuara Maksimale (HLM) të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (OST) dhe Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), transmeton Koha.net.
Po ashtu, Bordi ka aprovuar strukturën e re tarifore për konsumatorët fundorë të energjisë elektrike.
Çmimet e Strukturës së re paraqesin çmime mesatare të tarifave të niveleve të tanishme (tarifat e vitit 2016).
Vendimi për strukturën e re tarifore ka për qëllim që tarifat të jenë sa më të thjeshta për t’i kuptuar, për të gjithë konsumatorët, dhe të krijojë përshtatje të sektorit me rrethanat e reja të krijuara nga kërkesat ligjore për liberalizim të tregut. Përmes këtij thjeshtësimi, ZRRE synon t’iu mundësojë konsumatorëve që më lehtë të kontrollojnë konsumin e tyre dhe të mund të krahasojnë më mirë çmimet që iu ofrohen nga furnizuesit e ndryshëm, që pritet të hyjnë në treg.
Si rezultat i këtij ndryshimi të Strukturës tarifore, të gjithë konsumatorët fundorë do të kenë një çmim të pandryshuar në aspektin sezonal për çdo kWh të shpenzuar. Përveç kësaj, konsumatorët familjarë nuk do të paguajnë më sipas blloqeve tarifore në bazë të nivelit të konsumit.
Me strukturën e re, tek të gjithë konsumatorët fundorë do të aplikohen vetëm tarifat ditore – tarifa e lartë dhe ulët (ditë- natë). Në këtë mënyrë do të ketë një nxitje për konsumatorët që të zhvendosin një pjesë të konsumit nga koha e pikut (ditën) në kohën kur ngarkesa në sistem është më e ulët (natën). Nga 1 prilli deri 30 shtator tarifa gjatë ditës do të jetë tarifë e lartë, që aplikohet në mes të orës 08:00h – 23:00h, ndërsa gjatë natës do të jetë tarifa e ulët e aplikueshme prej orës 23:00h – 08:00h. Përderisa nga 1 tetori deri me 31 mars, tarifa e lartë do të jetë prej 07:00h – 22:00h dhe tarifa gjatë natës do të jetë në mes të orës 22:00h – 07:00h.
Në këtë mbledhje Bordi ka shqyrtuar komentet e OSSH në lidhje me njoftimin për shkelje, të datës 6 mars 2017, përmes të cilit OSSH është njoftuar me shkeljet e konstatuara nga monitorimi i ndërprerjeve të planifikuara me qëllim të mirëmbajtjes së rrjetit. Bordi ka konstatuar se OSSH nuk ka arritur të dëshmojë se të gjeturat nga monitorimi i ZRRE nuk janë të sakta dhe ka vendosur që duke u bazuar në Rregullën për masat administrative dhe gjobat të shqiptojë dënim me gjobë në vlerë prej dyzet e pesë mijë (45.000) euro.
Si pjesë e amendamentimit të legjislacionit sekondar, për t’u përshtatur me ligjet e reja të energjisë, Bordi në mbledhjen e sotme ka aprovuar Rregullën për masat administrative dhe gjobat; Rregullën për licencimin e aktiviteteve të energjisë në sektorin e energjisë dhe Rregullën për shkyçje dhe rikyçje.
Gjithashtu Bordi ka aprovuar Planin zhvillimor të operatorit të transmetimit (KOSTT) për periudhën 2017 – 2026.
Sot Bordi ka aprovuar edhe Raportin vjetor dhe atë financiar për vitin 2016, të cilët po ashtu janë dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës për shqyrtim.