Jaroslaw Kaczynski, lider i partisë kryesore në qeverinë e Polonisë, i ka përsëritur kërkesat për pagesën e dëmeve të Luftës së Dytë Botërore nga Gjermania, duke thënë se kjo është çështje e “nderit” për vendin e tij.
Zoti Kaczynski dje tha se “francezët janë paguar, hebrenjtë janë paguar, shumë vende të tjera janë paguar për humbjet e pësuara gjatë Luftës së Dytë Botëror, por polakët nuk janë paguar”.
“Kjo nuk është vetëm për fonde materiale, kjo është për statusin tonë, nderin tonë”, tha Kaczynski, që është lider i Partisë për ligj dhe drejtësi (PIS), e cila e udhëheq qeverinë e këtij vendi.
Në vitin 1953 ishte nënshkruar një marrëveshje e liderëve komunistë të Polonisë, për të mos bërë kërkesa të ardhme për pagesa të dëmeve të luftës nga Gjermania.
Por, qeveria aktuale nacionaliste dhe konservatore e Polonisë argumenton se marrëveshja ishte bërë me urdhërat e Bashkimit Sovjetik dhe nuk është e vlefshme.