Mungesa e mjekëve nëpër rrethe është një problem aktual i cili pavarësisht përpjekjeve duket se nuk po merr zgjidhjen e duhur.
Aktualisht Burreli dhe Kukësi janë dy qytete të cilët kanë një mangësi në mjekët specialit. Në maternitetet përkatëse vihet re mungesa e mjekëve gjinekologë, dhe kjo ka bërë që gratë e këtyre qyteteve t’i drejtohen kryeqytetit për të lindur.
Të dhënat në Kukës flasin për rënie të lindshmërisë, ndërsa në maternitetin e Burrelit nuk u regjistrua asnjë lindje në këtë fillim vit. Për vitin 2017, në Kukës u regjistruan 684 lindje, që tregon ulje të lindshmërisë në krahasim me vitet e shkuara, por e lartë e krahasuar për numër banorësh me zonat e tjera të vendit
Mungesën e mjekëve specialistë e vuan edhe materniteti i Spitalit “Xhavit Mara” në Burrel.
Në këtë fillimviti atje nuk është regjistruar asnjë lindje, kjo tregues i rënies së lindshmërisë, por edhe për shkak se një pjesë e mirë e grave shtatzëna përcillen në spitalet e Tiranës apo në maternitetin e Lezhës.
Në vitin 2017, pranë Maternitetit të Burrelit u regjistruan vetem 13 lindje normale.