Renault udhëheq tregun kosovar të veturave të reja të shitura, ndërsa rritja e gjithmbarshme e tregut nga viti në vit ka arritur në rreth 30 për qind.
Trendi i shitjes së veturave të reja në Kosovë, nga viti në vit është duke shënuar rritje. Përveç komoditetit gjatë vozitjes, veturat e reja ofrojnë edhe siguri më të madhe në rast të aksidenteve në komunikacion.
Në raportet zyrtare të autoriteteve rrugore në Shqipëri thuhet se numri i aksidenteve me fatalitet me vetura të reja ka qenë zero, për dallim prej veturave të përdorura, nga të cilat kanë pësuar shoferët dhe pasagjerët e aksidentuar.
Me sa duket këtë fakt e kanë kuptuar edhe blerësit kosovarë të cilët e kanë rritur kërkesën dhe sasinë e veturave të reja të blera gjatë vitit 2017. Por natyrisht se faktorë të rëndësishëm kanë qenë edhe standardet e reja të sigurisë “Euro NCAP”, mundësitë fleksibile të pagesës së veturave të reja me këste, funksionet dhe teknologjitë e reja në vetura, si dhe garancionet dhe tiparet të reja me të cilat ato ofrohen në tregun tonë.
Numri i veturave të reja të cilat janë importuar dhe zhdoganuar në Kosovë, gjatë vitit 2017 sipas statistikave të Doganës së Kosovës, për periudhën 1 janar deri më 31 dhjetor 2017 , është 2887, derisa më 2016 ishte 2263 vetura. Krahasuar vitin 2017 me vitin 2016 numri i veturave të reja është rritur për 27.57 për qind.
Sa i përket markave të veturave të reja të cilat janë importuar importuara, Renault e zënë vendin e parë, me 473 vetura të importuara, e dyta renditen Shkoda me 408 vetura të importuara si dhe e treta renditet Volkswagen me 379 vetura të reja të importuara.
Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adiatik Stavileci, ka thënë për Telegrafin se trendi i importit të veturave të reja ka vazhduar edhe gjatë vitit 2017.
Sipas tij, në këto importe prijnë tri brende mw së shumti vetura të importuara. “Në periudhë 1 janar deri më 31 dhjetor të vitit 2017, janë importuar 2887 vetura të reja. Importi i këtyre veturave kam vlerën prej më shume se 43 milionë eurove”, tha Stavileci. /Telegrafi/