Një Range Rover Sport elektrik ka arritur të ngjitet rrugës së tij drejt parajsës, duke u bërë kështu vetura e parë e dedikuar për terrene malore që lëviz nëpër rrugën më të rrezikshme me 99 kthesa, dhe duke u ngjitur në 999 shkallët e njërës prej pjesëve më të frekuentuara të parkut nacional të Kinës.
Vetura me pesë ulëse P400e hibrid 4X4, është bërë SUV i parë në botë që ka arritur të ngjitet në “Portën e Parajsës” në provincën kineze Hunan, një nga rrugët më sfiduese dhe me më së shumti kthesa në botë, transmeton Kumti.
Sfida filloi në rrugën 11 kilometëreshe në malet Tianmen e njohur ndryshe si rruga e dragoit, që ka 99 kthesa sikurse lëvizjet e bishtit të dragoit.
Ndërkaq pjesa finale dhe më e rrezikshmja ishte ngjitja në 999 shkallët e vendosura në këndin 45 shkallë të njohura ndryshe si “Porta e Parajsës”, duke përdorur benzinën dhe baterinë elektrike që vënin në lëvizje katër rrotat.
Por edhe ky mision ka rezultuar me sukses, pasi për plot 23 minuta shoferi Ho-Pin Tung arriti të ngjitet në maje me Range Rover Sport.
Vetura që bën tërheqje me të katër rrotat (4X4) kushton 70.800 funte, dhe lëviz me fuqinë elektrike zero emision për 31 milje dhe mund të rimbushet për vetëm 2 orë e 45 minuta.