Javën e kaluar deputetët e Kosovës nuk kanë gjetur gatishmërinë për të votuar marrëveshjen e Demarkacionit.
Kjo pasi që, partia që është në koalicion Lista Srpska nuk ishte e pranishme në seancë, madje ata edhe kishin deklaruar votën kundër.
Gjithashtu edhe Vetëvendosje nuk votonte këtë marrëveshje, dhe për shkak të këtyre kundërshtimeve seanca për Demarkacion është shtyrë për një ditë të pacaktuar.Por, Kadri Veseli thotë se shumë shpejt qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza në zonën Shengen.Sipas tij, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet gjatë kësaj javës për të ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.
Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli shprehu bindjen se kjo marrëveshje do të votohet nga deputetët.
Veseli thotë se janë intensifikuar takimet me deputetët që gjatë kësaj jave të mbahet seancë që të votohet ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi.‘Ka unitet, pavarësisht se ka pasur disa deklarime nga marrëveshja e fundit në mes të LDK’së dhe AAK’së. Unë besoj më shumë tek reflektimi që është te interesi i qytetarëve, Besoj te pjekuria politike e dy subjekteve dhe unë jam shumë i sigurt se brenda javës së ardhshme takimet të cilat do t’i kemi intensiv të gjithë bashkërisht do të tejkalojmë edhe një situatë të keqkuptimit. Ajo që është kryesore, mesazhi është ky: Jemi vonuar mjaft.
Nuk është në interesin e qytetarëve që të vonohemi më tej”, tha Veseli për televizionin publik të Kosovës.Kreu i Parlamentit beson se këtë javë votës pro demarkimit të kufirit do t’i bashkohen edhe deputetët nga Vetëvendosje.Votat e Listës Serbe do të jenë vendimtare për ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionin me Malin e Zi.
Partitë në pushtet janë në pritje të përgjigjes nga deputetët e Listës Serbe, në përpjekjen e katërt për ta ratifikuar demarkacionin.Ato nuk kanë treguar nëse janë krijuar rrethanat që demarkacioni përfundimisht të votohet këtë javë.Kjo për shkak të mungesës së edhe dy votave, në mënyrë që të arrihen dy të tretat aq sa duhen për t’i ratifikuar marrëveshjet ndërkombëtare.
Burime të gazetës Koha Ditore, kanë thënë se partitë në pushtet janë duke pritur konfirmimin e Listës Serbe, i cili deri më tani ka munguar për shkak zhvillimeve në Beograd, ku të dielën u votua për zgjedhjet lokale. Sipas burimeve, gjatë javës pritet të ketë lëvizje pozitive me Listën Serbe, “ngase ka edhe presion ndërkombëtar në Beogradin zyrtar për votimin e demarkacionit”.
Kërkesa kryesore e Listës Serbe mbetet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, “pa vonesa të mëtejme”, gjë për cilën është diskutuar edhe në takimin e fundit në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.