Në Shqipëri, statistikat tregojnë se 40-50 për qind e popullsisë jetojnë në kufirin e varfërisë.
Studiuesit vlerësojnë se pjesa më e madhe e popullatës gjendet afër kuotave të varfërisë dhe çdo përkeqësim sado i vogël ekonomik, i shtyn ata në pjesën e poshtme të grafikut. Sipas tyre, matja e varfërisë reale nuk është bërë më qysh prej vitit 2012.
Qeveria dhe opozita diskutuan për disa orë në parlament mbi varfërinë dhe ndihmat ekonomike. Shqipëria ka sot nivelin më të ulët të të ardhurave për frymë në rajon dhe nivelin e pagave me të ulëta në rajon. Në shumë dimensione vazhdojmë të mbetemi një ekonomi e varfër.
Fjalimeve të zjarrta të politikanëve në parlament mbi varfërinë, studiuesit e ekonomisë u japin një përgjigje të thjeshtë: matja e fundit e varfërisë që është bërë në Shqipëri i takon vitin 2012 dhe ka afro 6 vjet, që ky vëzhgim nuk bëhet më, edhe pse është një detyrim ligjor. Studiuesi i njohur i ekonomisë shqiptare, profesor Selami Xhepa, thotë se studimi i munguar titullohet LSMS (Vëzhgimi i kushteve standarde të jetesës), dhe nuk është kryer më qysh nga viti 2012, kur sipas ligjit, kjo matje duhet bërë çdo 4 vjet për të fotografuar gjendjen dhe për të orientuar politikat kundër varfërisë.
“Statistikat e fundit të varfërisë, që mund t’u referohemi janë ato të vitit 2012. Matja tjetër e varfërisë duhej të ishte bërë në vitin 2016, por nuk u krye. Tani jemi në 2018 dhe po bëhet një periudhë pothuajse 6 vjeçare, që ne nuk kemi matur dinamikën e varfërisë. Nuk duhet harruar që këto kanë qenë dinamika shumë intensive, kur presioni i krizës globale ka qenë jashtëzakonisht i fortë. Kjo mungesë e kujdesit ndaj varfërisë ka bërë që shqiptarët të dekurajohen dhe të kenë një perceptim negativisht sa i takon cilësisë së jetës dhe të ardhmes” – thotë zoti Xhepa.
Parlamenti diskutoi sot mbi ndryshimet në skemën e ndihmës sociale për familjet e varfra. Qeveria dhe opozita shkëmbyen akuza për nën-financimin e skemës me fonde të pakta për të mbështetur këtë pjesë të shoqërie dhe për keq-menaxhim të fondeve dhe të skemës.
Zoti Xhepa thotë se pikërisht në 3-4 vitet e fundit, kur varfëria reale nuk matet më, pjesa më e madhe e popullsisë mendojnë dhe përpiqen të ikin. Sipas tij, janë larguar nga Shqipëria rreth 250 mijë vetë, duke u vendi i dytë pas Sirisë në luftë me nivelin më të lartë të emigracionit. Shqipëria, sipas tij, ende nuk ka përcaktuar minimumin e vet jetik, duke përdorur vijën botërore të varfërisë, që sugjerohet nga Banka Botërore me 2.5 dollarë në ditë për person. Kjo është nxjerrë si mesatare e të ardhurave nga tre vende të Afrikës subsahariane me të ardhurat më të ulëta në botë, por nuk është një matje reale e Shqipërisë.
“Kjo është e palejueshme dhe po të përdoren kritere më normale për varfërinë, më shumë se gjysma e popullsisë shqiptare janë në varfëri relative. Nëse përdorim kritere të njëjta me Maqedoninë dhe vendet e tjera të rajonit, del se një pjesë shumë e madhe e popullsisë jeton në varfëri. Elementi i dytë i dallueshëm në rastin tonë është se edhe masa e atyre që jetojnë pranë kufirit të varfërisë është shumë e lartë dhe vulnerabiliteti i atyre për të rënë nën nivelin e varfërisë është shumë i lartë” – tha zoti Xhepa.
Problemi kryesor mbetet të identifikohen grupet dhe shtresat në nevojë, detyrë që fillimisht iu la pushtetarëve vendorë, që abuzuan me listat dhe me fondet, duke përfshirë njerëz me njohjeve politike në prag fushatash zgjedhore.
Nga fondet e ndihmës sociale përfituan njerëz që nuk e meritonin, por skema e re la jashtë grupe vërtet në nevojë, por pavarësisht nga dy pamjet, thotë prof. Xhepa, fondi është shumë i vogël, dhe ata që marrin këto të holla nuk arrijnë asnjëherë të dalin nga varfëria.
Por edhe ata që lënë këto ndihma minimale, edhe kur punësohen, nuk arrijnë të dalin nga varfëria.
“Fatkeqësisht edhe ata që janë të punësuar vazhdojnë të mbeten në varfëri, sepse struktura e punësimit në Shqipëri është një punësim varfërues. Pagat në industrinë mbizotëruese të fasonerisë nuk mbulojnë as nevojat e mbijetesës së këtyre të punësuarve. Praktikisht edhe ato janë si në një skemë të ndihmës ekonomike. Nga ana tjetër gjysma e popullsisë jetojnë me të ardhura nga fshati, të cilat gjithashtu janë fare modeste. Pra, struktura e punësimit në Shqipëri është jashtëzakonisht problematike, sepse punësimi nuk është cilësor” – tha zoti Xhepa.
Ekspertët vlerësojnë se asnjë qeveri nuk i hyn me themel çështjes së varfërisë as për studim dhe as për ta zgjidhur me skema punësimi dhe pagesash dinjitoze.
Skema e re e ndihmës ekonomike u bë me kontroll të dyfishtë nga qeverisja qendrore edhe nga ajo vendore. Por mediat përsëri nxjerrin çdo ditë familje në mjerim, që nuk ndihmohen, dhe deri tani asnjë zyrtar vendor nuk ka mbajtur përgjegjësi, pse i ka lënë në atë gjendje.