Qeveria nis planifikimet për autostradën e Dukagjinit

Qeveria e Kosovës po synon të ndërtojë edhe një autostradë, në kohën kur nevoja për investimet në shëndetësi dhe arsim janë të mëdha. Autostrada e Dukagjinit që lidh Istogun me Prizrenit ka një vlerë të parashikuar rreth 600 milionë euro.

Në ministrin e Infrastrukturës thonë se kosto totale pritet të shkojë në 1 miliard euro pa dhënë asnjë sqarim pse është paraparë një kosto kaq e lartë e shpronësimeve.

Ndërtimi i kësaj Autostrada ka ardhur nga Qeveria e Ramush Haradinajt. Haradinaj është kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila votat kryesore i ka në pesë komunat e Dukagjinit: Deçan, Pejë, Gjakovë dhe Istog. Kjo Autostradë do të kalojë nëpër këto komuna.

Kjo do të jetë Autostrada e tretë në Kosovë. Presidenti aktual, Hashim Thaçi gjatë kohës sa ishte kryeministër i kishte nisur dy Autostrada: Prishtinë- Morinë (rruga e Kombit) dhe Prishtinë- Shkup (Autostrada Arbër Xhaferi).

Autostrada e dytë, ajo për Shkup, ende nuk ka përfunduar. Për shkak të pamundësisë për të paguar më kohë punëkryesin, Bechel & Enka, Qeveria Haradinaj ka pranuar të paguajë një faturë shtesë prej 53 milionë euro. Asnjëherë nuk janë publikuar dokumentet që janë marrë si bazë për pagesën e këtyre mjeteve shtesë mbi koston fillestare.

Autostrada e re, ajo e Dukagjinit, pritet të lidhë këto qytetet: Istog – Pejë – Deçan – Gjakovë – Prizren, me një gjatës prej 91 kilometra. Ministria e Infrastrukturës në gusht ka nënshkruar kontratën për “Hartimin e projektit zbatues për ndërtimin e autostradës Istog– Prizren” për të cilën ministri Lekaj e konsideron si projektin “më gjigand të qeverisë”.

Projektin për këtë autostradë do të hartojë konzorciumi Infra Plus & Infra Tek, për një kosto prej 1 milion e 39 mijë euro.

Kundërshtohen investimet milionëshe në asfalt

Milionat për ‘asfalt’, sipas ekspertëve të fushave të tjera në vend, janë të gabuara.

Dukagjin Pupovci ekspert i arsimit, vlerëson se investimet që po bëhen në infrastrukturë po ndikojnë negativisht në sektorë të tjerë.

“Sigurisht që Kosovës i nevojiten një infrastrukturë më e mirë nga ajo që e ka, mirëpo, vërtetë investimet të cilat po bëhen në investimin e rrugëve tejkalojnë mundësitë e vendit, sepse e gjithë kjo po i lenë pa fondet e duhura sektorët e tjerë të shërbimeve shoqërore e sidomos arsimin. Prandaj, konsideroj që kjo politikë është dashur të rishikohet deri tani dhe të mendohet në një afat pakës më të gjatë”, tha ai për gazetën JnK.

Pupovci shton se Qeveria po merret vetëm me infrastrukturë për shkak te zgjedhjeve, e që sipas tij, duhet të orientohet në zhvillimin e arsimit dhe në përkrahjen e studenteve, edhe nëpërmes bursave dhe rritjen e mundësive.

“Një përparësi për nga këndvështrimi i politikes për të investuar në autostradë është se aty investimi shihet pas një kohe të shkurtër dhe kjo shpesh përkthehet në vota në rastin e zgjedhjeve, në investimet ne arsim e fusha tjera janë investime me afatgjate mirëpo kjo nuk do të thotë që e gjithë politika qeveritare duhet të orientohet kah fitimi i zgjedhjeve por duhet të orientohet kah zhvillimi i vendit, dhe vërtetë këto investime ndikojnë negativisht”, është thënë në përgjigjen e ekspertit të arsimit.

Ndërsa, eksperti i ekonomisë, Naim Gashi potencon se investimet kapitale duhet të orientohen tek të rinjtë kosovar, pasi që sipas tij, me rritjen ekonomike prej 4 për qind një gjë e tillë është e pamundur.

“Mendoj që ka ardhur koha të frenohet dinamika e këtyre projekteve dhe pjese e investimeve të orientohen në krijimin e vendeve të punës për të rinj të Kosovës, pasi që në rritjen ekonomike rreth 4% që kemi është e pamundshme që të absorbojmë kontingjentin e të rinjve të futen në tregun e punës”, tha ai per gazetën JnK.

Gashi theksoi se ndërlidhja e tregut të punës me zhvillimin e arsimit është një prioritet e cila donë edhe investime nga shteti.

“Investimet kapitale duhen të orientohen tek rinia pasi që 60% e popullatës sonë janë të rinjtë, dhe buxheti proporcional tek ta është jashtëzakonisht i ulet, aty kryesisht duhet te jenë fusha e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nëpërmes subvencioneve të ndryshme, mandej shërbimet online, e përkthimeve, duhet te jete sektori i turizmit, sektori i bujqësisë, të gjitha këto do të krijoj kushte me të favorshme për të rinjtë për të gjetur punë”, shtoi Gashi.

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës i ka quajtur “absurde” vendimet e qeverisë për investime të mëdha në infrastrukturën rrugore.

Kryetari i FSShK-së, Blerim Syla, për Gazetën Jeta në Kosovë, thotë se së më e nevojshme është të investohet në aparatura se sa në autostrada.

“Është mirë të hiqen 100 kilometra të autostradës dhe të investohet në shëndetësi. Do të vjen koha që nuk do të ketë kush të ecë nepër ato autostrada. Unë nuk di çfarë logjike po përdoret, të investohen miliona euro në rrugë e jo në shërbime të popullit është absurde. Gjithmonë kam bërë thirrje largoni 100 kilometra e gjuani kah shëndetësia ta rregullojmë njëherë e përgjithmonë” tha ai.

Syla shtoi se investimet në shëndetësi do të ndikojnë në reduktimin e numrit të qytetarëve që po dalin jashtë vendit.

Gazeta Jeta në Kosovë, ka kontaktuar me zyrën e kryeministrit për këtë çështje, e qe sipas zëdhënëses së Qeverisë, Donjeta Gashi, buxheti i vitit 2019 do te ketë rritje edhe në sektor të tjerë.

“Shumë projekte në buxhet të vitit 2019 janë vazhdimësi dhe janë kontrata ndërkombëtare nga e kaluara që duhet respektuar apo ndarje buxhetore/ planifikime të menjëhershëm qe duhet zbatuar. Përveç tjerash ne kemi rritur buxhetin edhe në arsim dhe në shëndetësi”, tha zëdhënësja e qeverisë.

Ndërkaq, një projekt tjetër i cili u përfol shumë është ai i autostradës “Arbën Xhaferi”, por, që u kritikuar shpesh nga opozita për vendimin e qeverisë që të paguaj edhe 53 milion euro shtesë kompanisë “Bechtel-Enka”.

Për të cilën, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj dhjetor për KALLXO.com kishte thënë se pagesa ende nuk është bërë dhe nuk specifikoi ndonjë datë të caktuar për projektin e nisur në 2014.

 

Artikulli paraprakReagon kryeministri Haradinaj për ndalimin e dy ushtarëve të FSK-së nga Serbia
Artikulli vijuesKështu kontrabandohen mallrat serbe në veri para syve të Policisë (Video)