Shefi të Grupit Parlamentar, Bilall Sherifi, ka thënë se të gjitha veprimet që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka ndërmarrë gjatë dhjetë viteve të fundit kanë qenë në funksion të fushatave elektorale e jo më një strategji afatgjate zhvillimore.
Sherifi në një postim në Facebook, ka drejtuar kritika për Thaçin. Sherifi duke folur për taksën që Kosova tash e disa muaj e ka vënë ndaj Serbisë ka thënë se Thaçi ishte i gatshëm t’ua japë të tjerëve postin e kryeministrit, me kusht të vazhdimit të politikave të tij.
“Ai nuk është i gatshëm të pranojë që vendi, në raport me Serbinë, të aplikojë politika të kundërta me të tijat, sepse do të vërtetonin se ai gjatë tërë viteve të qeverisjes së vendit kishte pasur politika të gabuara në raport me Serbinë. Prandaj ai kërkon heqjen e taksës dhe do të bëjë çdo gjë që është në dorën e tij, madje deri në përpjekjet për rrëzimin e qeverisë vetëm e vetëm që të detyrojë qeverinë të heqë dorë nga politikat aktuale ndaj Serbisë, shkruan tutje Sherifi.
Ai deklaron se nëse hiqet taksa pa u hequr arsyet që kanë çuar në vënien e saj, gjithçka do të kthehej sërish në binarët e mëparshëm.
“Një vendim i tillë do të dërgonte një mesazh të keq sepse do të ishte dëshmi se Kosova pranon botërisht që nuk është në gjendje të bëj asgjë për t’u mbrojtur nga sulmet agresive të cilat Serbia i kryen përmes strukturave të saj në Kosove dhe nëpërmjet luftës diplomatike kundër shtetit tonë”, ka shkruar Sherifi.
Tutje ai ka deklaruar se politika dinjotoze ndaj Serbisë nuk është populizëm, por obligim shtetëror.
“Që nga ardhja në krye të qeverisë së Kosovës në vitin 2008 Hashim Thaçi në mënyrë autoritare ka diktuar drejtimin në të cilin ka ecur shteti ynë deri me sot. Ai përcaktoi politikat qeverisëse qoftë në rrafshin e brendshëm, qoftë në rrafshin e politikës së jashtme. Një numër i konsiderueshëm i vendimeve që ka ndërmarrë gjatë kësaj dekade kanë qenë në funksion të fushatave elektorale dhe jo në përputhje me një strategji afatgjate zhvillimore. Nuk do të zgjerohem t’i analizoj hollësisht vendimet e shumta të kësaj natyre, të cilat kanë qenë objekte të kritikave që në atë kohë”, ka shkruar tutje Shefi i GP, të NISMA’se.
Sherifi ka deklaruar se qeveria aktuale e Kosovës me kryeministër Ramush Haradinajn ka marrë një rrugë tjetër në raport me Serbinë. Sipas tij, Haradinaj, ka marrë disa vendime në mënyrë që t’i japë përgjigje adekuate sulmeve të Serbisë kundër shtetit të Kosovës./Express/