“iPhone” kontrabandohen në Kosovë

Vetëm 100 telefona mobilë “iPhone” të prodhuesit amerikan “Apple” janë zhdoganuar sivjet nga Doganat, ndonëse mijëra të tillë janë në duar të kosovarëve. Trendi për të pasur Iphone bën që shumë qytetarë me çdo kusht ta kenë një të tillë, qoftë edhe nëse paga mujore është më e vogël sesa vlera e këtij telefoni.

Numri i atyre të zhdoganuar dhe prezenca reale e Iphone-ve është qesharake. Në krahasohet me vitin e kaluar kur zyrtarisht kanë ardhur 800 Iphone dhe sivjet vetëm 100, tregon për tendencat e rritjes së kontrabandës së këtij telefoni, çmimi i të cilit sillet nga 400 deri ne 700 euro.

Blerës të telefonave të tillë janë edhe zyrtarët e lartë të shtetit. Nëse krahasojmë sa iPhone kanë ardhur zyrtarisht, atëherë le të dyshohet se edhe ato që janë blerë nga institucionet mund të jenë telefona të kontrabanduar.

Ndërkohë që Doganat e Kosovës ende janë në fazën e implementimit të projekteve për t’u marrë me këtë problematikë.

Zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavileci, pranon për “Zërin” se shumë telefona mobilë mund të futen në vend duke u kontrabanduar, mirëpo, sipas tij, lidhur me kontrabandën e telefonave mobilë janë duke bashkëpunuar me një projekt të përbashkët me Autoritetin Rregullativ të Telekomunikacionit(ART) dhe Ministrinë e Financave për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme, e cila do ta eliminonte këtë problem.

Ai sqaron se shumë telefona të ndryshëm janë konfiskuar sivjet nga Dogana, të cilët ishin gjetur duke u kontrabanduar.

“Sivjet i kemi konfiskuar 1554 copë telefona të llojeve të ndryshme”, bën të ditur Stavileci.

Për dallim nga viti 2012, sipas zëdhënësit të Doganave të Kosovës, gjatë vitit të kaluar ishin zhdoganuar 800 telefona të llojit “iPhone”, apo 700 sish më shumë se këtë vit, ndërsa origjina e importit është kryesisht nga Kina.

Për importin e një telefoni në mënyrë të rregullt duhet të paguhet dogana në vlerë prej 10 për qind, si dhe TVSH-ja 16 për qind.

Shitësit e telefonave në kryeqytet nuk pranojnë të flasin për gazetë se sa telefona importojnë e sa i shesin.

“Nuk flasim për media se sa telefona i importojmë e sa i shesim. Për gjitha këto çështje jemi transparentë para Administratës Tatimore”, thotë njëri nga shitësit e telefonave në Prishtinë.

Në anën tjetër, institucionet e Kosovës sivjet kanë shpenzuar rreth 70 mijë euro për blerjen e telefonave mobilë të llojeve të ndryshme.

Në ueb faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik(KRRPP) figuron se vetëm Postë Telekomi i Kosovës(PTK) gjatë këtij viti, në katër tenderë të ndryshëm, për blerjen e telefonave ka shpenzuar rreth 21 mijë euro, 9950 euro ka shpenzuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës, 8385 euro Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, 6050 euro Policia e Kosovës, 5400 euro Ministria e Zhvillimit Ekonomik, 2560 euro Ministria e Integrimit Ekonomik, etj.

Përndryshe, çmimi i një telefoni “iPhone 5” sillet rreth 700 euro, “Iphone 4S” rreth 450 euro, “iPhone 4” rreth 400 euro, etj.

Kompania “Apple”, e cila e prodhon telefonin “iPhone” e ka konfirmuar pozitën e saj udhëheqëse si kompania më e madhe e teknologjisë në botë. Menjëherë pas lansimit, “iPhone 5” u bë telefoni me shitjen më të shpejtë në botë. Brenda 24 orëve të para, Apple shiti më shumë se 2 milionë njësi për ta përmbyllur fundjavën e parë me 5 milionë njësi të shitura.

Shpenzimet në telefona mobilë

21 000 euro- PTK

9950 euro- Gjykata Kushtetuese

8385 euro – Ujësjellësi “Prishtina”

6050 euro- Policia e Kosovës

5400 euro- Ministria e Zhvillimit Ekonomik

2560 euro-Ministria e Integrimit Evropian

1400 euro- Ministria e Infrastrukturës

1260 euro –Ministria e Administratës Publike

/zeri/kohaislame

Artikulli paraprakTribunali i Hagës mbyll zyrat në Prishtinë dhe Zagreb
Artikulli vijuesCërvenkovski: 'Viti 2013, edhe më i vështirë'