Kuvendi serb miratoi rezolutën për Kosovën

Kuvendi i Serbisë mbrëmë pas mesnatës ka miratuar rezolutën për Kosovën, pas një debati që ka zgjatur tërë ditën.

Gjithashtu, siç raportojnë mediat serbe, është vendosur që të zbulohet për publikun platforma, mbi bazë të së cilës do të zhvillohen bisedimet me Kosovën.

Teksti i platformës, që njëherë është thënë se do mbetet sekret, do të publikohet në uebfaqen e Qeverisë së Serbisë.

Me rezolutën parashihet që të gjitha bisedimet e ardhshme me Prishtinën duhet të jenë në përputhje me këtë dokument, e në veçanti insistohet në ngritjen e një autonomie për komunat serbe.

Teksti i parë i rezolutës është ndryshuar me tri amendamente të propozuara nga Këshilli për Kosovën, për të cilat është arritur pajtim në takimin e përbashkët në mes të presidentit serb, kryeministrit dhe shefave të grupeve parlamentare.

Platforma politike për bisedimet me përfaqësuesit e Prishtinës, parasheh që “çdo zgjidhje e dialogut në mes të Beogradit dhe Prishtinës duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe Rezolutën 12 44 dhe se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës”.

Ndërkohë, kryeministri serb Ivica Daçiq ka deklaruar se Serbia “praktikisht” e ka humbur sovranitetin mbi Kosovën dhe se autonomia për sebët që jetojnë në Kosovë është më e shumta që Beogradi mund të shpresojë të shpëtojë.

Daçiq ka thënë në parlament të shtunën se Serbia nuk mund të përballojë që të “mbajë kokën e saj në rërë” për Kosovën.

Duke folur derisa ligjvënësit debatonin për një rezolutë që bën thirrje për autonomi për serbët që jetojnë në Kosovë, dhe jo qeverisje të drejtpërdrejtë nga Beogradi, Daçiq tha të shtunën se “sovraniteti serb” në Kosovë është “praktikisht jo-ekzistent”.

Qeveria e Daçiqit e ka përjashtuar njohjen e pavarësisë së Kosovës, e cila është shpallur në shkurt të vitit 2008.

Por, Daçiq ka sinjalizuar një qasje më pragmatike për Kosovën, derisa Beogradi po kërkon fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. (INA)/kohaislame

Artikulli paraprakDezerton një zyrtar i lartë i zbulimit sirian
Artikulli vijuesFranca vret 100 musliman të Malit