Faton Shoshi dëshmitar në rastin “Sekiraqa”

0
182

Janë përjashtuar mediat dhe publiku nga seanca që po mbahet për Enver Sekiraqën e ku do të dëshmojë Faton Shoshi.

Kjo me kërkesë të Shoshit, raporton Gazeta Express.
Shoshi ka kërkuar që në seancë të mos ketë media dhe publik, pasi që, sipas tij, ai është menaxher i shumë këngëtarëve me famë dhe këtë e konsideron si prishje të imazhit të tij dhe këngëtarëve që ka nën menaxhim.

Faton Shoshi edhe në gjykimin e parë për këtë rast, kishte kërkuar që mediat të përjashtoheshin nga seanca ku ai po jepte dëshminë, raporton Express.

Ky rast ka filluar rishtazi pasi që Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim.

Aktakuzën e prokurorisë e përfaqëson prokurori special Haki Gecaj ndërsa rasti po gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga gjykatësit, Shashivar Hoti, Beqir Klludra dhe Shadije Gërguri.

Gjatë seancave të kaluara, në rifillimin e gjykimit, Sekiraqa kishte deklaruar se do të mbetet në heshtje në pyetjet e prokurorit dhe trupit gjykues

“Asnjë përgjigje, as prokurorit e as trupit gjykues nuk u përgjigjem”, kishte thënë Sekiraqa.

Enver Sekiraqa akuzohet për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza ndërsa për vrasjen e tij në gusht të 2007-s është dënuar dorasi Arben Berisha.

Sekiraqa ishte dënuar në vitin 2016 me 37 vjet burg në lidhje me nxitjen e vrasjes së policit Triumf Riza, mirëpo Gjykata e Apelit e gjeti të mbështetur ankesën e mbrojtjes dhe e ktheu në rigjykim çështjen.