A do të rivendoset dënimi me vdekje në Turqi?

Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan ka nisur një debat për rivendosjen e dënimit me vdekje në vendin e tij. Propozimi i tij nuk synon edhe aq rikthimin e dënimit kapital por zgjedhjet presidenciale pas dy vjetësh.

Shkak për iniciativën e kryeministrin turk është bërë dënimi sipas Eroganit shumë i butë për vrasësin norvegjez, ekstremistin e djathtë Anders Bering Breivik. Si mund të ndodhë që dikush të dënohet vetëm me 21 vjet burg pasi ka vrarë 77 vetë, pyeti Erdogan në një aktivitet gjatë një vizite në Indonezi javën e kaluar.

Ai tërhoqi vëmendjen se vende si SHBA, Japonia dhe Kina vazhdojnë të kenë në kodet e tyre penale mundësinë e ekzekutimit. Dënimi me vdekje nuk është gjithnjë pa vend, për shembull në rastet e terrorizmit. Edhe Turqia duhet të mendojë përsëri për këtë temë, tha Erdogan.
Pas kthimit në Ankara, Erdogan i përsëriti pikëpamjet e tij, të cilat shkaktuan konfuzion si tek përkrahësit ashtu edhe tek kundërshtarët e tij në kryeqytetin turk. Vetëm pak javë më parë, gjatë vizitës së tij në Berlin në fund të tetorit, ai shprehu interesimin e fortë të Turqisë për një anëtarësim sa më të shpejtë në BE.

Por ky anëtarësim do të bëhej automatikisht i pamundur nëse Erdogan do të rivendoste dënimin me vdekje. Këtë kryeministri turk e ka natyrisht të qartë.
Përpjekje sqaruese të përkrahësve të Erdoganit
Angazhimi i papritur i Erdoganit për dënimin me vdekje i detyroi besnikët e tij në kabinet dhe në partinë qeverisëse AKP, të ndërmerrnin përpjekje pak a shumë elegante sqarimi. Ministri i Jashtëm turk Ahmet Davutoglu tha se kryeministri ka shprehur vetëm indinjatë për rastin Breivik. Nga AKP u tha se Erdogan ka dashur t’i drejtojë një apel BE-së për të menduar më thellë nëse refuzimi i përgjithshëm i dënimit me vdekje është me kuptim edhe në raste vrasësish si Breivik.
Megjithatë nuk po punohet konkretisht për ndonjë projektligj i cili do të zbatonte në praktikë përfytyrimet e Erdoganit. Ministri i Drejtësisë Sadullah Ergin tha në konsultimet për buxhetin në parlament se pas heqjes zyrtare të dënimit me vdekje nga një ndryshim ligji në vitin 2002, kjo reformë u ankorua në kushtetutë dy vjet më vonë e madje me iniciativë të qeverisë Erdogan. Në ministrinë e tij aktualisht nuk po bëhet asnjë përgatitje për ndonjë ndryshim ligjor apo kushtetues, që do ta kthente mbrapsht këtë reformë.
Në fokus viti 2014 dhe votuesit e qendrës së djathtë
Pra Erdogan ka gabuar me deklaratat e tij? Pjesa më e madhe e vëzhguesve në Ankara janë të sigurtë se takticieni i rafinuar nuk e ka vënë pa qëllim në rend të ditës temën e dënimit me vdekje. Ish deputeti Mehmet Bekaroglu thotë atë që mendojnë shumë vetë: objektivi i Erdoganit është të sigurojë votat e zgjedhësve nacionalistë të kampit të djathtë në zgjedhjet presidenciale në vitin 2014.
Që kryeministri synon të marrë postin më të lartë shtetëror pas dy vjetësh nuk është sekret pas askënd. Meqenëse pjesa më e madhe e zgjedhësve në Turqi i përkasin qendrës së djathtë, për zgjedhjen direkte të presidentit ky segment zgjedhësish është veçanërisht i rëndësishëm. Pra sipas këndvështrimit të Eroganit është me kuptim të tregohet i gatshëm për kompromis me nacionalistët.
Nacionalistët e djathtë i kërkojnë Erdoganit të veprojë sipas deklaratave
Tema e dënimit me vdekje në Turqi diskutohet para së gjithash në lidhje me udhëheqësin e rebelëve kurdë Adullah Öcalan, aktualisht në burg. Dënimi me vdekje për Öcalanin i shqiptuar në vitin 1999 u kthye në burgim të përjetshëm në vitin 2002 pas heqjes së dënimit me vdekje. Partia nacionaliste e djathtë MHP deklaroi se Erdogan kërkon të riparojë në sytë e zgjedhësve të djathtë dëmet që ka shkaktuar ai vetë me bisedimet për paqe mes shtetit dhe rebelëve të PKK-së. Negociatat u ndërprenë vitin e kaluar por sipas fjalëve të Erdoganit mund të rifillojnë nëse është e nevojshme.
MHP do të bëjë tani gjithçka që të demaskojë si pa përmbajtje manovrën taktike të Erdoganit. Kryetari i MHP-së Devlet Bahceli, i bëri thirrje kryeministrit të paraqesë një projektligj për vendosjen e dënimit me vdekje. Partia e tij do ta mbështesë në parlament një projekt të tillë, tha Bahceli.kohaislame
Por ka pak gjasa që Erdogan t’i përgjigjet kësaj kërkese. Kryeministri duket se nuk shqetësohet shumë nëse nacionalistët e akuzojnë për oportunizëm. Në fund të fundit Erdogan mund të përmendë një fakt shumë të pakëndshëm për MHP-në: partia e djathtë merrte pjesë në atë koalicion qeveritar që në 2002 vendosi heqjen e dënimit me vdekje dhe vendimi përkatës mban firmën e Devlet Bahceli.kohaislame

Artikulli paraprakAmerika po “shpërbëhet”
Artikulli vijuesValdete Daka kërcënohet me vrasje