A po krijohet një "Jugosllavi e re ekonomike"?

Seancat e përbashkëta të qeverive të vendeve të ish-Jugosllavisë janë shpeshtuar. Ka dhe ekspertë që thonë se bashkëpunimi është bazë e zhvillimit ekonomik, pasi që këto vende në BE nuk mund të futen para vitit 2020.
Seancat e Qeverisë së Serbisë dhe Republikës Serpska kanë qenë forumi i vetëm rajonal deri para ca kohësh. Por me iniciativën e Beogradit seancat e këtilla mund të bëhen një fenomen i rregullt për bashkëpunimin rajonal mes vendeve të ish-Jugosllavisë. E para që ka mbajtur një seancë të përbashkët ishte qeveria e Maqedonisë. Ministrat e kësaj qeverie kanë qenë në Beograd në fillim të qershorit, ndërsa seanca tjetër do të mbahet në Shkup.
Drejtori i Forumit për Raporte Etnike në Beograd, Dushan Janjiq thotë se seancat e tilla janë në interesin e të gjitha vendeve. Interesat e vendeve të ish-Jugosllavisë për bashkëpunim janë më të mëdha, se sa me rajonet e tjera. Faktori ekonomik është më i rëndësishmi. “Kur bëhet fjalë për vendet e Evropës Juglindore, Kroacia dhe Sllovenia po përpiqen të vendosin kontakte edhe më të ngushta me BE-në. Por theksi duhet të jetë në bashkëpunim mes vendeve si Shqipëria, Kosova, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina. Në veçanti i rëndësishëm është bashkëpunimi në sektorin e energjisë”, mendon Janjiq.

Sikur vendet e Baltikut
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq ka deklaruar pas takimit me delegacionin e Maqedonisë se ky rajon duhet të bashkohet rreth interesave të përbashkëta ekonomike sikur vendet skandinave apo ato të Baltikut. Këtë ide nuk e hedhin poshtë as analistët me shpjegimin se ky është shansi i vetëm për suksesin e vendeve të ish-Jugosllavisë. Ekonomisti kroat Damir Novotni thotë se këtu s’ka vend për spekulime politike, por për konceptet e bashkëpunimit ekonomik. “Qëllimi përfundimtar është që bashkëpunimi të ringjallë ekonomitë e këtyre vendeve dhe të hapen vende të reja pune, deri sa këto vende nuk futen në BE”, shpjegon ai.
Të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë e kanë kuptuar se kanë interesa të përbashkëta ekonomike, shpjegon analistja Tanja Topiq nga Banjalluka. Bashkëpunimi ekonomik, sipas saj, nuk i cënon bazat e ekzistencës së këtyre vendeve si shtete të pavarura.

Krimet e luftës, kriminaliteti, korrupsioni…
Pa përjashtime, vendet e ish -Jugosllavisë janë të gatshme për bashkëpunim. Kështu mendon Millka Tadiq Mijoviq, drejtore e revistës “Monitor”, nga Mali i Zi. “Forma nuk është me rëndësi por esenca e bashkëpunimit. Vendet tona kanë probleme me krimet, sepse shumë vende të këtij rajoni nuk janë përballur me këtë fenomen. Probleme të tjera janë korrupsioni dhe kriminaliteti”, thotë ajo.
Ndërsa Dushan Janjiq mendon se së shpejti mund të krijohet një Evropë e përbërë prej shumë federatave dhe ky do të ishte një shans i mirë i vendeve të ish-Jugosllavisë. “Është e sigurt që vendet e ish – Jugosllavisë, duke përjashtuar Slloveninë dhe duke përfshirë Shqipërinë, do të jenë pjesë e kësaj federate deri në vitin 2020. Se çfarë do të ndodhë me Kroacinë, është çështje e vet këtij vendi, por mendoj se interesat ekonomike të Kroacisë lidhen më shumë me vendet e ish-Jugosllavisë”. Analistët nuk janë të sigurt se si do të duket ky lloj bashkëpunimi, por e sigurt është që këto vende kanë nevojë për një bashkëpunim më të ngushtë, mbi bazat ekonomike./dw

Artikulli paraprakProdhimi i iPhone 5S, gjatë muajit?
Artikulli vijuesBE: Izraeli të kthehet në kufijtë e vitit 1967