AAK-ja, si AKR-ja e 2010-s

PDK-ja e kryeministrit Hashim Thaçi e ka kthyer AAK-në në të njëjtën pozitë që ishte AKR-ja në 2010-n. Nga një parti e zhurmshme opozitare, është bërë subjekt që mbron politikat e Thaçit, madje edhe kur për to kreu i Qeverisë nuk e gjen përkrahjen e plotë te deputetët e partisë që drejton.Ahmet Isufi, nënkryetar në AAK, ka thënë të jetë perceptim i gabuar ky.

“Nuk ka ngjashmëri këtu. Ka më shumë dobësim të qeverisjes dhe një çakordim të brendshëm të Qeverisë. Kjo po ndikon tani që të aludohet në ndonjë partner, dhe analistët dhe të tjerët më së shumti po e shohin Aleancën, duke pasur parasysh pozicionin e saj, votat e saj, dhe kjo më shumë është një kalkulim që po bëhet”, ka thënë Isufi. “Megjithatë, ne kemi mbajtur dhe po mbajmë qëndrimin opozitar derisa kemi pozicionin e tillë të përcaktuar nga votat e qytetarëve”.

Këtë javë një mocion i LVV-së për pezullim të privatizimit nuk mori mbështetjen e shumicës së deputetëve të AAK-së, duke e shndërruar këtë subjekt në ndihmës të përcaktimit të koalicionit qeverisës për kahun dhënë privatizimit. Abstenuan shtatë nga ta, ndonëse ishin pesë deputetë të kampit të subjekteve në pushtet që e votuan mocionin dhe dy të tjerë që kanë abstenuar. Të gjithë deputetët e opozitës votuan për mocionin, përjashtuar këta të AAK-së.

Subjekti që liderin e saj, Ramush Haradinaj, e ka duke u përballur me drejtësinë në Hagë, është i vetmi nga kampi opozitar që i ka thënë po një procesi dialogu politik me Serbinë, i paralajmëruar të nisë në muajt e ardhshëm. Ka shprehur gatishmërinë edhe për t’u përfshirë në dialog.

Pos për këtë, AAK-ja është në një gojë me PDK-në e Thaçit edhe për reformën kushtetuese, ndonëse për këtë çështje ka disharmoni në qëndrime ndërmjet dy partive më të mëdha në pushtet – PDK-së e AKR-së.

E, në 2010-n, kur LDK-ja ishte divorcuar me PDK-në, AKR-ja e Behgjet Pacollit, pa hyrë fare në Qeveri, kishte vënë në dispozicion votat që kishte në Kuvend për të shtyrë përpara politikat e Thaçit. Madje, kishte sponsoruar një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë, e të cilin e donte Thaçi, ngaqë ishte përcaktuar për futjen e vendit në zgjedhje të reja. Zgjedhjet kishin ndodhur sipas planit dhe ishte formuar koalicioni qeverisës aktual, grupet parlamentare të të cilit tani nuk kanë as gjysmën e deputetëve të Kuvendit.koha/kohaislame

Artikulli paraprakSiria ndalon aeroplanët turq në hapësirën ajrore
Artikulli vijuesSmartype do të lehtësojë të shkruarit në tastierë