Ahmeti: Grusht shteti në Turqi për shqiptarët ishte tronditës dhe i papranueshëm

0
186

Në aspektin gjeostrategjik, ne kemi nevojë për një Turqi stabile, ajo ka qenë pranë nesh bashkë me ShBA-të dhe BE-në në kohën më të vështirë gjatë luftës së fundit, por edhe pas luftës. Ajo është një aleate e rëndësishme për ne, si shtet ballkanik, por edhe si anëtare e NATO-së.

Nehat SHAQIRI

Pas grusht shtetit që çoi Turqinë në trazira, qindra të vdekur dhe mijëra të lënduar dhe rreth 50 mijë të arrestuar, edhe tek shqiptarët ka pasur reagime të ndryshme për këto ngjarje.

Shumë shqiptar e kanë përkrahur këtë grusht shtet kundër Erdoganit, mirëpo ka pas edhe reagime pro Erdoganit.

Është thënë se Erdogani e ka planifikuar këtë puç ushtarak vet, mirëpo ka edhe të atillë që thonë se në këto trazira janë të përfshirë edhe rusët, kurse disa komente ndërkombëtarë për puçin ushtarak thonë se janë të përfshirë edhe CIA.

Ish deputeti i Republikës së Kosovës, Amir Ahmeti, thotë për Gazetën InfoPress se, si çdo grusht shtet tjetër, edhe ky grusht shtet në Turqi është akt terrorist mbi institucionet shtetërore të zgjedhura në një proces të drejt dhe demokratik zgjedhor.

“Grusht shtetet nuk kanë vend në botën demokratike, për këtë dhe ato nuk i gjejmë në asnjë vend perëndimor. Sepse si të tilla ato shkelin mbi lirinë dhe të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre. Kështu këto akte terroriste të grusht shteteve, tentojnë që këtë të drejtë të qytetarëve ta marrin në dorë me dhunë. Me vjen mirë që e tërë bota demokratike, sikur edhe bartësit e institucioneve tona e kanë dënuar këtë grusht shtet, duke iu dhënë mbështetje qeverise dhe institucioneve tjera të zgjedhura në mënyrë demokratike”, thotë Ahmeti.

Ndërsa, sa i përket shqiptarëve të cilët jetojnë në Turqi, Ahmeti beson se ka qenë e rënd dhe e dëmshme njësoj sikur për të gjithë qytetarët turq.

“Shqiptarët atje janë mirë të integruar tani më gjenerata të shumta që jetojnë atje. Poashtu edhe për shqiptarët në trojet tona, kjo ka qenë një tronditje dhe është e papranueshme. Në aspektin gjeostrategjik, ne kemi nevojë për një Turqi stabile, ajo ka qenë pranë nesh bashkë me ShBA-të dhe BE-në në kohën më të vështirë gjatë luftës së fundit, por edhe pas luftës, duke na ndihmuar në shumë drejtime e sidomos me njohje të reja të shtetit tonë. Ajo është një aleate e rëndësishme për ne, si shtet ballkanik, por edhe si anëtare e NATO-së”, thekson ishe deputeti Amir Ahmeti.

Publicisti Dardan Islami, ka thënë se fokus i madh i Erdoganit është edhe Ballkani. “Nëse Erdogani i mbijeton krizës së brendshme me gjeneralët e ushtrisë të cilët me çdo kusht po tentojnë me rrëzua prej pushtetit, ekspedita e tij e ardhshme ka me qenë Ballakni”. Sipas tij, kriza e cila po ndodh në Turqi, shumë lehtë mundet me marrë përmasa rajonale dhe refugjatet turk munden me ju drejtua Ballkanit.

/Gazeta InfoPress