Dr. Mustafa Mahmud
All-llahu.
Ka qenë kjo kaherë, nuk më kujtohet se kur, ndoshta kam pasur dymbëdhjetë deri në katërmbëdhjetë vjet, e ndoshta edhe më pak. Kam qenë afër moshës madhore kur paturpshëm kam pyetur:
– Po pohoni se si All-llahu e ka krijuar botën, se të gjitha krijesat duhet medoemos ta kenë Krijuesin, se çdo vepër duhet ta ketë krijuesin (trajtuesin), çdo gjë që ekziston filluesin e vet.
Mirë! – do të besoj! – por më thoni ju kush e krijoi All-llahun apo Ai u krijua vetë.?!
Nëse është krijuar vetë dhe ju këtë e pranoni si të vërtetë, përse imagjinata juaj nuk do ta pranonte se edhe bota është krijuar vetvetiu, se ajo nuk ka Krijues dhe çështja nuk do të ishte kontestuese. Kur e flitja këtë, fytyrat e njerëzve të cilëve u drejtohesha, zbeheshin dhe gjuhët e tyre më mbushnin me rrebesh mallkimesh. Garonin, nga të gjitha anët, se kush më shumë do të më qortojë, e njerëzit me zemër të devotshme më dëshironin falje prej Zotit dhe të më udhëzojë në rrugë të drejtë.
Konservatorët më kanë refuzuar, e rebelët rreth meje janë tubuar dhe pafundësisht kanë diskutuar mbi çështjet filozofiko – fetare.
Krenaria në njohjen time të atëhershme e cila mori përpjesëtime të gjera dhe elokuenca ime gjatë të ekspozuarit me të cilën jam dalluar, këto kanë qenë motive që të sillem kështu, e jo dëshira që ta mësoj të vërtetën dhe ta zbuloj realitetin. Pastaj, harrova se shkaku i parë duhet të jetë qenie medoemos ekzistuese (vâxhibu-l-vuxhud), e jo kontingjent, në raport me ekzistencën aksidentale, të mundshme (mumkin). Në të kundërtën, do ta fitoja zinxhirin e pafund të shkaqeve, pa parafillim. Në të vërtetë, e kam prekur pyetjen e kauzalitetit, shqyrtimit të njohur filozofik i cili Aristotelin e solli në pohimin mbi parafillimin dhe shkakun e parë. Atëherë asgjë s’kam ditur mbi Aristotelin as nuk i kam ditur fundamentet e ligjësisë së logjikës dhe dialektikës. Është dashur të kalojnë tridhjetë vjet pune të etshme me libra dhe mijëra net në vetmi, përsiatje e diskutime me vetveten dhe që përsëri ta përmirësoj atë që tashmë sa herë a kam korrigjuar. E kam kundruar idenë nga të gjitha pikëpamjet dhe jam orvatur të kaloj rrugë të mundimshme prej Zotit dhe njeriut deri te enigma e jetës dhe vdekjes, deri te të besuarit e fortë, të cilin, ja, tash, po e ekspozoj. Fatkeqësisht atëherë nuk e kam ditur se ky është ai motivacion. Për këtë kam refuzuar të besoj në Zotin, sepse kam besuar në vetveten. Kam qenë i verbuar me dritën e idesë sime personale dhe zgjimit, i cili ka filluar ta shquajë periudhën e fëmijërisë sime.
Kjo kryesisht, ka qenë gjendja ime psikike kur kam hyrë në diskutimin e përditshëm oratorik dhe ideor. Kam qenë aq i verbuar saqë nuk i kam vërejtur edhe bazat e logjikës në të cilën pikërisht jam mbështetur. Nuk kam qenë i vetëdijshëm se po e kontradiktoj vetveten kur them: E kush e krijoi Krijuesin; – me çka kam rënë në sofizëm, sepse Krijuesin e kam radhitur në krijesa edhe pse po e quaj Krijues.Të njihet, mësohet e vërteta nuk ka qenë aspak punë e lehtë, sepse nuk kam dëshiruar që çështjes t’i hyj superficialisht dhe lehtazi. Mirëpo, po ta kisha dëgjuar zërin e natyrës dhe po të më kishte udhëhequr intuita, do t’i shmangesha diskutimit të mundimshëm dhe intuita ime do të më shpiente kah All-llahu. Por, rasti ka dashur të jem lindur në kohën, në të cilën zëri i thirrjes natyrale është i ngjirur (shterur) dhe mezi dëgjohet. Atë e ngadhënjeu zëri i arsyes, i cili, me disa këmbëngulje dhe abuzime, kaloi në mashtrime. Me fjalë tjera, dëshira që me arsye çdo gjë të kuptohet, deri diku mund të arsyetohet, sepse intelekti njerëzor e sheh vetveten mbi piramidën e të arriturave të veta të mëdha; të dhënë pas të arriturave kulturale në industri, elektricitet, raketa, avionë, nëndetëse. Shkurtimisht, njeriu ka dominuar në det, tokë, ajër, nënujë, e vetveten e ka ngritur se është i gjithmundshëm dhe është bërë arbitër në suazat e arritshme dhe të paaritshme.
Që ta shpjegoj me arsye këtë botë në të cilën jetojmë, qysh si i ri iu drejtova shkencës. Kam lexuar çdo gjë: prej Shibli Shumejlit e Selame Musaut deri të Frojdin e Darvinin. E pëlqeva kiminë, fizikën dhe biologjinë. Në dhomën time të vogël kam pasur laboratoriumin miniaturial, në të cilin i kam përgatitur acidet karbonike, me klor i kam mbytur insektet dhe i kam autopsuar bretkosat. Të gjitha bindjet e mia kanë filluar dhe kanë mbaruar në bazat shkencore. Njohja objektive është rruga e vetme kah e vërteta. E kam refuzuar çdo teori metafizike.Kam menduar; kush po na i jep tanket dhe avionët, ndërsa po i merr prej nesh fetë orientale dhe ritualet? Lajmet shkencore perëndimore na kanë verbuar dhe prej Perëndimit e kemi pranuar çdo gjë që na ka ofruar: librat, ilaçet, veshjen, pëlhurat, lokomotivat dhe automobilët, e madje edhe konservat, lapsat, paramanat dhe gjilpërat. Prej tyre i kemi pranuar edhe format e hulumtimit letrar dhe i përvetësuam format e tyre të tregimeve,romaneve dhe veprave dramatike. Kemi ëndërruar mbi Pasterin,Markonin, Rentgenin dhe Edisonin dhe në ta i kemi parë idealet tona. Shkurtimisht, çdo gjë që është nga Perëndimi e kam konsideruar përparimtare, e çdo gjë që ka ardhur nga Orienti slamik, prapanike, dekadenciale. Orienti ka qenë i venitur,dobësuar dhe nën thundrën e kolonizatorit.
Ka qenë kjo, deri diku, edhe e natyrshme, duke i marrë në konsiderim kushtet e atëhershme të të kuptuarit tim, se çdo gjë që na e servon Përëndimi është pozitive dhe e vërtetë dhe se përvetësimi i mënyrës së tillë evropiane të jetesës, është rruga e vetme e fuqisë dhe shpëtimit.
Jam regjistruar në Fakultetin e Mjekësisë që atje t’i ndjek ligjëratat në gjuhën angleze, që ta studioj anatominë nga burimet angleze dhe në spital me profesorët e mi të flas në gjuhën angleze. Jo për atë pse anglezët kanë qenë në Kanalin e Suezit, por për arsye se medicina e re, si shkencë, tash ka qenë produkt ekskluziv i Përëndimit. Atë që e kanë dhënë arabët dhe popujt slamikë në kohën e Ibni Sinasë (Avicennës),. ato kanë qenë konceptet, nocionet elementare të pamjaftueshme për nevojat bashkëkohore të njerëzisë. Me fjalë tjera, evropianët e kapën fijen atje ku e lëshuan Ibni Sinâa dhe mjekët tjerë arabë dhe e vazhduan me mundësitë zhvilluese që ta përparojnë shkencën e medicinës, krijuan laboratoriume, deponuan me miliona funta në hulumtime dhe i tejkaluan arabët, persianët e të tjerët dhe e krijuan medicinën bashkëkohore, fiziologjinë, anatominë dhe patologjinë dhe me të drejtë në këtë shkencë e zunë vendin eparë.
Kështu kam hyrë në botën e medicinës dhe teorive shkencore dhe kam ardhur deri te mendimi e bindja se mbi asgjë nuk duhet gjykuar pa eksperiment dhe pa fakte e dëshmi.Shkenca zë fill në empirizëm, që shifet dhe dëshmohet. Ajo që me shqisa nuk mund të argumentohet, për shkencën nuk ekziston. Kuptimeve metafizike botës transcendentale (gajbit) nuk i kushtohet kurrfarë kujdesi në botën shkencore.
Kështu në botën e njohurive dhe bindjeve të mia fetare e fillova rrugën time prej të kuptuarit tim të pastër shkencor,materialist. Mirëpo, përkundër rrebeshit materialist dhe empirik të kësaj bote, të cilët mohojnë çdo gjë që është transcendentale,nuk kam arritur ta mohoj dhe mënjanoj fuqinë hyjnore.
Me fjalë tjera, shkenca mua ma prezentoi gjithësinë si diç që ekziston në rendin e përkryer, çdo gjë: prej gjethit në dru deri te krahu i fluturës dhe rëra e rërishtes – çdo gjë është në marrëdhënie, rend dhe bukuri të përkryer. Tërë kozmosi ekziston mbi ekuilibrin dhe ligjësitë precize. Prej grimcës së atomit e deri te sistemi qiellor, deri te gallaksia që përmban miliarda – sisteme qiellore të pakufishme mbi të cilat na flet astronomia – të gjitha këto lëvizin në rregullin e pacenuar dhe llogarinë precize. Mbarë kjo botë e paskajshme, prej elektronit të imët deri te trupi më i madh qiellor, i ngjan aries (melodisë) së shkëlqyeshme harmonike, akordet e së cilës janë jashtëzakonisht të harmonizuara mirë, si një trup i tërësishëm, i cili ka shpirt…Shkenca, tash më ka dhënë mundësi ta përfytyroj All-llahun në mënyrën materialiste. Atëbotë, në epokën time të atëhershme ideore zhvilluese, kam përfytyruar se All-llahu është fuqia e brendshme e gjithësisë, e cila drejton të gjallët e jotëgjallët. Tokën e Kozmosin. E kam përfytyruar Atë në të lëvizurit atomik, të cilat shkenca i pat zbuluar në protoplazmë, në gjithësi, se Ai është ajo fuqi e brendshme krijuese në çdo gjë ose, siç e ka thënë këtë Shën Toma Akuini:… proces i cili ka filluar të zhvillohet në mikrob që prej tij të krijohet njeriu. Ky proces edhe më tej po zhvillohet dhe do të zhvillohet në infinit (pafundësi).
Ekzistenca, çdo gjë që ekziston, sipas të kuptuarit tim të atëhershëm, nuk ka pasur fillim as fund, sepse ekzistencës ka mundur t’i kundërvihet vetëm joekzistenca, e këtë logjikisht nuk kam mundur ta sqaroj sepse do të gjendesha para pyetjes: e kush e krijoi botën!? Me fjalë tjera, nëse do ta pranoja supozimin se dikur bota nuk ka qenë, si ta shpjegoj se diç është krijuar prej asgjësë? Për këtë kam konkluduar: çdo gjë që sot ekziston, ka ekzistuar kaherë, do të ekzistojë përherë, e pakufizuar hapësinërisht dhe kohërisht.Kështu duke e kuptuar të ekzistuarit e kësaj bote e pranova hipotezën se All-llah është çdo gjë që është rreth nesh dhe se ne jemi vetëm emancion, manifestim i Tij. Ai është ekzistencë materiale, e pafillim e pambarim, i përhershëm.Në këtë mënyrë ia kam përfytyruar vetvetes teorinë e cila është kufizuar në ekzistencë dhe All-llahun e ka identifikuar me ekzistencën. Më nuk kam pasur nevojë të shërbehem me metafizikë dhe të gjej strehim te e padukshmja, transcedentalja. Për këtë arsye pata rënë në grackën e idesë së “monizmit ekzistencial”, panteizmit indian dhe filozofisë panteiste të Spinozës, ose në grackën e filozofisë së Bergsonit mbi “fuqinë e brendshme krijuese”, e të gjitha këto janë filozofi të cilat janë nisur prej Tokës, prej pesë shqisave dhe nuk kanë pranuar kurrfarë metafizike – sekreti, manifestimi të kuptimit logjik.
Filozofia indiane shkon edhe më tej prej kësaj dhe e mohon dualizmin ndërmjet Krijuesit dhe të krijuarës. Sipas saj, krijesat janë vetëm emanacion i Krijuesit. Sepse, në librat Upanishad, zoti Brahma, i cili e banon qendrën e botës, pëshpërit:“Nëse dorasi (vrasësi) mendon se është doras, e i vrari se është i vrarë, ata nuk i dinë metodat e mia sekrete, sepse të vdekurin e pranoj në mbrojtjen time, si edhe armën e vrasësit dhe krahun e fluturakes. Në mbrojtje e pranoj edhe atë kush dyshon në ekzistencën time – çdo gjë e pranoj, e madje edhe vetë dyshimin, e pranoj atje ku unë jam i vetmi. Unë jam çdo gjë”.
Ky është zoti i cili i ngjan dritës së bardhë…një dhe i natyrshëm, por në vete përmban shtatë ngjyrat (spektrale) të ylberit. Me vite kam jetuar në këtë mjegull indiane dhe bufoneri sofistike. E kam praktikuar jogi-n, dhe për të kam lexuar burimisht dhe kam studiuar te profesorët indianë. Gjatë më ka preokupuar dhe përvetësuar ideja mbi inkarnimin e shpirtit, e madje edhe është manifestuar në disa krijime të mia letrare, siç është “Marimanga” dhe “Dalja prej arkivolit”. Pas kësaj, pak nga pak, fillova të vij në vete, sepse nuk isha i bindur se shpirti mund të kalojë prej trupit në trup. Ia pranova vetvetes se botëkuptimi im i këtillë mbi Zotin nuk është bindës dhe se është konfuz i turbullt. Për herë të dytë iu ktheva shkencës si udhëheqësit dhe shpëtuesit tim. Ajo nëpërmjet autopsisë biologjike dhe nën mikroskop më tha diç tjetër. Me fjalë tjera, “monizmi ekzistencial” indian është shpjerë në këngët liturgjike sofistike, por ireale, të pavërteta, deri sa sheknca ma konfirmoi vetëm unitetin, identifikimin në materien fundamentale (të botës), në lëndën e parë, uniteti në fundamentin themelor dhe ligjësitë themelore, uniteti në materien origjinale, fillestare prej së cilës çdo gjë është ndërtuar. Çdo gjë që jeton: flora (bimët), fauna (shtazët), njerëzit, janë formuar prej kombinimit të karbonit me hidrogjenin dhe oksigjenin. Për këtë ata me të djegur shndërrohen në thëngjill. Së këndejmi dimë se të gjitha llojet e jetave janë me prejardhje nga një qelizë.
Duke u shërbyer me shkencë mësojmë nga astronomia,kimia dhe atomistika se vetë karboni, si edhe të gjitha elementet tjera, është produkt i një elementi të caktuar, i cili është zier shumë në stufat e mëdha të yllëzuara, e ky është hidrogjeni. Me fjalë tjera, hidrogjeni në brendësi të stufave yjore shndërrohet në helium, karbon, sicilium, kobalt, nikël, hekur ose në elemente tjera varësisht prej ndarjes dhe bashkëdyzimit të tyre të sërishëm në shkallët e caktuara të temperaturës dhe fuqisë së shtypjes. Thënë me fjalë të tjera, të gjitha llojet e krijesave rrjedhin prej materies unike, fijëzës unike të mëndafshit, prej të cilës është ndërtuar gjithësia, në format, detajet, figurat e saj të ndryshme e tjera.
Dallimi ndërmjet njërit dhe tjetrit lloj, ndërmjet njërës dhe tjetrës krijesë shpjeret vetëm në raportin, marrëdhëniet e kualitetit dhe kuantitetit, në përpjesëtime dhe të modeluarit e tyre, por lënda e parë është e njëjtë. Kjo është fshehtësia e cila na zbulon krushqinë, afërsinë, ngjashmërinë ndërmjet njeriut dhe shtazëve, zbutësit të kafshëve dhe kafshës së egër, ndërmjet hundës që nuhat dhe lules aromatike, ndërmjet syrit dhe pamjes së shkëlqyeshme të diellit duke perënduar. Këtu qëndron sekreti i kësaj harmonie dhe rregullit të gjithësisë. Çdo gjë që ekziston janë anëtarë të një familjeje, kanë rrjedhur prej një babai. Natyrisht se konkludimi i këtillë nuk pretendon që të konfirmojmë se si All-llahu është identifikim njësoj, çka edhe ekzistenca ose se çdo gjë që ekziston njësoj është çka edhe Krijuesi, sepse këto janë ngatërrime të rëndomta mistike, të cilat nuk mund të prëvetësohen. Thënë ndryshe, nëse këtë botë do të dëshiroja të tregoj, në mënyrë plastike do t’ia krahasoja përjetimit të kritikut (artistik) figurativ të entuziazmuar, i cili e ka vizituar ekspozitën pikturale dhe ka zbuluar se të gjitha eksponatet janë pikturuar me shprehjen e njëjtë artistike, prej materialit dhe ngjyrërave të njëjta. E natyrshme është që kritiku, në këtë rast, të mendojë se të gjitha pikturat janë prej penelit (furçës) të artistit të njëjtë dhe se kjo është vepër e një Pikaso, Shagali ose Modilani. Uniteti i të krijuarës tregon edhe në unitetin e Krijuesit, por kjo njëkohësishtë nuk do të thotë se krijesat janë çka edhe autori i tyre, përkatësisht se krijimet e artistit (pikturat e tij) janë çka edhe vetë piktori.
Prandaj, teoria indiane mbi “unitetin e botës” është mashtrimi, paragjykimi më i thjeshtë mistik, i cili shkencërisht nuk mund të jetë i konfirmuar as që mendja e shëndoshë mund ta pranojë.
Mirëpo, shikimi studioz shkencor mbi manifestimet e krijimit dhe të krijuarës, na drejton në lidhshmërinë dhe unifikimin e të gjitha krijesave. Forma, stili i tyre i njëjtë, ligjësitë e njëjta të tyre, uniteti i lëndës së parë (materies) të tyre prej së cilës janë të ndërtuara, të gjitha këto dëshmojnë se këtu ka të bëjë me një Krijues, se nuk ka shok, kompanjon, sepse, përndryshe, edhe stili i krijimit do të ishtë i ndryshëm. Vështrimet e këtilla na udhëzojnë në atë se ky Krijues është intelekti universal (akl-un kul-lijj-un), se Ai ua jep inspirimin krijesave të veta dhe i drejton në rrugën e tyre zhvillimore, dhe se Ai i furnizon me mjetet për të ekzistuar në këtë botë. Ai është i cili i dhuron krahë farës së drurit shkretinor në mënyrë që të fluturojnë shkretëtirën e shkretë e të arrijë në oaza ku do të gjejë kushte të përshtatshme për shumëzimin e vet. Ai është i cili e krijoi vezën e mushkajës me dy cipa në mënyrë që të notojë mbi ujë dhe të mos fundoset. Dhe, po mos të ishte Ai, mushkaja nuk do të mund ta dinte ligjin e Arkimedit dhe t’ia vendosë mbështjellësin dystrajcor vezës së vet.
Pra, All-llahu është ajo Arsyeja e Gjithdijshme dhe Gjithpërfshirëse, ai intelekti Universal, i cili secilës krijesë ia jep kushtet e jetës, Krijues i cili është mbi krijesat e veta, di çka ato nuk dinë, mundet çka ato nuk munden, sheh çka ato nuk shohin. Ai është Një, i Vetmi, i Gjithfuqishmi, i Gjithdijshmi, Gjithdëgjuesi, Gjithinkuadruesi, Githpamësi, Gjithlajmëtari. Ai është i cili jep atribute, ndërsa Ai është i paatribuar.
E pandërprerë dhe e vazhdueshme është lidhja ndërmjet këtij Krijuesi dhe krijesave të Tij; Ai u është më i afërt sesa gjaku i tyre personal i cili nëpër ta qarkullon. Ai e ka krijuar dhe harmonizuar këtë këngë shumë të bukur kozmike. Ai është i Drejti i cili i ka krijuar ligjësitë kozmike dhe deri në detaje i ka bërë të sakta e të pagabueshme.
Ja, këtë pasqyrë të plotë, më vonë, mbi All-llahun ma dha shkenca. Çdo gjë që ekziston në gjithësi, ka ndodhur. Në këtë na udhëzon leksikoni shkencor i cili këtë na e shpjegon në të ashtuquajturin ligjin e dytë të dinamikës termike. Me fjalë tjera,ky ligj e përkufizon ngrohtësinë dhe ndryshimet e saj prej të ngrohtës në të ftohtë, prej ngrohtësisë së lartë në të ultën deri sa dy nivelet nuk barazohen dhe pushon ndryshimi termik. Në bazë të këtij ligji shkencor nxjerrim përfundim logjik: nëse kohën nuk e kufizojmë dhe nëse gjithësia do të ishte permanente pa fillim, alternativiteti i ngrohtësisë dhe ftohtësisë kaherë do të merrte fund, e me këtë edhe të gjitha format e jetës. Të gjithë trupat qiellorë do të ngriheshin dhe me këtë çdo mundësi e jetës do të merrte fund. Pikërishtë këtu, pra, na qëndron dëshmia mbi të zënët fill (krijuershmërinë) e gjithësisë, respektivisht e tërë asaj që ekziston.
Nga ana tjetër, zhdukjet alternative nga faqja e Tokës dëshmitarë të së cilës jemi: zhdukja e kulturës, vdekja e individëve, zhdukja e trupave qiellorë, bimëve dhe shtazëve, kalueshmëria kohore, ajo rrugë e domosdoshme e çdo gjësë që ekziston dëshmon se gjithësia do të përfundojë në shkatërrimin e madh, në ringjalljen e madhe.
Shkenca e vërtetë, jotendencioze kurrë nuk ka qenë në kundërshtim me fenë. Përkundrazi, e ka përmbajtur dhe e ka argumentuar. Gabimi është në këtë se dituria sipërfaqësore, gjysmë shkenca e shpie arsyen e shëndoshë në dyshim dhe josiguri. Posaçërisht kjo manifestohet kur ka të bëjë me arsyen e cila është vetëmohuese dhe krenare dhe kur zhvillohet diskutimi në kohën kur arsyeja kundrohet si qëllim dhe synim i çdo gjëje. E kjo është pikërisht epoka e sotme, koha në të cilën kultura materiale i ka bërë hije çdo gjëje tjetër, koha në të cilën njeriu është i rrethuar me avionë, satelitë, dhe anije kozmike, dhe tërë kjo me zë të lartë bërtet:
“Unë jam materia, unë jam çdo gjë!”