All-llahu, Zoti…
Ditën e sotme, pata rastin e mirë të dëgjoj nga afër e të mësoj nga eksperienca dhe urtësia e spikatur e thirrësit të shquar islam saudit, Dr. Selam El-Audeh, i ftuar në një konferencë vlerash, organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, (që duhet falënderuar për këto lloj veprimtarishë dhe nivelin e tyre)
Ishte një buqetë e madhe me dije e largpamësi, vizione e urti, të prezantuara me dinjitet e thjeshtësi, si ajo e dijetarëve dhe edukatorëve elitarë të ymetit tonë, nga Dr. El-Audeh.
Më pas, m’u dha rasti ta takoj nga afër e të flas në veçanti, duke marrë mirësi e optimizëm thirrjeje, që zakonisht inspirojnë këto takime dhe personazhet e tyre.
Me shumë kënaqësi pranova si dhuratë nga dora e tij, një ndër botimet në gjuhën arabe, të Hoxhës së ditur, për të cilin e falënderova me përzemërsi.
Në shenjë respekti dhe si mirënjohje për mësimet e fituara prej zotnisë së tij, modestisë, largpamësisë, këshillave dhe urtive, po përkthej për ju një pjesë nga ky libër, që titullohet: “Me All-llahun”, ku autori shpjegon dhe komenton 99 emrat e madhërishëm të All-llahut.
ALL-LLAHU, ZOTI…
“Kështu është përmendur ky emër fisnik (Er-Rabbu: Zoti), në disa vende, në Librin e All-llahut, si në suren El-Fatiha: “Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve”.
Er-Rabbu, Zoti, është Krijuesi, Mbreti, Mbizotëruesi dhe Ai që i jep drejtim çdo gjëje.
Er-Rabbu, gjithashtu, e ka prejardhjen nga edukimi, si në ajetin kur’anor: “Bëhuni edukatorë të mësimeve të Zotit” – (Ali Imran: 79).
Er-Rabbu, gjithashtu është ai që i mbledh njerëzit e, ndoshta nga këtu ka marrë kuptimet edhe ajeti i lartpërmendur, sepse dijetari dhe edukatori i vërtetë, është ai që i mbledh njerëzit në të mirë, i afron ata me fenë dhe besimin, nuk i cyt ata, as i largon nga e vërteta.
Er-Rabbu, është ai që garanton rregullin dhe përkujdesjen. Themi: zoti i shtëpisë, i zoti i familjes.
Er-Rabbu, është i plotfuqishmi, sunduesi, shpëtimtari. Themi: Filani sundon popullin e tij. Dmth, me politikën e tij i sundon dhe i nënshtrohen.
Në kuptimet e këtij emri, është domethënia e përgjithshme për krejt krijesat e Tij, sepse All-llahu (xh.sh) është Krijuesi i çdo gjëje, mbizotëruesi i çdo gjëje. Ai është, të Cilit “i drejtohen me lutje, krejt ç’ka është në qiej e në tokë dhe Ai, në çdo moment është i angazhuar në çështje të reja (falë gjynahe, largon brengosje, jep jetë, jep vdekje, krijon gjendje, zhduk tëtjera etj.)” – (Err-Rrahman: 29)
E, prej kuptimeve të tij, ëdhtë edhe domethënia e veçantë për robët e Tij të mirë, sepse Ai është Zoti i të mirëve, Zoti i besimtarëve, me përkujdesje dhe mbrojtje, me pranim dhe mbarësi, me falje, triumf dhe udhëzim!
…
Emri “Rabb”, është prej emrave të përshtatshëm për lutje, duke marrë parasysh përfshirjen e tij të kuptimeve të pushtetit, mëshirës, gjithëpërfshirjes dhe afrimitetit. Sepse i pikëlluari, i dëshpëruari, ai që kërkon ndihmë, lutësi në përgjërime, e thërret Zotin e tij, i kërkon atij, i përgjërohet…
Ai, teksa e bën këtë, duke thënë: “Ja Rabbi… Ja Rabbi…” – si në hadithin e personit që udhëton gjatë, me flokë të shpupurishura, i pluhurosur… (Që lutet: “Ja Rabbi, ja Rabbi…) – sikur i përgjërohet Atij me krejt ato mirësi të lartpërmendura, bekimet e shkuara dhe dhuntitë e Tij…
Ja Rabbi (o Zot), ashtu sikurse na krijove dhe e përsose krijimin tonë, na furnizove me rizk, na dhe shëndet e na mbulove, na i plotëso mirësitë e Tua, na e zgjero rizkun Tënd, na i mundëso në vazhdimësi begatitë Tuaja, largo prej nesh çdo sherr e mallkim dhe na lumturo në të sotmen dhe në të përtejmen!”
– Selman El-Audeh, “Meall-Llah”, botimi i parë, Amman, 1436/2015, f. 244-245.
Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip,
shoqëruar me një hyrje të shkurtër sqaruese:
Muhamed B. Sytari