Amnesty International:Kompensim për të mbijetuarit e përdhunimeve gjatë luftës,

0
291

Pothuaj dy dekada pasi mijëra gra dhe vajza në Kosovë janë përdhunuar sistematikisht gjatë konfliktit të armatosur në vitet 1998-99, të mbijetuarat do fillojnë të marrin njohje zyrtare të shumë pritur dhe dëmshpërblime.

Deri tani, vetëm disa prej autorëve të krimeve janë dënuar, ndërsa të mbijetuarat vazhdojnë të luftojnë për drejtësi, thotë Amnesty International në raportin e saj të fundit.

“‘Plagë që të djegin shpirtin’: Kompensim për të mbijetuarit e përdhunimeve gjatë luftës, por drejtësi s’ka akoma’, nxjerrë në pah pasojat shkatërruese fizike dhe psikologjike të dhunës seksuale që kanë përjetuar të mbijetuarat, të cilat – deri tani – janë margjinalizuar nga shoqëria dhe nuk kanë marrë asnjë mbështetje nga qeveria.

“Të mbijetuarat e dhunës së llahtarshme seksuale janë zhgënjyer për vite me radhë nga komuniteti ndërkombëtar dhe qeveritë e njëpasnjëshme. Fajtorët i kanë shpëtuar drejtësisë, ndërsa të mbijetuarat janë margjinalizuar, harruar dhe ju është mohuar drejtësia. Kjo ka filluar të ndryshojë, por mbetet akoma shumë për të bërë”, tha Gauri van Gulik, zëvendësdrejtore e Amnesty International për Evropën.

Përdhunimi dhe format e tjera të dhunës seksuale kanë qenë gjithëpërfshirëse gjatë luftës në Kosovë, ndërsa policia serbe, paraushtarakët dhe Ushtria Jugosllave kanë kryer fushata persekutimi dhe dhune kundër shqiptarëve të Kosovës. Gra dhe vajza shqiptare kanë qenë subjekt përdhunimi dhe formave të tjera të dhunës seksuale të cilat përbëjnë torture. Pas armëpushimit, gra dhe vajza të komunitetit serb dhe rom janë përdhunuar, në sulme hakmarrëse nga anëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Katër udhëheqës politik dhe ushtarak Jugosllavë të etnisë serbe janë dënuar për dhunë seksuale si krim kundër njerëzimit nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Vetëm një autor krimi nga Kosova është dënuar në një gjykatë serbe, dhe asnjë nuk është dënuar në Kosovë, ku pas luftës, Kombet e Bashkuara, dhe që nga dhjetori i 2008-ës, policë dhe prokurorë të Bashkimit Evropian kanë qenë përgjegjës për hetimin e këtyre krimeve. Megjithatë, hetuesit ndërkombëtar shpesh kanë dështuar të hetojnë më tutje dyshimet e ngritura dhe të ruajnë me kujdes provat e marra”, thuhet në raport.

Kjo lë mbrapa një sfidë të jashtëzakonshme për prokurorët e Kosovës për krime lufte, të cilëve u kalon përgjegjësia për hetimin e këtyre krimeve nga organet ndërkombëtare. Në mungesë fondesh, burimesh materiale dhe njerëzore, si dhe me mungesë mbështetjeje politike, ata do të marrin në dorë rreth 1,000 dosje të pazgjidhura për krime lufte, ndër të cilat janë edhe çështje për dhunë seksuale.

Shumë të mbijetuara kanë njohur personat që kanë kryer krimet me emër. Një e mbijetuar madje ka sjellë për UNMIK-un, Kartën e Identitetit të autorit të një ushtari, e cila i ka rënë nga xhepi ndërsa e ka përdhunuar. Prapëseprapë, çështja e saj nuk ka mbërritur asnjëherë në gjykatë.

 

“Nuk kemi shpresë se do marrim drejtësi”, tha njëra nga të mbijetuarat për Amnesty International.

“Kam qenë 30 vjeçe kur ka ndodhë, dhe tani jam pothuaj 50. Ndoshta do të vdes përpara se ta zgjidhin çështjen”.

Shumica e tyre nuk ka asnjë perspektivë për të marrë drejtësi, prandaj shpërblimet janë akoma më të rëndësishme. Sikurse një e mbijetuar tha për Amnesty International “për 18 vite, kemi jetuar me plagë të fshehura që nuk mund të shërohen, por një shpërblim do na ndihmojë të mbijetojmë. Do të na ndihmojë me ilaçe dhe të rrisim fëmijët, dhe do të na ndihmojë të jetojmë respektueshëm”.

Nga janari i 2018-së ato do kenë të drejtë të marrin një shpërblim mujor prej €230 si dëmshpërblim për pasojat fizike, psikologjike, ekonomike dhe sociale që dhuna seksuale ju ka shkaktuar.

“Shpërblimi që iu mundësohet së shpejti është financiarisht dhe simbolikisht i rëndësishëm, por për shumë prej tyre do të jetë shumë pak dhe shumë vonë”, tha Gauri van Gulik.

“Personat përgjegjës për krimet e kryera kundër tyre duhet të vihen përpara drejtësisë dhe autoritetet duhet të mundësojnë përkujdesje shëndetësore të përshtatshme dhe mbështetje psiko- sociale për të cilat kanë kaq shumë nevojë për të tejkaluar traumën dhe për të rindërtuar jetët e tyre”. /Telegrafi/