Vendimi i KSHZ-së se janë plotësuar kushtet për zgjedhje, i marrë pa pëlqimin e kryetarit të këtij Komisioni dhe anëtarëve të LSDM-së mund të jetë legal por jo edhe legjitim. Kështu vlerëson politikologu Murat Aliu. Ai vlerëson se Marrëveshja e Përzhinos u arrit me konsensus dhe të gjitha obligimet dhe detyrimet që burojnë nga kjo marrëveshje duhet të arriheshin me konsensus ndërmjet katër partive politike.
“Në këtë mënyrë do të ishte vendimi legjitim. Në të kundërtën mendoj që nuk është legjitim. Fakti i dytë është ajo që MP është si një ligj special dhe tash në teori e dimë se ligji special gjithmonë e abrogon ligjin gjeneral. Dua të them që edhe pse në KSHZ vendimet merren me shumicë të thjeshtë në këtë rast duhet të merren në mënyrë konsensuale”, ka deklaruar politologu Murat Aliu.
Ndërsa gazetari Shpërtim Nuredini vlerëson se KSHZ edhe më tej mbetet institucion partiak dhe jo i pavarur. Në këtë përbërje KSHZ nuk mund të siguroj kushte të barabarta për të gjitha partitë.
Është për të ardhur keq që edhe pas konstatimit të gjithë këtyre shkeljeve ligjore në zgjedhjet e kaluara në 10 – 15 vitet e fundit ne sërish kemi të njëjtën përbërje të KSHZ-së. Fillimisht duheshte të shkarkohet përbërja e KSHZ-së dhe të zgjidhet një përbërje e re. Me emërimin e vetëm tre anëtarëve të ri nën pretekstin se janë ekspert të pavarur ne në fakt nuk bëmë asgjë. Dhe po dëshmohet se edhe tre ekspertët e pavarur në fakt nuk kanë qenë të pavarur. Ata vazhdojnë të dëshmojnë me veprimet e tyre se janë njerëz partiak”, ka thënë gazetari Shpëtim Nuredini.
Politikologu Aliu dhe gazetari Nuredini komentojnë edhe mbështetjen që anëtarët e BDI dhe PDSH ua dhanë gjatë vendimit anëtarëve të VMRO-së në KSHZ. Aliu vlerëson se BDI dhe PDSH gjatë gjithë implementimit të Marrëveshjes së Përzhinos kanë vepruar si një trup me VMRO-në, ndërsa Nuredini vlerëson se kontestimi i zgjedhjeve të 5 qershorit nga një pjesë e madhe e subjekteve politike por edhe nga faktori ndërkombëtar pamundëson organizimin korrekt dhe demokratik të tyre.
“Nëse i hedhin një sy kronoligjikisht implementimit të MP-së ne do të vërejmë se tre partitë të cilat e votuan këtë ligj në fjalë, pra VMRO, PDSH dhe BDI kanë vepruar në mënyrë unike, pra si një trup i vetëm kundër LSDM-së, ose më mirë të themi PDSH dhe BDI kanë refuzuar të jenë subjekt në këtë proces duhet hyrë me vetëdëshirë në kontrollin e VMRO-së prandaj mendoj se ky është vendim politik”, ka thënë politologu Ali.
“U kontestuan edhe nga faktori ndërkombëtar. Vendimi i njëanshëm, pa konsensus të plotë i KSHZ-së ishte thjesht edhe një hendek plus për të realizuar zgjedhje korrekte dhe demokratike. Besoj se situata e krijuar nuk mundëson zgjedhje fer, korrekte dhe demokratike prandaj subjektet politike duhet të rishqyrtojnë situatën dhe të marrin vendime që janë në interes të shoqërisë, në interes të shtetit”, ka thënë Nuredini.
Më 15 prill, me kërkesë të kryetarit të Kuvendit Trajko Veljanovski, KSHZ miratoi vendim se me procedurën e pastrimit të Listës zgjedhore, janë plotësuar kushtet për zgjedhje të parakohshme në 5 Qershor. Por, i këtij mendimi nuk ishte kryetari i KSHZ-së Aleksandër Çiçakovski dhe dy anëtarët e LSDM-së të cilët e lëshuan mbledhjen.
Mefail Ismaili /SHENJA/